Gjendet në Peru fosili i një lloji delfini 16 milionë vjeçar
23 Mars 2024
Shkencëtarët kanë zbuluar një kafkë fosile 16 milionë vjeçare të një delfini lumi në Peru, më i afërt i të cilit është delfini i lumit të Azisë Jugore që jeton në lumin Gange të Indisë.
Paleontologu Rodolfo Salas tha se kafka i përkiste delfinit më të madh që dihet se ka jetuar në ujërat e Amerikës së Jugut, raporton Reuters.
Delfini i quajtur “Pebanista yacuruna”, sipas krijesës mitologjike peruane, është deri në tre metra e gjysmë i gjatë dhe dikur ka jetuar në ujërat e Amazonës së sotme.
“Ky delfin është i lidhur me delfinin Ganges në Indi”, tha Salas, duke vënë në dukje se delfini i gjetur në Peru është shumë më i madh se të afërmit e tij të gjallë në Azi.
Ai shtoi se paraardhësit e të dy delfinëve kanë jetuar më parë në oqean.
“Kjo i lejoi ata të zinin hapësira të mëdha oqeanike pranë brigjeve të Indisë dhe Amerikës së Jugut. Këto kafshë jetonin në mjedise të ujërave të ëmbla si në Amazonë ashtu edhe në Indi. Fatkeqësisht, ato ngordhën në Amazonë, por mbijetuan në Indi“, tha Salas.