Gjiganti ndërkombëtar shkruan për historinë e Kosovës, në intervistën speciale me Rita Orën.
Gjiganti ndërkombëtar shkruan për historinë e Kosovës, në intervistën speciale me Rita Orën.
7 shkurt 2020
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është një nga të ftuarat për të performuar në festivalin “Estéreo Picnic 2020”, në Kolumbi.
Rita, mbiemri i vërtetë i së cilës është Sahatçiu ka dhënë së fundmi një intervistë për median e njohur amerikano-jugore, SHOCK.
Ajo ka rrëfyer shumëçka nga jeta dhe karriera e saj, ndërsa nuk ka hezituar të flasë me krenari edhe për Kosovën, duke e cituar si krenarinë më të madhe të saj.
Kjo gazetë i ka dedikuar një shkrim të gjatë historisë së Kosovës – një vend ky i cili numëron njohje kryesisht të vogla në shtetet e Amerikës së Jugut.
“Rita Ora njihet si interpretuese e shumë hiteve, që e kanë ngjitur atë në majat e top listave të Mbretërisë së Bashkuar dhe jo vetëm. Kur Rita ishte fëmijë, në vitin 1991, familja e saj la Kosovën e tyre amtare në kuadër të Luftës Ballkanike. Në atë kohë, Kosova ishte subjekt i autoritetit serb. Në vitin 1998, shpërtheu konflikti midis forcave serbe dhe shqiptarëve. Pas një lufte që la më shumë se 13,000 të vdekur, vendi arriti pavarësinë në vitin 2008. Me një popullsi prej 1.8 milionë njerëzve, Kosova ka PBB-në më të ulët për frymë në Evropë”, citon mediumi i njohur kolumbian.
Rita ishte e ftuar në një koncert të veçantë për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës në vitin 2018. “Për të arritur këtu duhej një udhëtim i gjatë”, u tha artistja mediave. “Por unë mendoj se është vetëm fillimi i një udhëtimi të jashtëzakonshëm për vendin tonë”.
Në një nga pyetjet e intervistës, Ora foli rreth albumit të saj “Phoenix”, i cili erdhi gjashtë vite pas publikimit të albumit të parë – kjo për shkak të një beteje të gjatë ligjore që pati me ish-labelin e saj.
“Ndihej si fundi i një kapitulli dhe fillimi i një kapitulli të ri dhe emocionues. Një nga ndjenjat më çliruese për mua është të këndosh dhe të krijosh muzikë. Ky album ishte një punë me dashuri dhe ishte e rëndësishme ta bëja atë në mënyrën time. Vlerësoj dashurinë dhe mbështetjen e atyre që kanë punuar me mua në album dhe më lejuan të krijoj diçka që më bën krenare. Ata më dhanë hapësirë dhe liri për të krijuar diçka nga zemra. Ndonjëherë ishte disi sfiduese dhe euforike. Jam krenare dhe mirënjohëse për udhëtimin që shijova me këtë album”, tregoi Rita.
Përveç muzikës, moda është një nga pasionet e saj. Këngëtarja shqiptare tregoi se si ka arritur që ta krijojë dhe mbajë gjatë gjithë këtyre viteve stilin e saj të veçantë.
“Meqenëse e mbaj mend, moda ka qenë një pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe mendoj se gjithmonë do të jetë kështu. Duke u rritur unë nuk kam pasur qasje në kaq shumë stilistë të mahnitshëm, kështu që krijova pamjen time duke kombinuar stilin tim. Këtu lindi dashuria për të eksperimentuar me stilin tim. Për mua, moda është liri dhe një mënyrë për të shprehur veten. Nuk ka rregulla, që më duken shumë të fuqishme”, ka thënë këngëtarja shqiptare për SHOCK.
Teksa pyetet se sa i rëndësishëm është aktivizmi në vendin e saj, Rita këtu kujtoi vizitën e fundit që realizoi në Kosovë me UNICEF-in vitin e kaluar.
“Është gjëja më e rëndësishme për mua. Jam ndjerë më shumë se e nderuar që jam zgjedhur për të përfaqësuar UNICEF-in. Në udhëtimin tim të fundit në Kosovë pashë nga dora e parë punën e madhe që UNICEF bën në vendin tim dhe unë jam më e vendosur se kurrë që të përdor pozicionin tim për të mbështetur fushatat në vendin tim”, ka treguar Rita.
Tutje, 29-vjeçarja ka treguar se nëna e saj, Vera Sahatçiu-Ora, është personi model i saj, pasi gjithnjë frymëzohet nga ajo.
“Nëna ime është personi më frymëzues dhe mahnitës që njoh. Familja ka qenë gjithmonë dhe do të jetë gjëja më e rëndësishme në jetën time. Ne kemi qenë gjithmonë afër dhe mbështetemi shumë tek njëri-tjetri”.
Në pyetjen e fundit të kësaj interviste, Rita Ora ka theksuar edhe njëherë se çfarë do të thotë për të vendi i saj i origjinës.
“Jam shumë krenare për origjinën time dhe nuk do ta harroj kurrë se nga vij. Do të thotë gjithçka për mua”, ka përfunduar rrëfimin e saj për SHOCK artistja me fame botërore. /Telegrafi
l.h/ dita