Gjuha e Majekrahut dhe kronika e Gjon Muzakës
Gjuha e Majekrahut dhe kronika e Gjon Muzakës
Nga: Moikom Zeqo
Gjuha shqipe është ajo që na ka bërë ne të gjithëve, ne lindim dhe vdesim përmes saj, fizikisht jemi të vdekshëm, gjuhësisht jemi ta amëshuar,- nuk mund të ndahemi vetëm në të vdekshëm apo vetëm në të amëshuar,- jemi të përzier,- jemi të dyzuar,- jemi vetë kontradikta e mishëruar, -jemi vetë përfaqësimi i paradoksit, jemi simbol i gjallë dhe send,- jemi ide dhe molekula fizike, -jemi ata që jemi,- pa harruar se jemi dhe ata që kemi qenë dikur dhe se do të jemi dhe ata që do të vijnë më pas,- të ndërlidhur pambarimisht nga fjalët e gjuhës shqipe.
Gjuha shqipe është gjuhë fantastikisht e madhërishme, ka një idiomë parahistorike në strukturën e saj.
Ajo ruan diçka gjuhësisht të tejlashtë të një gjuhe të vdekur paraardhëse, paraindoeuropiane, pastaj ruan strukturën indoevropiane, strukturë e cila është më tepër një energji lëvizëse.
Gjuha shqipe është formësuar edhe nga një moment antropologjik dhe gjeografik në sinkroni dhe diakroni të plotë, duke mbajtur përherë të zbuluar dhe në dritë mes territ të kohës burimin e saj indoeuropian.
Siç e ka vënë re i mrekullueshmi dhe lakoniku Milan Shuflaj, fjalët e shkurtra njërrokëshe të gjuhës shqipe janë gati një lloj kodi dhe regjistri antropologjik.
Dihet se malësorët shqiptarë mund të merren vesh me njëri – tjetrin në largësi të mëdha me të folurën e tyre të “majë krahut” nga mali në mal, duke hedhur ura kuptimore akustike mbi humnerat.
Ky zakon i natyrshëm dhe gati gjenetik, është tek të tërë popujt malësorë.
Ky zakon ka vepruar në ndërtimin e gjuhës, ka ndikuar në ndërtimin shkurtimor dhe eliptik, në kontrastet lakonike në gjymtimin e fjalëve.
Parimi i emrave të përveçëm dhe të gjatë indoeuropianë që dokumentohen tek ilirët e vjetër, ka humbur ndër shqiptarët e sotëm, apo dhe tek popujt e tjerë malësorë, si psh. armenët, ndoshta nga shkaku i të folurit në largësi të mëdha.
Prej gjuhës së baskëve në Pirenej, ky zakon krijoi gjuhë telefonike klasike.
Ky zakon ndërlidhës nga shkrepi në shkrep, bëri që shumë fjalë të marra nga latinishtja në gjuhën shqipe të bëhen me rrokje të theksuara.
Ritmi tonik i fjalëve në gjuhën shqipe ka diçka të përjetshme nga ky teatralitet i gjëmshëm dhe ekzistencial i gjuhës së komunikimit të bartësve alpinë të lartësive në pllaja dhe në bjeshkë.
Fjalët njërrokëshe dhe fjalët onomatopetike të depozituara edhe në tekstin e Gjon Buzukut, na çojnë ne me një shpejtësi ajnshtajniane të dritës, drejt dukurive krijuese të zanafillës gjuhësore të gjuhës shqipe. ( 2000)
TESTAMENTI
Gjon Muzaka, njëri nga princët më të famshëm shqiptarë me një fat gati shekspirian, midis luftërave të egra, tragjedive familjare dhe gëzimit të mundimshëm në Napoli në vitin 1510, ndjen si një ankth të brendshëm, si një rrëfim të dhimshëm, gati providencial, që të shkruajë një lloj testamenti, dëshmitë e tij të përjetuara, të bashkuara me dëshmi historike të karakterit libror, por edhe dëshmi gojëdhanore, për t’u lënë kështu fëmijëve por dhe nipërve, një kujtesë princërore për Shqipërinë.
Nisma e tij është e pazakontë dhe me sa duket deri më sot e vetme. Nuk ruhet asnjë testament i shkruar para vdekjes, nga Gjergj Kastriot Skënderbeu. Sipas zakonit të kohës ka qenë madje e detyrueshme që intelektualë të tillë të mëdhenj kishtarë ose dhe pa tituj të tjerë të lartë hierarkikë, d.m.th. qoftë Barleti, Buzuku apo Onufri në çastin e paravdekjes të bënin rrëfimin dhe kungimin e fundit, madje në prani të dëshmitarëve të linin testamente të shkruara. Një gjë të tillë e ka bërë fjala vjen Pjetër Bogdani.
Duke lexuar testamentin e Pjetër Bogdanit, që ai e shkroi në latinisht kupton diçka të vërtetë, sidomos për atë mekanizëm që detyron kishtarët të lënë testamente. Nuk dimë asgjë, absolutisht asgjë për testamentet e princërve të mëdhenj dhe të habitshëm të Shqipërisë, për Balshajt, Topiajt, për Zenebishtët, Zahariat etj. Ndoshta edhe kanë lënë testamente të tilla, por është një fakt që koha nuk i ka kursyer dhe i ka zhdukur, ose mund të ndodhen në arkiva europiane si në një varrosje të shurdhët, nën blindazhin e harresës së pamëshirëshme.
Habitërisht Testamenti i Gjon Muzakës, u ruajt në Bibliotekën Brankaçiane të Napolit.
Në 1863 një historian i pasionuar gjerman Karl Hopf (1832-1873) e zbuloi dorëshkrimin e Muzakës dhe u mahnit. Për një rastësi edhe tragjike por edhe fatdhënëse për historinë e shqiptarëve, ai e botoi të plotë dorëshkrimin Muzakian në vitin 1873 në librin e tij “Kronikat greko-romane”, që e botoi frëngjisht në Berlin atë vit që ai vdiq, në moshën 41 vjeçare. Nëse do të kish vdekur qoftë dhe një një vit më pare, ende sot teksti i Muzakës do të kishte mbetur në terr. Ja pra, që një vit jetë njeriu së bashku me fatalitetin e vdekjes, mund të sjellë edhe dritën verbuese të një zbulimi të rrallë.
Për fat të mirë dorëshkrimi i Gjon Muzakës u publikua dhe u bë i njohur në rrafshet e dijes dhe është botuar edhe në gjuhën shqipe.
Princi i rreptë dhe luftëtar Gjon Muzaka ka lënë kështu librin e tij të jetës dhe të shekujve, me qëllim të padyshimtë dhe ambicioz për ta kapërcyer shekullin e tij si një hipotekë mendore për shekujt e së ardhmes.
Teksti i Gjon Muzakës është në të vërtetë një tekst i llojit laik, lënda është esencialisht historike me dëshmi të patjetërsueshme dhe krejtësisht origjinale të tij, pa përjashtuar këtu dhe një përmbledhje gojëdhanash gjenealogjike si dhe shpjegimin e parë të rëndësishëm të një shqiptari për stemat heraldike të princërve bashkëkohës, që janë thandruar si maska përkujtimore dhe kultike në Tempullin e Kujtesës së Kombit.
Pa dashur të bëj analizën e mirëfilltë të tekstit të Gjon Muzakës, që lidhet me historinë dhe gjenealogjinë e shtëpisë së Muzakajve, dua të theksoj një motiv që ka mbetur jashtë vemendjes së studjuesve, që janë marrë me këtë libër.
Nëse fola për biblizmin e tre viganëve si Barleti, Buzuku dhe Onufri, nuk duhet të harroj, nuk kam të drejtë të bishtënoj edhe biblizmin e Gjon Muzakës, i cili është një princ i krishterë, që e nis testamentin e tij për brezat pikërisht me një apologji biblike, gjithshtu universale.
Pa dashur të shtoj vargun e viganëve, mendoj se edhe dëshmia më modeste e princit të paharruar Gjon Muzaka duhet patur parasysh, sepse shton, perfeksionon, kthjelltëson, lartëson biblizmin shqiptar.
Filllimi i shënimeve të Gjon Muzakës nis me emrat e dyfishtë JEZUS MARIA.
Dhe ja thirrja e përmalluar si një skicë sinoptike, me një lakonizëm të diamandtë dhe rrezeshpërndarës e Gjon Muzakës :
“ Gjithçka që është nën Diell është kotësi.
Ejani o bijtë e mij, dëgjoni, po ju mësoj se çështë frika ndaj Zotit.
Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë ndaj lutjeve të tyre.
Fytyra e Zotiit është kthyer nga keqbërësit që t’i zhdukë nga faqja e dheut.
Të drejtët ngritën zërin dhe Zoti i dëgjoi dhe i çliroi nga të gjitha shqetësimet e tyre.
Pirroja, Mbreti i Epirit, mbante të shkruar në një unazë këto fjalë : “I virtutshmi e ka pak të shpërblehet si sundimtar i botës, por i ligu e ka shumë pak të ndëshkohet duke ia marrë jetën!”
Është i nderuar midis të nderuarve, ai që fati e godet pa faj dhe është më i poshtëruari i të poshtëruarve, ai që fati e ngre pa e merituar.
Atë që mund ta bëni me paqe, mos e bëni me luftë.
Atë që mund të fitoni duke e kërkuar me lutje, mos e rrëmbeni me forcën e armëve.
Atë që mund ta qortosh fshehtas, mos e poshtëro publikisht.
Prindi që le birin e tij të mësuar por të varfër, thuaj se i ka lënë gjithçka. Por ai prind që e le të birin të pa mësuar dhe të pasur, thuaj se nuk i ka lënë asgjë.
Është më mirë një ndihmë e vogël që vjen në çastin kur duhet, se sa një ndihmë e madhe që nuk vjen në çastin e duhur por vonon.
Njeriu që me anë të forcës është bërë tiran, është më mirë të kthehet në një skllav të së drejtës.
Nuk mjafton që një njeri të jetë i mirë, por është e domosdoshme që ai të shmangë çdo rast apo mundësi, që mund t’i afrohet atij për t’u bërë i keq.
Njeriu të mos harrojë kurrë sa jeton se lumturia është vetëm hua, ndërsa mjerimi është një trashëgim prej natyre.
Vise- vise në librin e Gjon Muzakës ka referenca të tjera biblike, të cilat kanë rëndësinë e tyre.
Ai jep dhe një dëshmi të veçantë për ishullin e vogël e liqenin e Prespës, që unë nuk e kam takuar në asnjë vend, sepse thotë me bindje se tek ky ishull i vockël ka një vend ku ngrihet një manstir dhe atje është varrosur trupi i Shën Arkelaut.
Është e habitshme por kisha e ishullit të Maligradit, që ruhet ende dhe sot dhe ka piktura murore të klasit të parë nga më shkëlqyerat e shek.XIV si dhe portrete sundimtarësh lokalë : Qezar Novaku dhe gruas së tij Valia, titullohet si kisha e Shën Marisë.
Nëse vërtet ky ishull është shenjtëruar dhe ka në zanafilë shumë më përpara se shek.XIV, qoftë dhe në mënyrë gojëdhanore trupin e shenjtit Arkelau, ahere kemi vërtet një plotësim dhe një informacion krejtësisht të ri.
Biblizmi i Gjon Muzakës ka të bëjë me proverbat e shenjta si dhe me citate të marra nga Bibla e Shenjtë, si psh nga libri i Ekleziastit, apo nga Libri i Proverbave. Nuk është e tepërt të kumtoj se citime të njejta unë kam gjetur në tekstet e Gjon Buzukut. Buzuku ka shqipëruar fragmente të njëjta si nga libri i Ekleziastit, ashtu dhe nga libri i Proverbave.
Është fakt që Gjon Muzaka ka bërë një antologji të vogël të këtyre sentencave të mara nga varianti latin i veprës së Euseb Jeronimit, të quajtur Vulgata.
Pra ai përdor kështu si Barleti latinicitetin.
Ajo që nuk duhet përbuzur, është fakti që citimet e Gjon Muzakës kanë një unitet dhe një përzgjedhje të përafërt edhe me Barletin edhe me Buzukun, pa ditur asgjë për ta.
Ndoshta për Barletin Muzaka ka ditur diçka, sidomos për librin “Rrethimi i Shkodrës”, kurse për librin tjetër epokal të Barletit për bëmat e Skënderbeut fatalisht asgjë s’ka ditur, sepse ndoshta më 1510, kur u botua ky libër, tashmë ne e dimë se edhe vetë Gjon Muzaka ka vdekur.
Aq më tepër kjo vërtetohet edhe nga fakti se informacioni krejt origjinal që jep për familjen kastriotase Gjon Muzaka, nuk përmendet dhe nuk dihet as nga vigani Marin Barleti.
Gjon Muzaka ka patur një djalë shumë të shquar, i cili fitoi përmasa evropiane.
Quhej Kostandin Muzaka.
Qe bir i denjë i babait.
Një shqiptar i cili kuptohej në esencë se mund të mbijetonte si shqiptar vetëm duke qenë globalisht një europian. Historia e Kostandin Muzakës, është një aventurë e politikës dhe e veprimeve luftarake në Evropë, e shërbimit të tij tek princërit dhe mbretërit evropianë, me famën e një luftëtari dhe diplomati ambicioz dhe shpesh paradoksal. Nga të gjithë djemtë e Muzakës, vetëm Kostandini e kuptoi të jatin. Vetëm ai u muarr seriozisht me dorëshkrimin testamental.
Ai e ka rilexuar këtë dorëshkrim dhe ka medituar për të. Madje ai ka bërë akoma më tepër: ai ka bërë shtesat e tij historike dhe shkrimore në amanetin e paravdekjes së Gjon Muzakës.
Kështu ai paraqitet në një sens të pavarur si një intelektual laik dhe deri diku si historian shqiptar.
Ai krijon lidhje dhe korespondencë me familjen e engjëllorëve, princër të Drishtit dhe të Danjës dhe shkëmben me ta dorëshkrime, si dhe fragmente historish të autorëve bizantinë apo italianë.
Kostandin Muzaka është interesuar të plotësojë vakuumet e në dorëshkrimin e të atit, ai do ta argumentojë plotësisht qëllimin përfundimtar të Gjonit, pa harruar të thotë edhe fjalën e tij vetiake. Kostandin Muzaka plotëson atë që është e pa dokumentuar në forma të tjera pas vdekjes së Gjon Muzakës.
Nga Kostandini marrim vesh se Gjoni është varrosur në kishën e madhe të Frankavilës në tokën e Otrantos, në një varr mermeri, ku është vendosur dhe një epitaf me fjalët që pasojnë në latinisht që në shqip kanë këtë kuptim : “I Plotfuqishëm Jezu, të falet këtu ty Gjon Muzaka, i biri i Gjin Despotit, Zoti i Myzeqesë dhe i Epirit, i cili nga qyteti i Bizantit trashëgoi shqiponjën dykrenare,që e mbante në flamur, që e dedikonte si kurorë detyrimi në vitin e Krishtit 1510”.
Por Kostandin Muzaka para se të vdiste vetë kish përgatitur monumentin prej mermeri mbivarror në Napoli me këtë mbishkrim po në latinisht, që në shqip do të thotë “ Gjon Muzaka, i biri i Gjinit, Zot i Molosëve, Despot i Epirit, gjak dhe fis mbretëror, me trashëgim nga qyteti i Bizantit, i dëbuar nga Tirani Turk në fundin e jetës së vet. Kostandini, i biri ja ngre këtë monument vehtes dhe të jatit në vitin…”
Ka dhe një epitaf tjetër që thotë gati të njëjtën gjë, por më shkurt: “Gjon Muzaka, i biri i Gjinit, princ i Molosëve dhe i Epirotëve, i dëbuar nga tirani turk prej principatës së vet si dhe Kostandini, i biri, që këtë monument ia ngre vetvetes dhe të atit”.
Kjo do të thotë se qysh para vdekjes Kostandini ka menduar që të bashkojë eshtrat e të aatit dhe të tijat pasvdekjes në një varr të përbashkët.
Nuk dimë nëse Kostandini e kreu këtë amanet(ndoshta e ka lënë i aati amanetin, apo qe dëshira e vetë të birit, nuk mund ta përcaktojmë dot) dhe ka transportuar eshtrat e Gjonit në mënyrë që babai dhe i biri të njësoheshin përfundimisht në një varr të vetëm në qytetin e Napolit. Duhen bërë kërkime në këtë drejtim, pikërisht në Napoli.
Ajo që dua të nxjerr në relief është se në shënimet historike të Kostandin Muzakës gjëllon përsëri biblizmi dhe metaforika shpjeguese apo analogjike e tij.
Por ka dhe një fakt të papritur kontradiktor të pashpjegueshëm, gati surealist.
Kostandin Muzaka duke folur për familjet e tjera princërore shqiptare, na habit për një gojëdhanë heraldike shumë të pakonceptueshme, jo vetëm në kohën e tij por edhe për kohën e sotme. E them këtë, sepse familjen princërore të Balshajve e lidh me fisin gjermanik të Getëve apo dhe të Gotëve, që nga Alariku i famshëm, i cili ka pushtuar qytetin e Romës, por ka qenë një një konfederatë me mbretin e Dakëve.
Sipas shënimit gjenealogjik fantazist të Kostandin Muzakës, del se dera e Balshajve lidhet pikërisht në zanafillë kinse me Alarikun dhe pasardhësit e tij, po ajo që është me e pabesueshme, shton se tre Magët kalorës të cilët erdhën nga Lindja, sipas gjithë teksteve biblike, duke ndjekur yllin e shndritshëm të Betlehemit për të parë dhe për t’iu falur foshnjës së shenjtë- Krishtit, gjoja ishin nga zanafilla veriore e Evropës, që lidhet me Alarikun e Balshajt dhe se Balshajt janë pasardhës të Kalorësve Magë, që shkenca kristalogjike i quan të ardhur nga Lindja, madje me origjinë zarathustriane apo mithriaste.
Çudi e çudive është kjo gojëdhënë, një devijim i tmerrshëm dhe heretik nga struktura sinoptike e ungjijve.
Është e pashpjegueshme deri më sot një gjë e tillë dhe nuk mund të konceptohet, se si shqiptarët mund të devijojnë apo të shkatërrojnë arketipet biblikë në shekullin e XVI dhe të paraqesin me krenari origjinat e tyre, jo vetëm prej trojanëve siç e paraqesin dukagjinasit, jo vetëm prej bizantinëve dhe mollosëve siç e paraqesin Muzakajt, por edhe prej Kalorësve Magë siç kinse e paraqesin veten Balshajt.
Në këtë hulli edhe Engjëllorët nuk mbeten më pas, as arianitasit, por mbi ta zotëron fuqishëm matrica bizantine, sidomos semiotika perandorake konstandinopojase e para pushtimit osman. Të gjitha këto janë me vernikun e biblizmit, kanë lëvozhga gojëdhanore dhe historike, ç’ka tregon se bota shqiptare në shekujt XIV deri në shekullin XVI, është një botë që nuk mund të shkëputet nga apologjitë e gjenealogjive të mëdha botërore, perandorake, frymëzuese dhe në thelb të krishtera.
Ky motiv strukturalist dhe simbolik krijon një mjedis të plleshëm, gjenetik, me fuqi të madhe rikrijuese dhe mbijetuese, për të kuptuar pikërisht pse bilizmi universal i shërbeu shpirtit etnik shqiptar dhe pse ky biblizëm jashtë etnik do të kontruktohet brenda një biblizmi në gjuhë etnike të veçantë siç është shqipja madhështore dhe epokale e Gjon Muzakut