Gjenerali i NATO-s në Portin e Durrësit: Ka rëndësi strategjike për aleancën! Rama gati t’ia japë arabëve
Gjenerali i NATO-s në Portin e Durrësit: Ka rëndësi strategjike për aleancën! Rama gati t’ia japë arabëve
Publikuar më 04.02.2021
Nga: Erjon dervishi
Dje Gjenerali i Ushtrisë së NATO-s, Joseph Jarrard dhe Zëvendës Komandant i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë dhe Afrikë, ndodhen në Tiranë për të përgatitur ngjarjen madhore e cila ka të bëjë me praninë e 6 mijë trupave ushtarake të aleancës.
Kjo cilësohet si stërvitja më e madhe e NATO-s e zhvilluar ndonjëherë në Ballkan dhe do të quhet ‘Defender Europe 21’. Gjatë takimit të djeshëm në zyrën e Presidentit të Republikës ishin të pranishëm, Kryeministri Edi Rama, kreu i opozitës, Lulzim Basha, si dhe Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim.
Po dje ishte vetë Gjenerali dhe Komandanti i NATO-s për Europën, i cili la të nënkuptohet se NATO po mendon të zhvendosë trupat e saj ushtarake nga Europa dhe veçanërisht nga Gjermania.
Ndërsa sot, në një vizitë të shpejt, gjenerali Jarrard është shfaqur në Portin e Durrësit. Në postimin që ka bërë në Facebook, ambasada amerikane shkruan: Gjeneral Majori Joseph Jarrard, Zëvendës Komandant i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë dhe Afrikë, vëzhgoi sot Portin e Durrësit. Porti do të jetë një nyje e rëndësishme logjistike për stërvitjen e ardhshme Defender Europe 21. Anijet ushtarake të logjistikës do të dorëzojnë pajisje luftarake për stërvitjen në Shqipëri përmes Portit të Durrësit këtë verë. Kjo përforcon rëndësinë strategjike të gjeografisë së Shqipërisë për aleancën e NATO-s.
Deklarata e ambasadës amerikane krijon kontrast me planet që ka qeveria shqiptare për Portin e Durrësit, që synon ta kthejë atë në një port turistik, për ndërtimin e marinave detare të përshtatura për jahte, një terminali modern pasagjerësh dhe ndërtesave të reja përgjatë tij, të cilat do të kenë qëllime tregtare dhe hotelerie.
Ndërtimet thuhet se do të bëhen nga kompania Emar, me bazë në Emiratet e Bashkuara, bisedimet me të cilën tashmë kanë nisur. Sipas asaj që kanë deklaruar ministrat e qeverisë Rama, Kompania e Emirateve të Bashkuara, Emar, synon investimin e një shume me vlerë 2 miliardë Euro për ngritjen e infrastruktrës së re të portit për qëllime turistike dhe ndërtimin e rezidencave moderne dhe hotelerisë.
Por sinjalet që vijnë nga ambasada amerikane, duket se bien ndesh me këto projeksione, për të cilat, Rama duket se nuk ka marrë OK nga partnerët euroatlantikë.