Gjurmëve të udhëpërshkruesve të vjetër: Nga Prizreni në Kelmend, nepër Valbonë e Shalë. –
Gjurmëve të udhëpërshkruesve të vjetër: Nga Prizreni në Kelmend, nepër Valbonë e Shalë. –
Një grup profesorësh e albanologësh nga Vjena, Grazi, Budapesti, Prishtina, Prizreni e Tetova… Kurt Gostentshnigg, Konrad Clewing, Kristian Csaplar-Degovics, Nuri Bexheti, Izer Maksuti, Shafi Hoxha, Ylber Hysa, Enber Hoxhaj vendosën që të rikthejnë traditën e udhëpërshkruesve të hershëm, sidomos atyre austro-hungarez, për të shkuar gjurmëve të tyre dhe rivizituar gati një shekull më pas vendet e dikur të paprekura shqiptare…
– Nga Ylber Hysa.
Historiani zviceran Gonzague de Reynold e ka definuar gjeografinë si truallin ku historia i lëshon rrënjët e saj. Nga Prizreni në Shkodër duket se është përmbledhur e gjithë ajo që mbështjell historinë me gjeografi—që nga kohërat e paregjistruara e deri në historinë me shumë tregime. Rruga jonë është evokim i kohës: që nga arkeologjia, burimet antike, kronikat mesjetare e deri tek udhëpërshkruesit që e rizbuluan edhe një herë për kontinentin e vjetër atë që, siç thoshte një udhëpërshkrues, e njihnin më pak se sa indianët e Amerikës.
Në fakt, nëse ka diku determinizim të historisë nga gjeografia, e këtu është ai vend.
Nga dy masivet malore që si murr i pakapërcyeshëm determinon hapësirën dhe zhvillimet në këtë pjesë të Ballkanit, janë pikërisht Sharri më i butë por, i lartë dhe i gjatë (80 km) që prek Kosovën, Maqedoninë e Shqipërinë dhe “Bjeshkët e Namuna” (siç e u qanin në Lëpushë të Klemendit), apo Prokletije sllavët, apo së fundmi edhe Alpet Shqiptare që si një ngrehinë qiellore ngritën pezull duke ndërpre si me thikë Adriatikun dhe brendësinë e Ballkanit qendror.
Rrugët, qarkullimi apo komunikimi në këtë hapësirë me relief jomiqësor që konzervon jo vetëm natyrën por, mbase edhe zhvillimet historike, është tejet problematik dhe i vështire. Gryka lumenjsh, qafa malesh, shpjegojnë se sa i vështirë ishte komunikimi i brendësisë me detin, jo vetëm për njerëzit lokalë, malësorët, fiset, popujt, por edhe mbretëritë e perandoritë . Është ndonjë lum si Drini që determinon aksin e komunikimit në mes detit e brendësisë. Ajo që dikur nga romakët ishte ngritur domosdoshmërisht si Via Publica, që nga malësorët veriorë me asimilim tipik për gegnishten redukton fjalët në toponim për vend e krahinë etnografike si Pukë, është një arterie që mban gjallë këtë hapësirë gjeografike. Ajo në fakt ishte një via miltaris. Por, rrallë si ndonjë rrugë tjetër antike ajo nuk mund të shfrytëzohet nga barbarët në dyndje, si gjithkund tjetër në gadishullin Ilirik pas thyerjës së limesit të Danubit. Prandaj, nuk dukët hiq e paqëllimtë kultura e Komanit që zë vend mu në këto male, aty ku tani turistët lundrojnë në liqenin artificial të Komanit që të kenë të kuptosh më bukur logjikën e gjeografisë në histori.
Kultura e Komanit, që lidh antikën me mesjetën, ilirët me arbrit, ende vazhdon të cyt debatet e polemikat, por në fakt ka një të përbashkët të pakontestuar për rolin e këtij vendi—ajo e të qenurit azil natyror për etni, popuj e kultura.
Malet e veriut të ashpër shqiptar dukët të kenë luajtur më shumë se mirë rolin e barkut të popullit shqiptar, duke qenë një lloj frigoriferi i zakoneve, kulturave, perceptimeve dhe mbijetesës që i reziston kohërave, dinamikës, zhvillimeve.
A është Veriu shqiptar një lloj Kaukazi?
Apo Tiroli, apo alpe zvicerane? Nëse Kaukazi është një lloj barku i hershëm i (shumë) popujve, Zvicra e shumë pikëtakimeve etno-kulturore të konservuara, a është hapësira këndej Bjeshkëve të Nemuna azil mbijetues i shqiptarëve?
Via Publica romake duket i lëshoj rrugën një tregtie vetëm me karvanë (apo skele në pjesë të lundrueshme të Drinit e Bunës) gjatë mesjetës. Prizreni e Shkodra këtu janë dy anët e vektorit historik, politik e tregtar dhe pse jo, civilizues.
Kur ngjitesh mbi majën e Sharrit mbi Liqenin e Zi kah Opoja e Dragashi, siç bëmë ne, prej ku vërën qartazi fshatrat e Maqedonisë dhe luginën e Pollogut, dhe kthehesh pas stuhisë rrugës kah Cvileni mbi Vishegrad, ku dikur kishte qenë kështjella ndihmëse bizantine që ka ruajtur kalimin kah lugina e Bistricës për në kalanë e Prizrenit aty ku më vonë gjeti vend mauzoleu i Car Dushanit, dhe kur ngjitesh bi kalanë e Prizrenit rishtas e rinovuar nga dora e sponsorit tonë Shafi Gashi, në mënyrën më drejte e kupton rolin historik që ka pas Prizreni. Determinizmi gjeografik i ka ndarë një rol kalasë së Prizrenit për të qenë në fund të fushës së gjerë pjellore të Dukagjinit, që ishte hambar për shumë mbretëri e perandori dhe hyrjen mu në fillim të pjesës malore- aty ku gërshetohen dy mega- masivet e Ballkanit: Sharri dhe Bjeshkët e Nemuna.
Prizreni është porta në mes të Adriatikut e brendësisë së Ballkanit. Këtë ju bënë me dije edhe ndonjë dru fiqi në oborret e qytetit të vjetër, përkujtues i klimës së Mesdheut që vije deri këtu.
Dhe është mu ky aks (Prizren-Shkodër) që ka ndikuar historikisht zhvillimet civilizuese në rajon, përveç kur rruga e hekurt e gjeopolitikës së shekullit XIX bëri që ferovija Mitrovicë-Selanik të zbeh rolin e një qyteti si Gjakova po Prizreni duke rikthyer Prishtinën si qendër administrative. Gjakova është një qytet që është rimëkëmbur shpejt nga lufta shkatërrimtare e 1999 që vrazhdësinë e saj e derdhi mbi një marker identitar- çarshinë e vjetër që pas shkatërrimit të plotë është rikthyer për ekspeditën tonë sa për të kuptuar rolin që luajti ky qytet në fund të mesjetës dhe fillimit të një periudhe të re nën otomanët dhe ndërlidhjen e saj me prapavijën alpine shqiptare nga Bajram Curri e ne Malësitë e Hasit e deri tek Valbona. Nëse diçka dëshmon në mënyrën më të dukshme kombinimin e bukurisë natyrore, vrazhdësinë, dhe njëkohësisht konservatorizmin, atëherë me siguri këto duhet të jenë dy luginat që rrethohen me amfiteatër natyror deri në qiell tek kurorat malore, siç është Valbona dhe Thethi.
Arkitektura: Kulla e gurtë me kulm të alpin alla Evropa Qendrore
Nëse ka diçka për ta veçuar dhe portretizuar Thethin atëherë këto janë “Kulla e Ngujimit” dhe Kisha Katolike. Që të dyja këto ngrehurina që qojnë krye në Luginën piktoreske të rrethuar nga malet e shkrepat deri në qiell.
Kisha katolike që ka historikun e saj interesant, e ndërtuar me 1897 pas një reforme në perandorinë turke dhe presionit të konsullatave perëndimore, sidomos Austro-Hungarisë, mban dhe shënimin një pllake mermeri se mu aty Atë Shtjefen Gjeqovi mbledhësi i Kanunit, kishte hapur këtu shkollën shqipe më 1917.
Varri më i ri ty i takon një albanologu që aq shumë e deshi këtë vend dhe malsorët: Robert Elsien. Me një kryq të thejsht druri por, të punuar me ornamente të vjetra të kësaj ane, varri i Elsiet thuase solli edhe në kohën tonë vargun e pakëtur të xherdanit të vjetër të albanologëve pionierë, Hahn, Nopsca, Jokl, Edit Durham, Milan Sufflay e sa të tjerë. Shaljanët në maje rruge që lidh Thethin me Bogën e kanë përjetuar “Krajlicën e Maleve” Edith Durham me një përmendore, ndërsa ambasada hungareze baronin Nopcsa. Por, shumicës duket se shqiptarët u kanë mbetur borxh t”ju shpaguajnë kujtimin e paçmueshëm që ju kanë bërë atyre me veprat e shumta. Sipas vjeljes të materialit nga histori orale ad hoc që bëmë aty, Kisha në kohë komunizmi kishte shërbyer si ambulantë. Por, jo edhe Kulla e Ngujimit. Sipas pronarit të saj të tanishëm Koqeku, që mbahet edhe si kustos autodidakt, komunizmi mund ti bënte të gjitha, të rrënonte Kisha e xhamija, por nuk e preku Kullën e Ngujimit duke ditur rëndësinë e simbolikën e saj. Kulla mendohet të jetë 400 vjeçare, e regjistruar edhe në udhëpërshkrimet e Edit Durham dhe të tjerëve. E vuam nën thonjëza termin Kulla e Ngujimit për të vënë në pah vlerësimin e kustosit Koqeku, që thotë se ajo mund të jetë Kullë Ngujimi apo Pajtimi, varësisht se si bie verdikti mbi rastet e gjakut duke mos predikuar vendimin. Jo të gjithë rastet falen, apo zgjedhën, thekson ai logjikën gjyqësore që vlen përgjithësisht. Por, ajo që dukët se po rrezikohet dhe nuk mirëmbahet dhe që është perlë karakteristike e arkitekturës së kësaj hapësire është kulla. Por, në këtë pjesë të veriut, përfshi Valbonën dhe Kelmendin, kjo është një kullë që i përshtatet ambientit të vrazhdët alpin, me një kulm të thyer më të thellë, siç mund të shihet edhe në pjesën e Europës Qendrore, por edhe gjetiu në Ballkan, Mal te Zi, Rozhaj, Plavë e Guci apo Bihor. Është ky një kulm i thyer i punuar bukur me rrasa druri që përthekohen njëra në tjetrën, që hasën edhe në Zvicër. Kulmi vije mbi kullën që gjithmonë është ndërtuar nga guri vendor.
Janë disa sosh të braktisura midis malit nëpër qafën që lidh Valbonën me Theth. Në Theth është rindërtuar me shije si hotele bujtinë Kulla e Gjelajve nga viti 1926, që sot i mirëpret mysafirët me ushqim e dizajn të shkëlqyer. Por, fatkeqësisht, kullat që kanë nisur të rindërtohen nga fluksi shumë në rritje i turistëve malorë evropian, ka nisur të adaptoj elemente jokarakteristike ndërtimi, sikurse kulmi i llamarintë apo ndërtime tjer nga kasolle druri moderne. Ajo që vlen të theksohet në veçanti është Kulla e Rexhepagiqëve në Plavë, të cilën na hapi me mirësi trashëgimtari i saj Shuqo Rexhepagiq. Kulla është një margaritar i llojit të vet që mësohet në disa fakultete arkitekture në rajon dhe gjetiu. Për të është shkruar aq shumë, sa që nuk ka nevojë të shtojmë ndonjë gjë këtu. Ajo që vlen të përmendët është koleksioni privat i kësaj familjeje, një si muze familjar i mbledhur me gjenerata që përmban artefakte nga më të ndryshmet. Ndër to edhe fotoja e vjetër e gjyshit të Shuqos, begut të Rexehpagiqëvë me tirqi dhe plis.
Kanuni – ligji i pashkruar i maleve
Kjo vetvetiu hap edhe çështjen ikonike që lidh malësinë e Madhe dhe gjithandej me të drejtën zakonore të këtij vendi- Kanunin e Lekë Dukagjinit, që tradita e ndërlidh e Lekën III Dukagjinin (1459-1479). Autodidakti Koqeku vënë në pah edhe shtrembërimet që ju kanë bërë kanunit. Sipas tij në momentin kur ka hy në përdorim çështja e parasë, nuk ka mbetur më Kanun. Parja dhe kanuni- nuk shkojnë bashke, thotë ai. Ai pretendon se njerëz të ndryshëm, përshi edhe Kadarenë e kanë literarizuar kanunin (Prilli thyer) duke i vënë kuptime që nuk qëndrojnë sikurse nishani në këmishë i gjakmarrësit apo plumbi i pajës për nuset e porsamartuara. Gruaja nuk vritet sipas Kanunit, përveç rasteve përjashtuese që kanë të bëjnë me moral. Kanuni nuk është tërësisht i përmbledhur dhe siq thotë Shtjefën Gjeqovi “mund ti mbledha vetëm ca grimca’, thotë bashkëbiseduesi ynë. i cili pretendon se Kanuni në 5000 faqe ruhet në Vatikan. Inkurajuese për të mësuar që nuk ka hakmarrje më në Theth e Shalë. Ndonëse, ka raste të izoluara në Kelmend e gjetiu. Kisha historikisht ka luajtur rol në pajtim të gjaqeve, thekson ai.
Origjina: fise terciare apo nga kryehera
Bashkëbiseduesi ynë pretendon se Shala, Shoshi e Mirëdita orgjinojnë nga 3 vëllezër dhe ata nuk martohen ndër veti, sipas logjikës ekzogamike gjithandej tek shqiptarët e veriut. Prejardhjen duhet ta kenë diku nga Gjakova dhe në shekullin XV (1419 apo 1439) kanë ardhur në këto hapësira. Me rastin e ndarjes së pasurisë së përbashkët, vëllait të madh i është dhënë Shala, tjetrit shosha, ndërsa më të voglit në një variant asgjë dhe ai është larguar me përshëndetjen”hajt pra mirëdita”, ose me variantin tjetër i është dhënë më shumë tokë dhe i ka uruar me përshëndetjen “mirëdita”. Gjurmën e parë të antroponimit Mirëdita i gjejmë më 1416, Jon Mirdit, Petro Mirdit në fshatin Mensabardi poshtë Shkodrës. Nga bashkëbiseduesi për traditë mbahet që edhe një përqindje e Vlorës dhe Himarës janë nga kjo pjesë e Malësisë, që vihet në pah edhe nga mbiemrat tipik kompozit sikurse Gjoleka etj. Sipas legjendës, para Shalës në Theth e këto hapësira kanë qenë Kelmendi, e para tyre Ostët një fshat aty afër me të clët me të ardhur Shaljanët kanë refuzuar që të martohen “për të mos u prish racën”, sepse ishin të vegjël dhe të zinj! Nopca thirrët në legjendën që shaljanët për 100 vitë kishin jetuar nëpër sh pella për të qenë të izoluar dhe për të ruajtur fenë e identitetin. Shala shtrihet në amfiteatrin që mbulon luginën e Thethit, në Pecaj, Gimaj, Ndërlysaj, Karpe etj, deri kah Boga ku fillon Kelmendi dhe kah Qafa e Pejës e në drejtim të Valbonës.
Por, gjithë ata këdo të pyesësh së pari identifikohen me Dukagjin, në bazë të Lekë Dukagjinit. Pronari i Kullës së Ngujimit nuk harron të përmend titullin princor “duka” që mban rajoni i shumëpërmendur. Në fakt, i pari që e solli eponimin “duka” ishte Gjin Tanushi (1281 Ginium Tanuschum Albanensem). Për Dukagjin mbahet, sipas disa bashkëbiseduesve vendor, i tërë ky rajon e deri tek Rrafshi Dukagjinit ku vlen Kanuni. Gojëdhana e mbijetuar thuash hap dilemën e vjetër të krijimit të fiseve shqiptare veriore. A janë ata të pozicionuar në një arhe-djep fisi-hapësirë si bazë e përhershme e fisit apo janë këto krijesat e reja terciare të fiseve arbërore pas ardhjes së turqve që u izoluan duke kërkuar hapësirë të lirë jetese? Ashtu siç e kishte ngritur me mjeshtri këtë tezë Milan Shuflay, i cili pretendonte se fiset ndër shqiptarë kanë kaluar nëpër 3 etapa historike (ilirët para Romës, periudha e hershme mesjetare dhe periudha pas ardhjës së otomanëve. Kelmendi si një fis shumë i përmendur në burimet historike, pretendohet të ketë marrë emrin nga kështjella buzë Shkodrës, Klementina, ndonëse autorë të ndryshëm kanë sjell hipoteza të ndryshme të origjinës, sikurse emiri i shenjtorit Klementi, apo i themeltarit mitik të fisit, Kelmaçi, sipas gojëdhënës, i cili duke qenë bari ishte martuar (në mënyrë problematike) me një vjazë nga fisi Kuq, me të cilën kishte ikur në trojet e fisit të sotëm ku me bijtë Kelin, Vulin, Nilin etj. kishte krijuar njërin nga fiset më luftarake. Fshati Rogami i Kemendit përmendet më 1452 ose më 1463, villa de Rogomania. Klemendi nuk përmendet në Sanxhaun e Shkodrës që do të thotë se ai nuk i paguante haraq otomanëve së paku deri më 1664. Bolica në kronikën e tij më 1614 përmend se kelmendasit e kishin plaçkitur e shkatërruar rregullisht Plavën e Gucinë e cila gjendej nën sundimin otoman sa që ata u detyruan të marrin masa kundër tyre. Ishte kjo mu në kohën kur Kelmendasit marrin pjesë në Kuvendine Maleve në Kuq kur lidhet aleanca e fiseve malësore nën patronazhin e Mbretersisë spanjolle dhe papatit për të luftuar otomanët. Kelmendi zë vend ndër shumë burime në përballjet e kryengritjet e parreshtra me turq dhe në luftërat austro-turke që sjellin edhe migrimet e tyre të shumta, qoftë në Pesheter apo edhe në Vojvodinë, në Nikinci e Hërtkovci më 1740. Themeluesi i dinastisë më të njohur mbretërore modern serbe Karaxhorgjeviq, pretendohet të jetë nga këta kelmendas që u dyndën në Serbi pas luftërave austro-turke të shekullit XVII. Kelmendasit janë një nga fiset më kryengritëse të kohës. Ishin përballur me venedikas, serbë e malazezë, turq, por dukët vetëm komunizmi i kishte shtrirë. Prenk Cali dhe shumë si ai tani janë gjithkund pranë rrugës së re të shtruar qe dy vite në Kelmend dhe janë të përjetësuar në përkujtime mermerësh. Rruga e re që e lidh Shkodrën me Vermoshin problematik në caktimin e kufinjëve të Shqipërisë që i kishte mbrojtur Prenk Cali na afron gadi te kulla e tij e shembur dhe djegur që pritet të rindërtohët. Kisha e Vërmoshit në ëlter ka shqiponjën dhe fotot e martirëve që ranë “për fe e atdhe”. Rruga e asfaltuar është një lajm i mirë për rajonin që shpreson të tërheq turistët e vizitorët si ne. Nuk dimë a është bërë rruga për si ne apo për hidrocentralin që ka filluar të pijë ujin e ftohtë të lumit Cem që përshkon Kelmendin? Por, ja që vizitorët prapë ja mësyjnë disi.
Kostume e frizura: plisi me maje si mosnënshtrim, shalli i bardhë emblematik i Klemendit dhe perqja arkaike
Gojëdhana e hasur gjithandej në Shalë por edhe në Kelmend mban që plisi konik me maje që është karakteristik për Malësi (Dukagjin) deri në Kosovë në rrafsh të Dukagjinit simbolizon panënshtrushmërinë! Duke e demonstruar bashkëbiseduesit tonë e heqin plisin dhe duke bërë katror tregojnë dallimin me tjerët. Ajo që ka plisin me maje të qartë është e vetëqeverisur, plisi pa maje, jo! Malësia ka qenë e sunduar por, jo e qeverisur- theksojnë ata duke dashur të vënë në pah vetëqeverisjen tradicionale gjatë gjitha kohërave dhe pushtimeve në histori. Është interesante të behët një vlerësim më profesional rreth veshjes që me bukurinë e saj ka tërhequr vëmendjen e gjithë të huajve, udhëpërshkruesve dhe diplomatëve të kohës që u ndeshën me të. Në shikim të parë e njëjtë- tirqit e bardhë me gajtanë, jelek, gjerdan, xhurdi, gëzof, xhubleta etj. Në fakt, siç e thekon edhe baron Nopca secila i ka detajet e veta dhe vetëm vendorët dinë ti kapin e bëjnë dallimet se kush nga cili rajon çfarë veshje karakteristike dalluese mbanë. Elemente të veshjes në përditshmëri mund të vërehen aty këtu tek gratë e moshuara edhe tani. Sidomos tek mënyra e prerjes dhe mbajtjes së flokëve me gërsheta para dhe të mbështjella lehtë me një shami sipër flokëve. Edhe në kohët otomane, gjithë të huajt e regjistrojnë që askund nuk ka pasur gra të mbuluara në Malësi, madje as te myslimanët. Më insistuesit në mbajtjen e traditës, siç na shpjegon dhe bashkëbiseduesi ynë nga Komani, kanë qenë mirditoret. Ato edhe në kohën e komunizmit e të kooperativave kur nuk i kanë hequr veshjet e tyre karakteristike kombëtare. U përmend që aty këtu tek gratë kanë mbijetuar më tepër edhe sot format karakteristike të veshjes dhe mbajtjes së flokëve, që varësisht nga mosha mbahen edhe sot dhe dallojnë. Një bashkëbisedues të tillë e pamë në Gjelaj të Thethit por, edhe tek zoja plakë e shtëpisë në Lepushë, në Kelmend apo në Vërmosh kur, një grua e hipur mbi stog sane, po i ndihmonte burrit në moshë të shtyer me flokë karakteristikë. Ajo që dikur njihej si karakteristike për frizurën e meshkujve, perqi dhe buquku nuk ekziston askund më në Malësi, e që shënohet deri vonë në shekullin XIX e në fillim të shekullit ët XX nga udhëpërshkrues të ndryshëm. Muzaka në gjenealogjinë e tij të famshme përshkruante se si fisnikëria arbërore i mbante flokët e gjata deri në supe, të lakuar në një bistek të lëvizshëm. Nga kjo kishte marrë titullin latin Chiscetisi, një paraardhësi i tij më 1319, Theodori I. Zakoni i tillë kishte mbijetuar te Kelmendasit e migruar në Srem deri më 1860 ne fshatin Nikinci. Pretendohet që edhe dinastia mbretërore e re serbe e Karagjorgjeviqëve të famshëm me këtë origjinë, ishte e regjistruar të këtë mbajtur mu kështu flokët dikur! Ajo dikur si modë ishte përqafuar edhe nga fisi malazias Markovichi afër Ulqinit (portano capilli longissimi më 1570). Mendohet që ky ishte një zakon i vjetër mesjetar apo i më i hershëm, karaktersitikë për gjithë shqiptarët deri në Kosovë e Rekë të Maqedonisë por, edhe në disa pjesë të Ballkanit, sikurse në Hercegovinë, ku ndërlidhet edhe figura bujare mesjetare Stefan Kosaqa. Ajo që vlen të veçohet është edhe shamia, shalli kelmendas i bardhë që në mënyrë emblematike e mbështjell plisin duke i dhënë atij një pamje luftarake hijerëndë me fuqi miti, që mbahet gjithandej deri në Rugovë.
Ushqimi: fondue malësorqe
Nopcsa si me shaka duke dashur të thej steroptipin evropian mbi shqiptarët e veriut si të rrezikshëm thotë se nëse qëndroni me ta rrezikun më të madh mund ta keni nga ushqimi, i cili përgaditët në mënyrë bazike e pa shie. Por, shton Nopca, në mënyrën se si ju serviret me zemër e bujari ju bënë që të harroni gjithë të tjerat. Në fakt ushqimi i malësoreve të veriut është tipik ushqim “highlander cusine” i malësorëve ku do që janë. Është përzierje e pak ingridentëve që me shumë kalori duhet të ju përmbushin në kushte të rënda. Maza e shkrirë që servohët gjithandejj në Shalë e Kelmend, njihet edhe në Malësinë e Tuzit ndër shqiptarë në Mal të zi apo Rugovë të Kosovës, siq njihet dhe tek malazezët me variacione të saja. Është një lloj foundue që e hasni tek malsorët zvicranë. Esenca është bulmeti, maza, djathi i yndyrshëm i përzier me lloj kaqamaku (polenta) që mbahet për ushqim të fortë, sikurse për kositësit e livadheve.
Ka mbijetuar aq përshkueshëm edhe ajo që quhet “ngjyeme speci” në Valbonë e gjetiu. Kosi i kulluar është një ingrientë tjetër tipik, i shoqëruar me djath të bardhë. Por, edhe pjekje qinxhi gjedhi apo derri, i cili gjysmë i konservuar mbahet i kryposur dhe i terrur në ajër gjatë dimrit. Në Kelmend përveç kësaj e maze më bollëk, do të ju servirin edhe “mishavinë”, që është një lloj djathi i imtësuari i përpunuar nga yndyra. Por, edhe petulla e reçelra të ndryshëm për mëngjes. Gjithkund ushqimi shoqërohet me raki, nga rrushi (që sillet e përurohet nga vende më të ngrohta), në Kelmend më shumë nga kumbulla por, edhe nga thana që është me të vërtetë pije speciale. Rakia gjithnjë i ka paraprirë ushqimit kryesor në formë mezeje, e thonë dhe udhëpërshkruesit e shekujve të kaluar. Gjithmonë është ngritur dolli, varësisht nga rajoni. Diku gota e parë për shëndet të shtëpisë e mysafirëve është gjuajtur në zjarr, si simbol votre.
Këngët: Çifteli e lahutë
Gjithnjë e më thellë në Malësi, bashkëjetojnë çiftelia me lahutën. Këngët më të vjetra që për ne i ekzekutuan me dashuri grupi i këngëtarëve të njohur nga Hasi, i takojnë kohës së nizamëve. Klemendi i ka ruajtur deri në Rugovë ciklin e Mujës e Hailit. Na thanë se tashmë janë disa lahutarë të rinj në Selce dhe Nikqi që vazhdojnë traditën lahutare. Por, lahutën e njeh edhe Shala. Të kënduarit pa instrumente me siguri është diçka shumë arkaike. Një si gjysëmpolifoni që tingëllon malit, sikurse kënga e përleshjeve historike shqiptaro-sllave për kullosa:
Prel Gjeloshi,
Njesh alltinë,
Mos na druej shkjaut (Kuqit)
noj grimë!
Etnografi e zakone të veçanta: xhubleta, Miss Kelmendi, dhe Olimpiada malësorë mesjetare
Thethi mban për festë të vetën Shnjonin. Shën Gjoni mbahet si festë familjare. Me këtë rast tentohet që të mbledhin familjarët kudo që janë dhe miq e dashamirë. Pjesë të ndryshme festojnë edhe festa tjera dhe i ndajnë në ato që festohen me dhe pa mish. Fiset e ndryshme kanë festat e tyre që i karakterizojnë. Ato festohen në mënyra të ndryshme. Gjithnjë ka qenë karakteristike për fiset në veri që kanë pasur patron saint, shenjtorët mbrojtës, qoftë të fisit apo të familjes, që janë një përzierje interesante e traditës ortodokse tek katolikët. Fiset e ndryshme mblidhen në datat e caktuara, si disa prej tyre që festojnë në Zojën e Grudës në Mal të Zi, afër liqenit të Shkodrës. Shala nuk ka një festë të tillë për gjithë fisin. Por, e ka Kelmendi. Në logun e Pridolecit behët njëra nga festat më karakteristike dhe më të bukura të gjithë Malësisë. Është një lloj përzgjedhje e misit e kryeherës në forma arkaike. Nuset që martohen atë vit rreshtohen para jurisë në përbërje të njerëzve me autoritet në përbërje tek, që gjedhin më të bukurën e Kelmendit. Me këtë rast bëhen festa popullore, si lloj olimpiade malësore, që njihen gjithandej tek shqiptarët e veriut dhe Kosovës. Bëhen gara kuajsh, gara në vrapim, gara në gurapeshë, në kërcim- ne dy mënyra, me një hap dhe me tre, pastaj në mundje (ala pehlivan), etj. Festa ka mbijetuar edhe pas komunizmit dhe ruhet edhe sot me primesa të modernitetit.
Blegtorë e barinjë historik: katun, stane, kanun, besë, kumbarë e “pobratimë” e burrnesha
Shumicën e fshatrave që i vizituam i kanë kthyer gjatë sezonit vetëm turistët dhe vizitorët si ne. Dikur fshatra të izoluar por, me popullatë vitale, sot fshatrat si Thethi kanë vetëm 17 familje që dimërojnë apo jetojnë gjithë vitin në fshat. Kudo që lëvizim, nëpër bujtina apo kafene, na thonë që janë nga këtu por jetojnë gjetiu si ën Shkodër apo Lezhë dhe vijnë këtu vetëm për shkak të turistëve. Dikur kopetë e bagëtive të trash e të imta ishin gjëja më normale në këto hapësira. Sot duket ka shumë pak sosh. Dikur malësori, madje edhe etnonimi arbër apo shqiptar për dike simbolizonte bariun. Tradita e verimit dhe dimërimit, të staneve dhe gjysëm nomadizmit hasej deri vonë (trans-humanca). Nopcsa i kishte parë baritë nga Rugova në afërsi të Durrëstë me bagëti (1908). Të jetuarit gjysëmnomadik shihet karakteristik jo vetëm për malësorët shqiptarë por, edhe vllehët kudo në Ballkan, por edhe në Dalamcinë jugore, në një pjesë të Hercegovinës, Greqisë kontinetale, etj. Këtu katuni, stani, tbani janë një pjesë e realitetit të dikurshëm të riciklimit të konstantës biologjike që nga mbamendja (ngjashëm si tek vllahët e malazezët). Me këto shkojnë edhe zakonet si gjakmarrja, besa, kumbaria, nunëria apo “pobratimi” që shënohet tek vllehët e Thesalisë që në shekullin e XI, ndërsa ekziston edhe tek malazezët. Ajo që i shquante malësorët shqiptarë ishte edhe mënyra e veçantë e mbathjes së kuajve në mënyrë speciale (all modo ferrare albansese) që i kishte dalë zëri edhe në Itali ku po kërkoheshin si zanatlinj nga napolitanët.
Aq më tepër, gjatës mesjetës, për shkak të kësaj gjeografie të rëndë, tregtia mbahej me karvanë me kuaj, e sidomos mushka e gomarë. Shqiptarët, por sidomos vllahët njiheshin kudo ndër male Ballkani si udhëheqës karvanësh të tilla, duke njohur terrenin. Ky trafik tregtar ishte domethënës dhe i vetëm për kohën. Mbushur plot me rraqe e valixhe turistësh një kalë jo trupmadh por, i shkathtë për të kaluar një rrugë paimagjinueshme të vështirë si ajo në mes të Valbonës e Thethit, dukët se e nervozon grahësin e saj nga Thethi që si një lloj taxi i kryeherës fiton duke mbartur çantat e turistëve alpinistë. Pas shumë përpjekjesh për ta joshur kalin që don të pushoj dhe nuk e dëgjon të zotin, ai e therët kumbueshëm, o balosh!Por, etnografia mbase nuk përmbyllët pa u përmendur fenomeni i virgjëreshave apo burrneshave, që ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të etnografëve, por ka rrëmbyer edhe imagjinatën e letrarëve shqiptarët (Rexhai Surroi, Besniku) e të huaj (Emmanuelle Favier, Le courage qu’il faut aux rivieres, Kurajë që u duhet lumenjve; Alis Munro, ekete te hapura, tregimi “Virgjëresha shqiptare, Equinox, 2007 ). Një femër që për arsyeje të ndryshme vendos që të kaloj jetën dhe sillet e pranohët si burrë, është si një figurë e mbijetuar mitike e ardhur nga thellësitë e kohës, që ende jeton.
Gjaku violente ilir apo fëmijët e parritur të Evropës?
Gjaku violent ilir e ka quajtur Sufflay temperamentin gjaknxehtë që është trashëguar edhe tek shqiptarët, sidomos malësorët mesjetar. Më 1383 përshkruhet belaja që zuri dy tregtarë dubrovnikas me rojtarët vendor shqiptar të grurit në limanin e Shën Shirgjit. Loquebantur insimul in lingua Albannesi et non intellegebam ipsos– pas një zënkë të shurtër në gjuhën shqipe zanatçiu i lëkurës Gjura kishte përgjakur priftin Domenik nga Pult, ndërsa në të njejtin vit njëfarë Karli nga Durrësi, një rregulltar së bashku me një mikun e tij kishin dashur që më shigjeta të ndezura të kallnin manastirin Minoritan të Dubrovnikut.Po ashtu, është karakteristikë vlerësimi i këshillit të qytetit të Jakintës në Ankonë mbi arbërit e parë të emigruar më 1458, Quoniam Albnene viri sanguine sunt et malignantis nature omnes, a qulubus tamquam a furiori gladis aufugendum est. I njëjti vlerësim behët edhe në disa qytete tjera të Italisë që kanë të bëjnë me karakterin gjaknxehtë shqiptarë. Nopca ndoshta e bënë vlerësimin më ilustrativ mbi shqiptarët duke i quajtur fëmijët e parritur të Evropës. Lehtë nxehën, por nëse të besojnë do jenë me ty në çdo situatë e rrezik, thekson ai. Nopcsa me të madhe mundohet të thej paragjykimin europian të kohës mbi kaosin e rrezikshmërinë e të qenurit në Shqipërinë Veriore duke sjellë shembuj konkret qe bëjnë paralele në mës të kuptueshmërisë së nderit e moralit atje dhe në Europë. Po kështu bënë edhe Edith Durham, që thekson nderin si super karakteristikë e shqiptarëve e malësorëve. Ka qenë vetëm një rast fatkeq me një çift turistësh çek në alpet shqiptare. Por, ne duke kaluar në thellësitë më të madha malore nga Valbona në Theth e gjetiu kemi hasur me qindra turistë evropianë, madje edhe tinejxherë skandinave që vet shëtisin thellë maleve të egra shqiptare në liri e siguri të plotë. Thuaje e dinë mirë kuptimin e besës së këtyre maleve.
Identitet rrëshqitëse: arbërorët, romanët, sllavët, katolikët, ortodoksët, myslimanët…
Nga Vermoshi tutje në Gusi e Plavë natyra merr një transformim. Është po ajo pjesë e mahnitshme e Bjeshkëve të Nemuna që shihen aq lart sa të dhemb qafa, por që ka shumë gjelbërim dhe plot ujë– lumenj si Luqa e Limi që bashkohen në liqenin fantastik glacial të Plavës. Hale Gjonbalaj e kthyer nga Gjermania në kullën e gjyshit të saj ka hapur restorantin mu përballë krojeve të Ali Pashës dhe me kokëfortësi e mban pa marrë parasysh numrin e turistëve. Vera është plot bashkatdhetarë që kthehen shumica nga Amerika, por edhe Kosova. Me shtëpi shumëkatëshe që hapen ndoshta një a dy muaj në vit, me flamuj kuq e zi, vetura glomaze me tabela amerikane e muzikë shqipe thuajse u përkujtojnë tjerëve po më shumë vetës se ende janë aty. Shumica e Plavës e Gucisë janë tani boshnjakë myslimanë. Ka edhe shqiptarë, edhe pse gjithnjë më pak, myslimanë dhe katolikë një pjesë, dhe ca malazezë. Plava është përplot vendorë që kthehen gjatë sezonit por, edhe turistë e peshkatarë që ia mësyjnë liqenit që falë përkujdeset strikt ekologjik sivjet mbajnë garën botërore të peshkimit. Miqtë tanë janë shumë mikpritës. Na hapin dyert e objektit madhështor kullës së Rexhepagiqëve por, edhe të xhamisë karakteristike të tyre me elemente ornamentike druri me shumë elegancë. Njëra nga sponsorët e kësaj xhamie interesante është vajza e Bushtlinjëve të njohur të Shkodrës. Nga ky vend identiteti është rrëshqitës, ka një pikëtakim si në histori, në mes të shqiptarëve dhe sllavëve, dikur ndoshta edhe vllehve apo popullatës romane, në mes të ortodoksisë e katolicizmit dhe myslimanizmit. Këtu thuajse fillon e vazhdon mali, thuajse fillon e mbaron historia. E maleve…
Mapo.al/