Gjykata e Arbitrazhit rrëzon kërkesën e shtetit shqiptar, vendos gjykimin në themel për dëmshpërblim 40 mln euro për koncesionin e Portit të Durrësit
27 Shkurt 2024
Gjykata e Arbitrazhit në Uashington ka rrëzuar kërkesën e palës shqiptarë për mos shqyrtimin në themel të kontratës koncesionare për Terminalin Lindor në Portin e Durrësit.
Çështja në Gjykatën Ndërkombëtare për kontratën koncesionare për përpunimin e mallrave rifuxho me anije në Durrës u depozitua në Prill 2023 nga kompania gjermane EMS APO. Kompania përpunuese e anijet të mallrave rifuxho në Terminalin Lindor për trajtim të pabarabartë dhe diskriminues të kontratës ka kërkuar 40 milion euro dëmshpërblim.
Seanca e parë në Uashington u zhvillua më 18 shtator 2023. Më tej sakaq shteti shqiptar apo pala përgjegjëse ka paraqitur më 19 janar 2024 një kërkesë për të adresuar kundërshtimet ndaj juridiksionit si një pyetje paraprake në përputhje me Nenin 41(2) të Konventës së ICSID dhe Rregullin 44 të Arbitrazhit të ICSID. Pra nga ana e shtetit shqiptar është kërkuar mos juridiksioni i çështjes. Nëse kjo kërkesë do të pranohej nga ICSID, çështja do të pushohej.
Por Gjykata nuk pranon kërkesën paraprake të shtetit për mungese juridiksioni dhe vendos gjykimin në themel për kontratën e koncesionit.
“Tribunali nxjerr Urdhrin Procedural Nr. 3 në lidhje me kërkesën e palës përgjegjëse për të adresuar kundërshtimet ndaj juridiksionit si një pyetje paraprake; si rrjedhojë, kundërshtimet ndaj juridiksionit bashkohen me themelin e mosmarrëveshjes”, citohet në vendimin e ICSID më 24 Shkurt 2024. https://icsid.worldbank.org/cases/case-database/case-detail?CaseNo=ARB/23/9
Kontrata koncensionare mes shtetit shqiptar dhe kompanisë gjermane EMS-Fehn-Group (d.m.th. EMS Shipping & Trading GmbH) u lidh në Maj të vitit 2013. Në kontratë përcaktohet se afati i zbatimit shtrihet për periudhë 35-vjeçare nga viti 2013 deri në vitin 2048. EMS-Fehn-Group themeloi Operatorin Portual Shqiptar EMS Shpk. (EMS APO) si njësi operacionale në Durrës. Kontrata i jep EMS-Fehn-Group/EMS APO të drejtën për të përpunuar ngarkesat rifuxho, ngarkesat e përgjithshme dhe ngarkesat projektesh në Terminalin Lindor.
Konflikti mesa palëve nisi, siç kanë pohuar më herët edhe drejtuesit e kompanisë për Monitor më 2020, kur institucionet shqiptare penguan qëllimisht aktivitetin e tyre pas dhënies së trajtimit preferencial për operatorin privat në Porto Romano, për të vijuar më pas zënien e hapësirës së portit të Durrësit për zhvillimin e projektit të “Durrës Yahts Marina”.
Ndërsa projekti i Durrës Yacht & Marina që përkon me zhvillimin e një porti jahtesh, ngritjen e 13 mijë apartamenteve dhe hoteleve do të zhvillohet në truallin e portit aktual të Durrësit, përfshirë zënien e 90% të truallit mbi të cilin operon kompania koncesionare. Për drejtuesit e kompanisë marrëveshja për “Durrës Yachts Marina” bie në kundërshtim pasi ka mbivendosje me kontratën koncesionare të EMS-Fehn-Group.
Korrikun e vitit të kaluar Autoriteti Portual Durrës nisi ndërhyrjet për largimin e kompanisë gjermane në kundërshtim me kontratën koncesionare sipas drejtuesve të saj. Shkak i ndërhyrjes ishte për t’i hapur rrugë zhvillimit të projektit të Durrës Yahts Marina, për fazën e parë të ndërtimit të godinave me apartamente.
Në atë kohë drejtues të kompanisë koncesionare EMS APO përveçse ngritën shqetësimin për shkelje të ligjit pohuan se po dëmtohen edhe nga rënia e lartë e fluksit të anijeve për përpunim, nga pasiguritë në lidhje me të ardhmen e EMS APO për shkak të shndërrimit të portit të Durrësit në një port argëtimi./Monitor
Nga Gazeta Panorama