Gjovalin Paci: Artistëve u duhen galeri arti dhe ambiente pune, ka piktorë prej 60 vjetësh në penel dhe pikturojnë në garazhe…-
Gjovalin Paci: Artistëve u duhen galeri arti dhe ambiente pune, ka piktorë prej 60 vjetësh në penel dhe pikturojnë në garazhe…
Intervistoi: Julia Vrapi
Ekspozita “Skënderbeu”, që u çel në Muzeun Historik Kombëtar me 80 vepra në pikturë riktheu për publikun piktorin Gjovalin Paci pas 6 vitesh mungesë. Këtë herë ekspozita me Skënderbeun shumëdimensional realizuar nga piktori i njohur shkodran Gjovali Paci për disa ditë u vizitua nga publiku në MHK. Piktori pohon se ka qenë një punë për ekspozitën me figurën e heroit kombëtar që vjen në vijim të asaj të çelur në 100- vjetorin e Pavarësisë. Në intervistën për “SOT” piktori Paci tregon se gjatë kësaj kohe ka vijuar punën me pikturën dhe ka realizuar qindra vepra arti. Por shqetësuese për artistin është gjendja sot kur shteti nuk ka mundur dot të bëjë rregullatorin në aktivitetin artistik. Sipas piktorit nuk ka politika që të ndihmojnë në aktivitetin krijues dhe shumë piktorë përballen me probleme të shumta. Një buxhet qesharak është ai që jepet për institucionet e artit, dhe sipas piktorit Gjovalin Paci sot mungojnë dhe galeritë e artit për ekspozita si dhe vlerësimi për kuotimin e artistëve.
-Ekspozita “Skënderbeu” përfundoi ditët e saj në Muzeun Historik Kombëtar. Si u përcoll nga publiku kjo ekspozitë personale e juaja, që erdhi pas 6 vitesh me po të njëjtën temë?
Ekspozita ishte një vazhdim i asaj, që u hap në kuadër të 100 -vjetorit të Pavarësisë me figurën e Skënderbeut. Ekspozitën e dytë e fillova duke e menduar gjatë, dhe fillova të krijoj sërish për figurën e heroit kombëtar. Një figurë që unë pothuajse e kam mbajtur për gjashtë vite duke e punuar në cikle. Ekspozita është e ndarë në grupe ciklesh. Ajo është ndërtuar mbi legjendat që ne njohim që fëmijë prej gjyshërve dhe gjysheve, i rritur me letërsinë nëpërmjet Kadaresë, Barletit apo Schmidit. Me 80 punime në pikturë që u ekspozuan për herë të parë për publikun. Ngjyrat e kuqja dhe e zeza dominojnë në telajo. E zeza përfaqëson 550 vite që Skënderbeu nuk është më mes nesh, ndërsa ngjyrat e tjera tregojnë arritjet e dështimet e heroit tonë kombëtar. Skënderbeu në fakt është një nga njerëzit tanë më të mëdhenj. Unë jam munduar ta trajtoj si bashkëkohës të mbretërve, të krajlve. Ai s’ka qenë vetëm një strateg, por edhe ushtarak i marrëdhënieve me jashtë. Skënderbeun jam munduar ta sjell jo vetëm si hero kombëtar. Unë Skënderbeun e kam trajtuar përveçse si strateg dhe si personazh të zakonshëm. Është një figurë e trajtuar në nivele heroike, nivele njerëzore, por që ndahen nga njëra -tjetrën dhe krijojnë një marrëdhënie me njëra- tjetrën në kuadër të tërësisë së ekspozitës
-Ju sollët këtë herë Skënderbeun, pse munguat 6 vite me një ekspozitë personale?
E para ka qenë çështje reflektimi. Unë kam punuar gjatë kësaj kohe, kam reflektuar si artist. Kam pasur një lloj pauze artistike për të mos ekspozuar, dhe mos të jem i pranishëm në veprimtaritë artistike. Por unë kam realizuar gati 1 mijë punë gjatë kësaj periudhe. Kam pasur edhe angazhime të tjera me udhëtime dhe axhenda për ekspozita të tjera jashtë vendit.
-Çfarë ju shqetëson në jetën artistike?
Gjëja e parë që më shqetëson është mungesa e ligjeve shqiptare. Në vendin tonë nuk ka ligje, që ndihmojnë për zhvillimin e jetës artistike. Nëse unë si piktor dua të vendos marrëdhënie me galeri të huaj, përveç një pasaporte që të lëshojnë për sigurimin e veprës se nga vjen, tek ne nuk ka asgjë tjetër nga institucionet. Tek ne është një terr i tërë artistik, ka dhe një të drejtë autori që askush s’e merr parasysh se çfarë është. Përderisa ne kemi probleme në gjithë fushat e jetës, edhe artisti është mes këtyre problemeve. Mua si piktor më shqetëson shumë sot indiferenca ndaj artit tek. Më shqetëson indiferenca e atyre që merren me kulturën, por dhe ata që janë të zakonshëm. Një vend që e do artin, por që për t’iu afruar mundësitë janë të papërfillshme. Më vjen shumë keq nga kjo situatë që gjendemi sot. Ka shumë probleme dhe jo të gjithë artistët e kanë fatin e mirë që të arrijnë të ekspozohen me veprat e tyre. Unë njoh artistë që janë shumë të mirë dhe që nuk arrijnë dot të ekspozojnë veprat e tyre. Ne nuk kemi treg në vendin tonë. Unë kur shkoj të blej ngjyrat, e shikoj që shitësi rri tek dera jo në dyqan, sepse nuk blejnë. Kur nuk blejnë ngjyra, nuk ka treg as për pikturë. Edhe çmimet që lëvizin nëpër galeri arti janë aq mininaliste sa më vjen dhe të qesh. Unë vetë si piktor sot nuk e kam idenë as se çfarë ndodh në Galerinë Kombëtare të Arteve.
-Pse?
Po sepse ka shumë kohë që unë vetë nuk kam hyrë më në atë galeri, nuk jam vizitor i Galerisë Kombëtare të Arteve. Artistët shqiptarë sot kërkojnë ambiente të tjera për ekspozime, ato mungojnë. Artistët sot shkojnë, ekspozojnë veprat e tyre të artit dhe aty ku shiten qofte. Është pak banale që një artist të shkojë, të ekspozojë aty pranë ku shitet raki dhe qofte. Kjo ndodh sepse ne nuk kemi galeri arti. Unë sot nuk e di se sa galeri arti private kemi në Tiranë. Por në gjendjen që jemi, mendoj që kemi mungesë të tyre. Kemi pasur dikur galeri arti të mira private, por që janë mbyllur dhe këto janë lajme të këqija për ne si artistë. Nuk ka prurje, nuk ka treg. I gjithë problemi jonë si artistë qëndron te tregu.
-Si e gjeni sot tregun?
Unë nuk them që artisti qëndron për tregun, por ne mundohemi të prodhojmë art. Problemi qëndron që ne nuk e dimë se si kuotohen artistët. Nuk ka institucione që kuotojnë artin. Mund të pretendojë një emër që ka filluar dje punën ta shesë veprën njëlloj si një tjetër që ka dekada, që bën vepra arti. Këtu tek ne nuk ke një hierarki të krijuar në mënyrën e kuotimit të veprës së artit. Nuk mund të shitet një vepër e një piktori 50 vjet peneli njëlloj me një punë të një autori të ri. Alternativat tek ne janë të pakta. Por ne kemi dhe probleme në krijimtari.
-Çfarë problemesh ka krijimtaria?
Po në krijimtari në pikturë, një peizazh nuk mund të jetë një fotografi. Edhe natyra duhet të shikohet në një sens tjetër dhe jo si fotografi. Ne na ndajnë shumë vite. Kemi 900-tën kur me impresionizmin peizazhi, natyra kishte interpretim, kishte impresionin dhe gjëra të tjera brenda saj. Artisti ka të drejtën e tij për të veprën, por nuk ka pse të pretendojë të gjejë treg më pas.
-Ju pohuat se nuk kemi politika të ndihmojnë artistët. Çfarë kërkoni?
Unë nuk kërkoj gjë nga shteti, vetëm të më krijojë hapësirat ligjore për aktivitetin tim krijues. Të kemi politika lehtësuese për bizneset që të ndihmojnë artistët dhe artin. Sot kemi dhe piktorë që kanë nga 60 vjet në penel dhe pikturojnë në mjedise si garazh, dhe është trup për këtë gjendje. Këtu kërkohet ndihma e politikave nga shteti.
-Artistë të ndryshëm shohin me shqetësim dhe problemin që institucionet nuk blejnë vepra arti, GKA nuk ka mundësi të blejë për pasurimin e fundit. Si e shikoni këtë?
Unë vetë si piktor nuk kam vepra arti as në galerinë e Shkodrës dhe as në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kjo sepse është mungesë buxhetesh për veprat e artit. Unë nuk i dhuroj punët e mia shtetit. Nuk kam pse t’i dhuroj piktura GKA. Mund t’ia dhuroj dikujt tjetër, por jo shtetit. Është mungesë respekti për autorin nëse çon dhuratë një vepër në Galerinë Kombëtare të Arteve vetëm për të qenë aty apo dhe në ndonjë galeri tjetër. Si u dhuroka puna? Është një punë e bërë me mund e djersë nga autori, do telajo, ngjyra, kërkon kohë për realizimin. Më vjen keq që buxheti i Galerisë Kombëtare të Arteve që jepet nga Ministria e Kulturës është qesharak. Aq buxhet sa për projektet artistike të GKA më duhet mua për një ekspozitë personale jashtë shtetit. E kuptoni se në çfarë gjendje e kanë lënë GKA? Arti është individual në gjithë botën dhe shteti është rregullator. Por deri tani nuk ka bërë gjë rregullatorin shteti, sepse ka dhe shumë probleme të tjera dhe nuk ka në mendje të rregullojë tregun e artit në vetmin tonë. Nëpërmes sipërmarrjes private shteti të rregullojë hapësira për artistin në rast se vetë nuk ka fuqi ta bëjë.
-Pas ekspozitës “Skënderbeu” me çfarë po merreni në krijimtarinë tuaj?
Po punoj me pikturën. Unë po vijoj punë me cikle të tjera në pikturë në mënyrën dhe konceptimin tim.