Gjendet varreza e elefantëve në Florida, 5,5 milionë vite e vjetër!
Paleontologët e Floridës së Veriut, nga Muzeu i Historisë Natyrore të Floridës, bënë një zbulim “një herë në jetë” kur gjetën një varrezë elefantësh, të quajtur “gomfoterë”. Jonathan Bloch, kurator i paleontologjisë së vertebrorëve në Muzeun e Floridës dhe ekipi i tij zbuluan pjesë të një gomfotere në fillim të vitit të kaluar, në gërmimin fosil të Montbrook, rreth 45 milje në jug të Gainesville.
“Kjo është një gjetje që ndodh një herë në jetë”, tha Bloch. “Është skeleti më i plotë i gomfoterës nga kjo periudhë kohore në Florida dhe ndër më të mirët në Amerikën e Veriut”, shtoi ai.
Këto gomfotera ka të ngjarë të kenë vdekur rreth pesë milionë vjet e gjysmë më parë, në ose pranë një lumi që ka kohë që është tharë. Kockat e izoluara të gomfoterës ishin gjetur më parë në vend, kështu që Bloch dhe ekipi i tij nuk kishin asnjë arsye të besonin se do të gjenin ndonjë gjë të pazakontë.
Disa ditë pasi u gjetën pjesët e gomfoterës, vullnetarët zbuluan këmbën e artikuluar të diçkaje shumë të madhe. “Fillova të gjeja njëra pas tjetrës kockat e gishtave të këmbës dhe të kyçit të këmbës”, tha Dean Warner, një mësues kimie në pension dhe vullnetar i Montbrook. “Ndërsa vazhdova të gërmoj, ajo që doli të ishte ulna dhe rrezja filloi të zbulohej. Të gjithë e dinim se ishte gjetur diçka e veçantë”, shtoi ai.
Gazeta Sot