Gjon Kastrioti/ Luftë kundër osmanëve, dashuriçka në Napoli e sjellje e pahijshme me të ëmën. –

Nga: YlliPolovina,

Rreth 23 majit 1468 bashkëshortja e Skënderbeut, tashmë katër muaj më parë, në 17 janar, jetë ndërruar, Donika, regjente e principatës Kastrioti, e kaloi detin me një anije të posaçme të dërguar prej aleatit të parë të tyre strategjik, mbretit të Napolit, spanjollit Ferdinand (i Aragonës).

Po ikte bashkë me trashëgimtarin e pushtetit dhe të pronave të princit Gjergj, të birin e vetëm, Gjonin. Ky ishte sapo duke kapërcyer të trembëdhjetat. Po mërgonin jo përfundimisht, por për t’u rikthyer sa më parë. Në anijen e posaçme për ta ndodheshin edhe disa të veja komandantësh të rëndësishëm të ushtrisë arbre.

Zhvillimet që ndodhën pas mërgimit të përkohshëm të familjes së Gjergj Kastriotit ishin të tilla që brenda një dekade pothuaj e shuan mundësinë e rikthimit të tyre. Megjithëse vetë Gjoni dhe të paktën dy nipër të tij dëshmohet se në krye të komandove të ndryshme të financuara e pajisura nga Republika e Venedikut apo Mbretëria e Napolit kanë rihyrë në Shqipëri për akte diversioni, kapje plasdarmesh apo edhe aksione të gjëra çlirimi, ajo ikje e pranverës 1468 kishte qenë pa rikthim.

Një dekadë më pas nëpërmjet një superoperacioni gjigand, komanduar nga dy gjeneralë turq dhe për dy-tri muaj edhe në krye me vetë sulltanin Mehmet II, të famshmin “Pushtues i Botës”, armata osmane pushtoi pas një qëndrese heroike kështjellën e Krujës, të Zhabjakut, të Drishtit, të Lezhës dhe motin e ardhshëm edhe vetë Shkodrën. Këtë zhvillim të ngjarjeve as regjentja Donikë dhe ca më pak shumë i riu Gjon, atë 23 maj nuk e përfytyronin dot. Po ashtu me sytë nga rikthimi në Arbëri ata qenë edhe kur zbarkuan e ndoqën jetën në Itali. Kështu familja princërore Kastrioti e vijoi kronikën e saj larg trojeve të shqiptarëve dhe për fat të trishtë edhe larg lidhjeve e vëmendjes reciproke të dy palëve, duke krijuar kështu një nga gropat më të mëdha të kujtesës sonë kombëtare.
Ky shkrim është një përpjekje modeste për të shkëputur diçka prej këtij terri.

“TRI PRINCESHAT E TRISHTUARA”
Princeshës Donikë dhe të birit mbreti Ferdinand (Ferrante) i lidhi një pension të përvitshëm prej njëmijë dukatësh të arta. Si provë të kësaj përkujdesjeje për bashkëshorten e Skënderbeut ka ekzistuar edhe një dokument, tashmë fizikisht, si origjinal, i humbur. Atje emri i saj shkruhet në formën Donike Areniti.

Pas afro dy muajsh nga zbarkimi, qysh nga 27 gushti 1469, e veja e Skënderbeut u transferua në shtëpitë e të njohurit Pietro Kola d’Alesandro (Pietro Cola d’Alessandro), në afërsi të Santa Kiarës (Santa Chiara). Disa vite më pas, në shtator 1477, kur në Napoli erdhi Xhovana III (Giovana III), nusja e re e mbretit Ferdinand, u lidh një marrëveshja midis Donikës dhe saj. Ajo do të rrinte pranë dy mbretëreshave, të cilat më pas do të quheshin “Dy Xhovanat e trishtuara”.

E para e tyre do të qe vetë bashkëshortja e Ferdinandit. Kur ky vdiq në 25 janar 1494, ajo mbi çdo dekret filloi të firmoste me bashkëngjitur shprehjen “Mbretëresha e trishtuar”. Ndërkaq në 20 prill 1479 çifti pati lindur vajzën e vetme të tyre, të cilës i vunë emrin Xhovana. E shpallur mbretëreshë kur qe shtatëmbëdhjetë vjeçe dhe e martuar me kushëririn, Ferranten, pas disa muajve martesë të kryer në 1496, ky vdiq para kohe prej malaries (infeksion të marrë gjatë gjahut) apo, siç edhe përflitej, nga një helmim.

Pas kësaj edhe Xhovana e re firmoste njëlloj si e ëma. Prej vitit 1477, kur nis ngjitja e saj, e deri sa në fillim të shekullit pasardhës ndërroi jetë, Donika përfaqëson në Napoli një figurë me autoritet. Përqark saj u mblodh një rreth jo i vogël arbrish, që nga Aranitët dhe Muzakët, por sidomos pasardhës të fisnikut krutan Vrana Konti.
Këta u bënë jo vetëm mbështetës të këtij prestigji politik të së vesë së Skënderbeut, por edhe për shumë dekada me radhë njëri prej pinjollëve vranakontë, Bernardo, lehtësuar nga kjo lidhje, u bë edhe më i pasuri, pas monarkut, i të gjithë mbretërisë së Napolit.

Është një kulmim i autoritetit të shqiptarëve hapësira gjysmëshekullore e viteve sa qe gjallë Donika, madje vijoi edhe për tre-katër dhjetëvjeçarë të tjerë më pas. Në 1508 apo 1510, kur mendohet që është shkruar dhe publikuar libri i Marin Barletit për Skënderbeun, ishte kulmi i prestigjit të këtij lobi arbëreshësh në Napoli, edhe pse tashmë, në ditët mes marsit 1505 dhe shtatorit 1506, stërgjyshja e tyre nuk jetonte më.

Siç e tregon edhe skënderologu i njohur italian, Prof. Xhankarlo Valone (Giancarlo Vallone), Donika banonte në katin e dytë të Castel Nuovo (Kështjellës së Re), rezidencës mbretërore, dhe bashkë me formën e shqiptuar Andronaka në këto mjedise ajo thirrej më së shumti “Scannalibeca”. Duket është ruajtur mënyra arbre e emërtimit të një bashkëshorteje, e përhapur fort edhe në Dibër, ku emrit të bashkëshortit, tek gruaja e tij, gjuhësisht femërizohet. Me një fjalë Donika ishte ndryshe edhe Skënderbegia.

Në 18 gusht 1489, ka një dokument tjetër të shfaqjes së emrit të saj. Bëhet fjalë për një urdhër të monarkut Ferrante, në të cilin “Andronika Areniti” merr pranë vetes, për t’i shërbyer, një djalë arbër me emrin Kola.
Në dokumente ajo duket sërish në 20 tetor 1494, kur nipi i Alfonsit V, edhe ky mbret me emrin e gjyshit, i beson Donikës kujdesin për dy Xhovanat e mbetura. Këtë çast, thekson Xhankarlo Valone, ka fjalë shumë të bukura të tij për shpirtin e mirë të saj. Kur në vitin 1496 u rindërtua në Castel Nuovo apartamenti i mbretëreshës së re Xhovana, “zonja Andronika” kishte një dhomë mbi të. Ajo ndodhej në katin e dytë të krahut perëndimor. Mbreti Ferrandino, siç thirrej nipi i Alfonsit V, i cili vdiq në moshë të re, në 7 tetor 1496, shkaktoi në Castel Nuovo dëshpërimin e madh të bashkëshortes së tij Xhovana dhe dëshirë të saj për ta braktisur menjëherë Napolin. Megjithatë qe kryekujdestarja e saj, Donika Kastrioti, ajo që e bindi të mos vepronte ashtu.

Në 13 shkurt 1498 Donika gjendet në një dokument tjetër, i cili dëshmon përqafimin e sinqertë të mbretit të ri, Federikos, me “la mogliere de Scannalibecho” (“gruan e Skënderbeut”). Sipas studiuesit Valone, qe pikërisht ky monark, i cili më 1 prill 1498 i dha një feud më vete, tokën e Galianos, brenda Kepit të Leukës. Kjo u bë që të mund të jetonte e pavarur, e çliruar prej varësisë së të birit, i cili ndodhej në Pulie, në Galatina, dhe kishte dhënë shenja se mbante me të marrëdhënie të ftohta.

Në 7 shtator 1499 dëshmohet se ajo ende ndodhej në Napoli dhe nuk dëshiron të shkojë në Spanjë me Xhovanën e vogël, por do t’i vejë pas më vonë, atje, Xhovanës tjetër, për ta shoqëruar.

Studiuesi arbëresh, profesor në Universitetin e Kozencës, Atilio Vakaro, në konferencën ndërkombëtare për Skënderbeun, të organizuar në Universitetin Orientale të Napolit në 1-2 dhjetor 2005, do të thoshte se Karlo Padilione, me gjithë të metat e tij, në librin e vet paraqet një dokument origjinal, ku provohet se në 1500 Donika ndodhej në Napoli. Është viti kur ajo kryen gjestin që do të mbetet i fiksuar njëherë e përgjithmonë në këtë qytet: një varr-monument për nipin e saj Constandinus de Scanderbechis, i cili kishte qenë peshkop i qytetit të Izernias dhe vdiq në moshë fare të re, atë vit 1500.

Në tekstin e gjatë përkushtues, të gdhendur në mermer, dallohen qartë fjalët “Constandinus Castrayotus” si edhe vetë emri i saj “Andronica Cominata”. Ndërkaq një dokument i legatës veneciane në Napoli e regjistron qartë Donikën në janar 1501: “la moglie fo dil sinor Scandarbecho” (“gruaja e zotit Skënderbe).

I HUMBËN ESHTRAT NË SPANJË
Sipas Prof. Valones, grupi shoqërues i mbretëreshës Xhovana do të nisej nga Napoli për në Sicili më 2 dhe 3 gusht 1501 dhe në Spanjë do të arrinte vetëm në korrik 1502. Në 8 mars 1505 është dokumenti i fundit i Donikës gjallë. Ajo i shkroi nga Spanja një letër mjaft prekëse nipit të saj Ferrante, i cili kishte toleruar në Galatina, feudin e tij, sjelljen arrogante të një reparti ushtarësh spanjollë që ishin në ndjekje të një opozitari të mbretit.