Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore përmes një deklarate bën me dije se ka qenë shumë i vëmendshëm karshi gjendjes së monumenteve në Gjirokastër përgjatë kohëve të fundit. “Duke filluar që nga data 12 shkurt 2016, ne filluam botimin e mjaft fotove nga gjendja e monumenteve në këtë qytet duke kërkuar të arrinim si sensibilizimin e qytetarëve, opinionit publik, të aktorëve që veprojnë në fushë, por në rradhë të parë të atyre që janë përgjegjës për mbrojtjen, konservimin dhe restaurimin e monumenteve, DRKK Gjirokastër, Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe vetë Ministrinë e Kulturës”, shkruan Forumi. Mjaft prej anëtarëve të Forumit kanë hedhur idenë dhe kanë bërë thirrje që gjendja në vend është alarmante ndaj kanë sugjeruar që Ministria e Kulturës të shihte mundësinë për të bërë një takim me aktorët e fushës në vend, pikërisht në Gjirokastër, dhe për ti bërë atje diskutimet.

“Zëri ynë, si edhe për shumë çështje të tjera në fushën e trashëgimisë ra në vesh të shurdhët. Përkundër mendimit tonë që gjendja në Gjirokastër është alarmante dhe po shkon drejt një pikë fatale, Ministria ka vijuar të trumbetojë me të madhe që Gjirokastra tashmë ka dalë nga gjendja e emergjencës dhe ka hyrë në një fazë të re, atë të “rijetëzimit”. Ky mendim për ne është i gabuar”, thuhet më tej në deklaratë.

Forumi vijon se më 16.1.2018, se organizata Europa Nostra, shpalli një shortlistë me 12 sitet më të rrezikuara të trashëgimisë në Europë. Për fat të keq në dy vendet e para listoheshin dy site nga Shqipëria, Gjirokastra në vendin e parë, dhe kishat pasbizantine të Voskopojës e Vithkuqit në vendin e dytë. Sugjerimet janë bërë nga aktorë vendorë (për pikën e parë nga Fondacioni Gjirokastra, dhe për pikën e dytë nga Fondacioni e Shkuara për të Ardhmen) por gjykimi dhe vlerësimi është bërë nga një komision i gjerë ndërkombëtar. Nga kjo shortlistë do të përzgjidhen më pas 7 sitet më të rrezikuara, dhe do të shpallen në datën 15 Mars nga Europa Nostra. “Ne shpresojmë që ky qëndrim i Europa Nostra, bashkuar edhe me mjaft reagime të aktorëve vendorë (ku Forumi ynë është një prej tyre) të jetë një tërheqje vëmendjeje për organizmat tona shtetërore që operojnë në fushën e trashëgimisë. Shpresojmë që Ministria e Kulturës të dalë nga guacka e vetëkënaqësisë ku është mbyllur dhe të fillojë të jetë më bashkëpunuese me aktorët dhe faktorët vendorë, si dhe me ata ndërkombëtarë. Ne i qëndrojmë mendimit që trashëgimia jonë duhet parë me tjetër vizion”, përfundon deklarata.

Agjensia e Lajmeve Sot News