Gjirokastër- Bizneset e zonës muzeale krizë për punëtorë! – Operatorët turistikë: – Paga të larta, por s’ka interes nga të rinjtë
Të rinjtë janë larguar jashtë vendit dhe ata që kanë mbetur në qytetin emblemë të turizmit historik nuk kanë interes për të punuar. Pronaret e dyqaneve e lokaleve në zonën muzeale të Gjirokastrës thonë se të gjitha shërbimet po i kryejnë me ndihmën e familjarëve.
Mungesa e krahut të punës në Gjirokastër ka vënë në vështirësi operatorët turistikë në zonën historike të qytetit.Bizneset janë në krizë totale për punëtorë, kjo pasi të rinjtë nuk e shikojnë punësimin në qytetin e tyre, por jashtë tij, kryesisht në emigrim. Në gati 50% të bizneseve hoteliere dhe të shërbimit, po punohet me vetëshërbim.
Operatorë turistikë shprehin shqetësimin për mungesën e krahut të punës në qytetin e tyre.
Fatjon Çumaku, pronar i një clubi në Gjirokastër thotë se mungesa e stafit dhe punëtorëve po i kalon bizneset në vetëshërbim.“Kur bisedojmë edhe me koleget tanë e shohim që bizneset tona do të kalojnë drejt vetëshërbimit. Përveçse hemorragjisë se popullsisë shikoj se të rinjtë nuk kanë dëshirë për të punuar”, tha Çumaku.
Aurel Hatika fason artizanal thotë se për biznesin që ka e përballon vetë punën por në të vërtetë vërehet mungesa e fuqisë punëtore.“Ne e përballojmë me fuqinë tonë këtë biznes, por në përgjithësi ka mungesë personeli në shumë biznese.Zgjidhja është duke i stimuluar, për të bërë një marrëveshje për shembull me gjimnazin që të rinjtë të punësohen sapo të mbarojnë”, tha Hatika.
Në Gjirokastër sot të gjesh punë, është më e lehtë se kurrë më parë. Pagat janë më të larta se në sektorin publik, por shumica e të papunëve nuk shprehin interes për pozicione si kamerier, kuzhinier apo banakier.
Për Dëfrim Gjocajn, që është pronar restoranti mungesa e fuqisë punëtore vjen për shkak të largimit të të rinjve jashtë vendit.“Mungesa e fuqisë punëtore, vjen sepse një pjesë e të rinjve të Gjirokastrës kanë emigruar në vendet e Evropës dhe ndihet mungesa e fuqisë punëtore dhe te kjo fuqi punëtore që kemi duhet të ta trajtojmë me ngrohtësi ti shpërblejmë me aq sa meritojnë”, u shpreh Gjocaj.
Në tremujorin e parë të këtij viti sipas të dhënave nga operatorët turistikë vendor, Gjirokastrën e kanë vizituar mbi 13 mijë turistë shumica e të cilëve ditorë
Gazeta Shqiptarja.com