25 Nentor 2024

Gjermania po harton një listë të bunkerëve që mund të ofrojnë strehim emergjent për civilët, tha Ministria e Brendshme, në një kohë të tensioneve në rritje me Rusinë.

Lista do të përfshijë stacionet e trenave nëntokësore dhe parkingjet e makinave, si dhe ndërtesat shtetërore dhe pronat private, tha një zëdhënës i ministrisë.

Po krijohet një hartë dixhitale e bunkerëve dhe strehimoreve emergjente në mënyrë që njerëzit t’i gjejnë ato shpejt duke përdorur një aplikacion të planifikuar telefoni. Njerëzit gjithashtu do të inkurajohen të krijojnë strehimore mbrojtëse në shtëpitë e tyre duke konvertuar bodrumet dhe garazhet, tha zëdhënësi në një konferencë për shtyp.

Ai nuk pranoi të jepte një plan kohor, duke thënë se ishte një projekt i madh që do të kërkonte pak kohë, duke përfshirë Zyrën e Mbrojtjes Civile dhe Ndihmës ndaj Fatkeqësive dhe autoritete të tjera.

Vendi me 84 milionë banorë ka 579 bunkerë, kryesisht nga Lufta e Dytë Botërore dhe epoka e Luftës së Ftohtë, të cilët mund të ofrojnë strehim për 480,000 njerëz, nga rreth 2,000 bunkerë më parë.

Zëdhënësi tha se pikat kyçe të planit u ranë dakord në një konferencë të zyrtarëve të lartë në qershor dhe një grup i posaçëm po e shqyrtonte atë.

Që nga nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, shqetësimet janë rritur në lidhje me potencialin e Moskës për të synuar anëtarët e tjerë të NATO-s. Në tetor, shefat e inteligjencës gjermane paralajmëruan se Rusia ndoshta do të jetë në gjendje të nisë një sulm ndaj aleancës ushtarake deri në vitin 2030.

Zyrtarët gjermanë thonë se vendi tashmë po përjeton një rritje të mprehtë të aktiviteteve të spiunazhit dhe sabotimit rus. Javën e kaluar presidenti rus, Vladimir Putin, tha se konflikti në Ukrainë kishte karakteristika të një lufte “globale” dhe ai nuk përjashtoi sulmet ndaj vendeve perëndimore.