Gjykata Kushtetuese nuk kalon për shqyrtim kërkesën për pezullimin e Skënder Gjinushit. Zhupa: – Do e dërgojmë sërish. – Është zgjedhur në kundërshtim me ligjin
6 Prill 2023
Gjykata Kushtetuese nuk ka kaluar për shqyrtim kërkesën e 28 deputetëve të opozitës për anti kushtetuetshmërinë e drejtimit të Akademisë së Shkencave nga Skënder Gjinushi.
Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa thotë se do i drejtohen Kushtetueses me një një kërkesë të re Gjykatës Kushtetuese për verifikimin e zgjedhjes së Skënder Gjinushit duke marrë parasysh sugjerimet e gjykatës.
Zhupa thekson se ngërçi për zgjidhjen e kësaj çështje ka sjellë që Akademia e Shkencave të drejtohet nga një person që është vendosur aty në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.
“Nuk duhet të harrojmë që e gjitha kjo ndodhte në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk ishte funksionale, dhe Presidenti i Republikës u sulmua përmes tre proceseve hetimore parlamentare për shkarkimin e tij”, thuhet në deklaratën e Zhupës.
Deklarata e plotë:
Gjykata Kushtetuese ka vendosur mos ta kalojë për shqyrtim kërkesën tonë, të 28 deputetëve të opozitës, për anti-kushtetueshmërinë e drejtimit të Akademisë së Shkencave, duke ngritur arsye proceduriale! Pra, nuk kemi një vendim përfundimtar mbi themelin kësaj çështje që ishte objekt kërkimi.
Ne, deputetët e Kuvendit, do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do t’i drejtohemi sërish asaj përmes një kërkese të re, mbi papajtueshmërinë e ushtrimit të funksionit të Kryetarit të Akademisë së Shkencave si organ i përmendur nga Kushtetuta, si dhe verifikimin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë, duke marrë parasysh sugjerimet e gjykatës.
Moszgjidhja e kësaj çështje, ka sjellë si pasojë që, Akademia e Shkencave, të drejtohet nga një person që është vendosur aty në kundërshtim me kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit, pa një akt emërimi të nxjerrë nga organi kompetent që parashikon kushtetuta, duke bërë të mundur që ky mandat antikushtetues të ushtrohet për gati 4-vite të tërë.
Nëse në krye të institucioneve të përmendura nga Kushtetuta, vendosen njerëz, pa një proces kushtetues dhe pa një akt emërimi të organit kompetent, dhe kjo situatë absurde është bërë e mundur nga ndërhyrja favorizuese legjislative e Kuvendit në proces, atëherë jemi përpara pengimit të ushtrimit të kompetencave dhe zbehje të rolit dhe të statusit që Kushtetuta i ka dhënë organit të emërtesës (Presidentit të Republikës).
Nuk duhet të harrojmë që e gjitha kjo ndodhte në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk ishte funksionale, dhe Presidenti i Republikës u sulmua përmes tre proceseve hetimore parlamentare për shkarkimin e tij.
Pikërisht, kjo ka ndodhur në rastin konkret, ku ndërhyrja e Kuvendit përmes një ligji special me efekt prapaveprues, dhe mbështetja politike, de-facto solli si pasojë që Akademia e Shkencave prej vitit 2019 – e deri më sot, të drejtohet nga një Kryetar, por pa një akt emërimi të nxjerrë sipas Kushtetutës.
Nëse në krye institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta, siç është Akademia e Shkencave, Kuvendi do ti vendoste vet emërimet me ligje speciale dhe me efekte prapavepruese, atëherë parimi i shtetit të së drejtës ka rënë, dhe interesi publik do të cenohej shumë rëndë.
Nëse interesi publik cenohet, atëherë jo vetëm 1/5 e deputetëve, por të gjitha institucionet publike – subjekte të pakushtëzura sipas kushtetutës, mund të paraqesin kërkesë përpara Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e konfliktit, dhe rivendosjen e kushtetushmërisë, pa qenë nevoja që të jenë subjekt në konflikt apo të cenuar drejtpërdrejt nga një veprim antikushtetues.
Kjo është fryma e kushtetutës sonë, sepse çdo deputet i Kuvendit, dhe aq më tepër një e pesta e anëtarëve të tij, si përfaqësues legjitim të popullit dhe mbrojtës të interesave të tij, konsiderohet drejtpërdrejtë i përfshirë dhe subjekt i cenuar nga një vendimmarrje antikushtetuese, siç është bërja fakt, me ligj special, i një emërimi antikushtetues, dhe pa dekret, të Kryetarit aktual të Akademisë së Shkencave, që prej vitit 2019.
Prandaj, do të ishte e udhës, që zgjidhja përfundimtare e kësaj çështje, të mos vononte, sepse është në kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, si kontrolli kushtetues, ashtu dhe intepretimi përfundimtar i Kushtetutës, duke mbartur mbi vete detyrimin për të përcaktuar një herë e mirë standardet kushtetuese mbi të cilat duhet të mbështetet veprimtaria e organeve më të larta të shtetit, për të mos ndërhyrë në kompetencat apo në proceset vendimarrëse të organeve të tjera kushtetuese, përmes ligjeve, me efekte paravepruese.
Çdo jurist me diplomë bachelor, e ka të qartë që kompetencën që ta jep Kushtetuta, nuk ta heq dot dhe as ta kufizon dot një ligj special me efekt prapveprues. Është detyrim i deputetëve opozitarë të bëjnë çdo gjë për të frenuar këto situata ku shumica përdor forcën e kartonit për uzurpimin e çdo instituconi të pavarur, përfshi këtu dhe ato akademike e arsimore.
Nëse për çdo çështje me rëndësi për interesin publik dhe për jetën shoqërore në vend, Gjykata Kushtetuese, nuk arrin të marrë një vendim përfundimtar, atëherë çështja ngelet pa zgjidhje dhe fenomene të kësaj natyre mund të rishfaqen sërish, ç’ka përpos të tjerave, do ta bënte Gjykatën të dukej si një organ që jep vetëm opinione këshillimore dhe jo vendimmarrëse.
Ne ndajmë të njëjtin mendim të shprehur me mendimin e pakicës, se; “për sa kohë që është evidentuar një konflikt me natyrë kushtetuese nga organet që kanë një rol të caktuar në këtë proces, vlerësoj se në çështjen konkrete në shqyrtim plotësohen kushtet për fillimin e gjykimit kushtetues për interpretimin përfundimtar të nenit 92, shkronja “g”, të Kushtetutës, ndaj duhej të ishte vendosur kalimi i saj për shqyrtim në seancë plenare”
Në këtë aspekt, ne nuk do të rreshtim se kërkuari përpara Gjykatës Kushtetuese jo vetëm interpretimin e nenit 92, shkronja “g” të Kushtetutës, por dhe shqyrtimin në themel të kësaj çështje dhe të këtyre lloj situatave, që të mos ketë më përsëritje që të dalin Gjinushër të tjerë që qëndrojnë në krye të akademisë, pa dekret emërimi siç e kërkon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Gazeta Shqiptare