Gjurmët letrare dhe shkencore të Muzafer Xhaxhiut –
Interpretues i rrallë i poezisë, sidomos i lirikës erotike, që zë fill me poezinë e Safos dhe gjithë mjeshtrave të letërsisë antike. Përvoja e shumëfishtë e marrëdhënies me fjalën, e sidomos me fjalën poetike, si lëvrues, përkthyes i poezisë, e po kaq si lektor në universitet, që shënon një faqe më vete të personalitetit të Muzafer Xhaxhiut
Nga Behar Gjoka
Sjellja në vëmendje, e veprës letrare dhe studimore të Prof. Muzafer Xhaxhiut, që na zbulon një dëshmi të qartë shumëfaqëshi, në pesë vjetorin e ikjes në amshim, bashkë me përkujtimin, vetvetiu rikthen dëshirën për të hedhur një vështrim mbi gjurmët e lëna në librat e shkuar. Përmasat e Prof. Muzafer Xhaxhiut, pavarësisht se nuk ka mundësi që të rroken në një shkrim, sado që ta shfletosh dhe përmitësosh veprën e tij, në kontributet e shumta që mbeten model dhe vlerë sot e gjithë ditën, e cila duhet njohur, shfrytëzuar dhe analizuar në të gjithë treguesit, të ndërmendin shumëfaqëshin, që bart anë të ndryshme të vlerave të krijuar në gjallje, e tani ridimensionohen si rrethana komunikimi me lexuesin edhe në amshim. Shumëfaqësia e pranishme, ndërkaq është sa njerëzore, aq letrare dhe studimore, didaktike dhe intelektuale, si njohës dhe lëvrues i hollë i shqipes, si dhe i shumë gjuhëve të huaja, madje një polyglot i vërtetë, një përvojë e vyer e cila duhet hipotekuar në vetëdijen letrare dhe shkencore. Profesor Xhaxhiun, dikur e jo shumë larg e patëm pranë, aq sa mjaftonte tingëllima e zërit të tij, për të qenë të kthjellët, teksa flisnim për autorët dhe veprat letrare të antikitetit, grek dhe romak. Madje, qartësia e shpërfaqjes pati mbërritur te Dante dhe Shekspiri. Tani, në përmasën e përjetësisë, kemi veprat e lëna prej tij, në lëmin e studimit dhe lëvrimit të poezisë, kemi modelin e shkencëtarit dhe profesorit skrupuloz, që shërben si përvojë e çmuar për letërsinë, albanologjinë dhe shkollën shqiptare. Gjurmët e shumta, letrare dhe studimore, me libra të secilës natyrë shkrimore të Muzafer Xhaxhiut, kam drojë se dikur nuk i vumë re, në meritën e vlerave që ngërthejnë. E tani, jo vetëm prej harrimit, por më tepër prej rrokullimave që ka marrë jeta e qenies, nuk kemi gjetur kohën e mjaftueshme, për t’i rilexuar dhe për të zbuluar vlerat e shumta, letrare dhe studimore të librave të Prof. Muzafer Xhaxhiut. Vonesa, në marrëdhënie me tekstet letrare dhe shkencore, veçmas me ato që bartin vlera, është një shans përkujtese për të zbuluar gjurmët e ngulitura në shkronjë.
Lidhja me poezinë
Në punët e shumta, që ai bëri për letërsinë, për lëvrimin dhe zbërthimin e saj, për përkthimin dhe vlerësimin e përveçëm, realizuar në auditor apo me librat e shkruar, krahasimisht me të gjitha lamitë, ku janë të dukshme arritjet e shënuar nga poeti, studiuesi, kritiku e përkthyesi, lidhja me poezinë është më unike dhe më jetëgjatë. Bazuar në veprat e shkruara, pa frikë mund të thuhet se lidhja me poezinë, qe një shtegtim në gjithë vitet e jetës, dhe materia poetike e librave të poetit, shpaloset si një marrëdhënie shpirtërore ekzistenciale, e cila shpërfaqet në disa forma:
A – Lëvrues buzëhollë i poezisë, me shenjëzime në lavrimin e lirikës erotike. Libri i parë me poezi, “Vargje për dashurinë”, botuar në vitin 1963, në krye të herës, evidenton profilin e poetit që lëvron lirikën erotike, që shpërfaqet në vargjet e poezive: “Më thuaj, As zjarr as yje, Një çast, Pres mbrëmjen, Legjendë për dashurinë”, si dhe duke e gërshetuar me lirikën e natyrës, që shpaloset në poezitë “Shelgu, Vjeshtë, Perëndim” etj. Në përmbledhjen e dytë të autorit, “Ujërat e pranverës”, krahas lirikës, në disa tekste mbitheksohen ngjyrat e atmosferës ideologjike të kohës. Krejt ndryshe, ndërkaq ngjet me përmbledhjen “Kënga e mjellmës”, botuar në vitin 1999, e cila rimerr poezitë e shkruara më herët, por edhe përplotëson me krijime të reja, duke rizbuluar dimensionin lirik. Libri i mbramë poetik “Çmenduri natyre”, në vitin 2007, shënon librin e fundit të botuar në gjallje të autorit. Kjo përmbledhje risjell portretin e poetit lirik, ku veçohen poezitë “Dëborë”, “Gjirokastra”, “Meteori”, “Eklipsi”, “Korrilla”, “Letër nënës”, “Çmenduri natyre”, “Malli”, që përcjellin vargjet: “M’u shfaqe përsëri/ti mall i vagëlluar!/kujtimi kaq i gjatë…/midis të dyve ti…”(2007: 57). Nga jo pak njohës, lexues dhe studiues njihet profili i poetit, me tipologjinë e përveçme lirike, por pak është folur për këtë përmasë, që të jetë pjesë e hipotekës lirike të shqipes, sidomos e formatit bashkëkohor të saj, e cila në shumicë qe përfshirë në shërbesë ideologjike.
B – Përkthyes i poetëve nga të katër anët e botës. Në këtë aspekt nuk ka rajon të planetit që të mos ketë tërhequr vëmendjen e poetit-përkthyes, nga shumica e gjuhëve të botës, por megjithatë duke patur përparësi poetët europianë, e sidomos ata të rajonit të Ballkanit, të gjuhëve të fqinjëve tanë. Përkthimi, simbas dijes letrare, është urë për të zgjeruar komunikimin në mes kulturave, është zbulim i vlerave shpirtërore, por duke qenë vetë poet, sjellja e tyre në gjuhën shqipe, ka qenë në tipologjinë e shqipërimit, si një udhë e hapur me kohë nga mjeshtëria e Nolit.
C – Hartues i përmbledhjeve antologjike me poezi të letërsisë së huaj. Me poezitë e përkthyera nga gjuhët e huaja, prej vetë M. Xhaxhiut, sidomos nga rajoni i Ballkanit, ka qenë pjesëmarrës në shumicën e antologjive të poezive të botuara në pjesën e dytë të shekullin të njëzet, por është edhe vetë hartues i dy antologjive. Antologjia “Vesë lotësh”, që ka si nëntitull, “Nga poezia lirike botërore”, botuar në vitin 1995, e grupuar në katër cikle: “Nga vendet e Ballkanit, Nga vende të Përëndimit dhe vende të tjera, Nga vende të Lindjes” dhe “Poezi popullore të ndryshme”. Antologjia më e plotë, përkthyer dhe përgatitur nga M. Xhaxhiu, mban titullin “Antologji e poezisë lirike botërore”, me nëntitull, “Qielli pikon yje”, botuar në vitin 2005, si rimarrje e antologjisë me titull “Vesë lotësh”, tashmë e përplotësuar me poetë dhe poezi përfaqësuese, duke e sqaruar vendin dhe gjuhën nga janë marrë. Antologjia e plotë, ka si veçanësi faktin domethënës, që krahas poetëve, është përfshirë edhe poezia lirike popullore. Vetë kriteri i formuluar nga ana e përkthyesit, pra e M. Xhaxhiut, kur shkruan në parathënien e antologjisë: “Përzgjedhja e poezive është bërë më pak nga poetë shumë të njohur, që qëndrojnë në majën e Parnasit, dhe më shumë nga poetë më pak të njohur apo fare të panjohur.” (2005: 5), dëshmon për një përpjekje për të zgjeruar hapësirën e përfaqësimit të lirikës së poezisë botërore.
D – Interpretues i rrallë i poezisë, sidomos i lirikës erotike, që zë fill me poezinë e Safos dhe gjithë mjeshtrave të letërsisë antike. Përvoja e shumëfishtë e marrëdhënies me fjalën, e sidomos me fjalën poetike, si lëvrues, përkthyes i poezisë, e po kaq si lektor në universitet, që shënon një faqe më vetë të personalitetit të Muzafer Xhaxhiut, ka mundësuar që të jetë njëri nga mjeshtërit e interpretimit të poezisë, veçmas të tipologjisë së lirikës. Fillesat e interpretimit me poezinë e Safos, për të vijuar me dhjetëra autorë të letërsisë, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, skalitën një zbërthyes të vlerave të poezisë, shqipe dhe të përbotshme.
Marrëdhënia me kritikën dhe gjuhën
Kontribute me vlerë të profesor M. Xhaxhiut, janë edhe lidhjet e afërta me kritikën letrare dhe me vetë gjuhën shqipe. Kritika letrare, me kahje të ligjërimit të trajtesave studimore, ndërkaq u bë bashkudhëtare e lidhjes me letërsinë, e ndihmesës së gjithanshme për të interpretuar dukuritë e ndryshme letrare, jo vetëm për letërsinë shqipe, por edhe për vepra të letërsisë botërore. Profili i plotë i kritikut letrar të M. Xhaxhiut, shpalohet në shtypin e kohës, sidomos në atë letrar, si në gazetën Drita dhe revistën Nëntori. Megjithatë, si dëshmi e plotë e lëvrimit të kritikës letrare, me shqyrtime studimore, është libri Kritikë e studime letrare, botuar në vitin 1975. Në këtë libër, ndeshim analiza të thella kritike dhe studime të plota për dramën “Toka jonë”, komedinë “Karnavalet e Korçës”. Po kaq, aty rimerret në analizë poema “Milosao e De Radës, poezia e Lasgush Poradecit, si dhe rruga e gjatë letrare e Shollohovit. Prof. Xhaxhiun, në gjithë jetën, e kanë tërhequr edhe aspekte përgjithësuese dhe teorike, të tipareve të poezisë, të satirës dhe humorit, si dhe disa aspekte të marrëdhënies së letërsisë me ideologjinë e kohës, duke përplotësuar dimensionet e niveleve të kontributeve që trashëgojmë. Pjesë e kontributeve tepër të vlerta të M. Xhaxhiut është edhe libri “Fjalori i të folmes së Gjirokastrës”, botuar në vitin 2010, pra kemi të bëjmë me një vepër leksikore, ku janë mbledhur me mijëra fjalë të përdorimit të gjerë, të pranishme në atë zonë. Për vlerat e librit, teksa e ka shqyrtuar, në mes tjerash, filologu Valter Memishaj, nënvizon: Fjalori i profesor Muzafer Xhaxhiut duhet të vlerësohet si regjistrues i këtyre njësive leksikore, edhe pse një pjesë e tyre janë të njohura. Ato vijnë në vepër me izomorfinë gjirokastrite e me vlera të reja semantike. (2010: 12), duke pasuruar tipologjinë e librave të shkruara prej M. Xhaxhiut.
Magjia oratorike e profesorit
Kush ka patur fatin të ketë qenë student i prof. Muzafer Xhaxhiut, sidomos për magjinë e interpretimit të letërsisë antike, greke dhe romake, nuk ka asnjë mundësi që të mos jetë dashuruar me atë letërsi. Kjo falë ndikimi të shumëfishtë të profesorit mjeshtër. Antikiteti i veprave madhore të kësaj epoke, i modelimeve të pazakonta të epikës, dramatikës dhe lirikës, të cilat kur shpjegoheshin, mbase më shumë kur përjetoheshin dhe përcilleshin, me anë të fjalës oratorike të Prof. Xhaxhiut, shpërfaqnin me të gjithë dritën dhe forcën e vetë, vlerat e asaj letërsie. Njohja dhe dashuria që injektonte prof. Xhaxhiu, për letërsinë antike, jo se të tjerët nuk e kanë realizuar atë, por rrethana personale, që lëndën e letërsisë antike e zhvillova me profesor Muzafer Xhaxhiun, tani në distancë kohore, më bëri të kuptoj se kjo lidhje e fortë, organike në nevojën për ta hipotekuar në udhëtimin letrar, lidhet me tre aspekte të rrethanës së shansit për ta mësuar prej profesorit: E para: Kërkesa që me çdo kusht të lexoheshin librat e programuar, madje duke shkuar në libra jashtë detyrimit shkollor, që theksohej qysh në fillim dhe përsëritej vazhdimisht, në javët dhe muajt që zhvillohej si lëndë, gjë që ofron pranë studentëve vlerat e letërsisë antike greko-romake. E dyta: Tekstet mësimore, dispensat e hartuara nga profesori, me kritere shkencore dhe didaktike bashkëkohore, të cilat vazhdimisht pasuroheshin me interpretime dhe argumente të reja, ishin një mundësi e dytë, tepër e rëndësishme për të njohur kohën, autorët dhe veprat kryesore të antikitetit.
E treta: Leksionet dhe seminaret, ora e mësimit, ishte laboratori kryesor që ushqeu vlerësimin dhe admirimin e kësaj letërsie. Falë fjalës së profesorit, shpjegimeve të gjithanshme, të analizës së veprës, të zbërthimit të vlerave artistike të teksteve të letërsisë antike, e sidomos oratorisë së ngjyrosur, me pauza e tonalitete të larmishme, letërsia antike greko-romake, është e gdhendur si imazh, saqë rrallë ke nevojë që të rikthehesh. Ende fanitet në sy fytyra trimërore e Hektorit, pamja mitike e Akileut, misteri i hakmarrjes së Medeas, dhimbja e Andromakës, e sidomos bukuria hyjnore e Beatriçes së Dantes. Kjo falë mjeshtërisë dhe magjisë së fjalës së profesorit.
Ky është një portret i Prof. Muzafer Xhaxhiut, një portret përkujtese, që buron jo vetëm nga respekti për vlerat njerëzore, intelektuale dhe artistike, por sidomos nga dobia që ka letërsia, mendimi për të, për përvojën e tij, e po kaq për vlerat që përçojnë veprat e autorit, tekstet letrare, shkencore apo edhe ato të kritikës letrare.