Gjirokastra, qyteti ballkanik që ruan sekretin e artit arkitektonik. –
Qyteti jugor i Shqipërisë përshkruhet si një prej vendeve më intriguese për të cilin lexuesit e gazetës prestigjioze “The Wall Street Journal” mund të mos kenë dëgjuar kurrë, transmeton sot “Koha Ditore”.
Në artikullin e shkruar nga Cathryn Drake janë dhënë përshkrime të detajuara për arkitekturën, mikpritjen, historinë e atraksionet më të mëdha të Gjirokastrës. Drake e nis artikullin e saj duke thënë se “për të pasionuarit e arkitekturës, ky qytet ballkanik është sekreti i ruajtur mirë.
“Gjirokastra, në jug të Shqipërisë, mund të mos jetë destinacioni i parë që të vjen në mendje nëse vendos të bësh një udhëtim në Evropë këtë fundverë. Por ky qytet kodrinor prej 66.000 banorësh është jashtëzakonisht tërheqës dhe me çmime të përballueshme, si dhe dy orë me makinë larg nga plazhet e bukura të bregdetit shqiptar. Ende nuk jeni të bindur? Një kapsulë e vërtetë kohore, Gjirokastra shërbeu si qendër tregtare për rreth 500 vjet nën Perandorinë Osmane (1385-1912) dhe si skenë për një ‘Game of Thrones’ të vërtetë”, shkruhet në artikullin e publikuar në “WSJ”.
“Vendosni aty një kështjellë mesjetare, një bunker nëntokësor të epokës komuniste dhe një “avioni spiunësh” të SHBA-së, dhe Gjirokastra mund të jetë vërtet qyteti më i vogël intrigues për të cilin nuk keni dëgjuar kurrë”, vazhdon artikulli. Gazetarja e “WSJ” e përshkruan fundjavën e saj në Gjirokastër, gjatë së cilës kishte qëndruar në Shtëpinë Babameto që ndodhet pikërisht nën kalanë e madhe gotike.
“Megjithëse strehimi është i thjeshtë (madje edhe dhomat private kanë tualete të përbashkëta), struktura është komplet e kundërta. Një shtëpi-kullë osmane e shekullit të XIX, me rreshta elegantë dritaresh dhe ambiente të brendshme të ngrohta prej druri, Babameto është një nga restaurimet e shumta historike të ndërmarra në dekadën e fundit nga Fondacioni jofitimprurës Gjirokastra”, shkruan “WSJ”. Aty shtohet se ky fondacion ka pasur përsipër mbi 50 projekte, përfshirë edhe rehabilitimin e rrugëve me kalldrëm dhe restaurimin e pazarit në Qytetin e Vjetër, të quajtur “Qyteti prej guri”, falë qindra ndërtesave të gurta. Projekti më i madh mund të jetë Shtëpia Zekate, një rezidencë e vitit 1811, tani një muze. Ajo përshkruan edhe se si Shtëpia e Zekateve fillimisht i përkiste një zyrtari të lartë të kryekomandantit Ali Pasha. “Ali Pasha pushtoi Gjirokastrën dhe e bëri atë një fortesë kundër regjimit osman. E ndërtuar gjatë kësaj kohe trazirash civile dhe banditizmit të pamëshirshëm, Zekati u ndërtua si një kështjellë, me mure të trasha guri, dyer të rënda, të përforcuara, dhe dritare të vogla”, vazhdon tutje artikulli.
Duke shtuar të dhëna historike, Drake shkruan se komunistët morën shumë ndërtesa historike në Gjirokastër dhe pas rënies së regjimit, në vitin 1991, të gjitha ndërtesat iu kthyen familjeve që i kishin zotëruar ato.
“Fondacioni nuk po punon vetëm për t’ua kthyer këtyre ndërtesave lavdinë e tyre të mëparshme. Pjesë e çdo projekti është një plan biznesi që shpreson të rikthejë në atdhe anëtarët e familjeve, shumë prej të cilëve janë larguar për të kërkuar punë jashtë vendit. Shtëpia Babameto, për shembull, do t’u dorëzohet pronarëve vitin e ardhshëm, pasi ajo gjeneron të ardhura të mjaftueshme si hotel për të paguar kostot e rinovimit”, vazhdon artikulli. Sipas “WSJ”, edhe e kaluara komuniste e Gjirokastrës po ruhet. Gazetarja ndalet ta përshkruajë Muzeun e Luftës së Ftohtë, i cili u hap në 2014 pas betejave të ndryshme burokratike.
“Muzeu përfshin një bunker me labirinte të ndërtuar në fshehtësi në vitet 1970 dhe i zbuluar vetëm dekada më vonë. Ky rrjet i ngushtë tunelesh ndërlidh rreth 80 dhoma, të cilat ende janë të etiketuara me funksionet e tyre zyrtare dhe të mbushura me mobilie metalike të ndryshkura”, shkruan “WSJ”. Aty shtohet se Kalaja e Gjirokastrës shërben gjithashtu si një hapësirë festive. Artikulli i “WSJ” përmbyllet teksa gazetarja citon një fragment të shkruar në vitin 1933 nga shkrimtari britanik i udhëtimeve Patrick Leigh Fermor. “Gjirokastra, shkruante ai, është ‘njëkohësisht tepër e vjetër dhe krejt e re dhe fare e panjohur’. Pothuajse 100 vjet më vonë, përshkrimi i tij është ende i vërtetë”, përfundon “WSJ”.