Gjykata urdhëron Kuvendin: Sillni mocionin, shkelët kushtetutën duke mbrojtur mandatin e Xhaçkës
11 Korrik 2024
Mazhoranca socialiste ka shkelur kushtetutën dhe ligjin, duke refuzuar të dërgojë shqyrtimin e legjitimitetit të mandatit të Olta Xhackës në Gjykatë, ndonëse një vendim i mëparshëm i trupës kushtetuese e detyronte të dërgonte çështjen për shqyrtim në themel. Në këtë konkluzion doli Gjykata Kushtetuese, kryetarja e së cilës zgjodhi të flasë me zë kundër aktit politik të shumicës parlamentare dhe duke shprehur qartë se votimi i seancës së 11 prillit ka cenuar autoritetin e trupës kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese konstatoi se vendimi i saj nuk është ekzekutuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Gjykata vlerësoi se Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin 132, pika 1, të Kushtetutës, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim”, u shpreh Zoçaj.
Votat e socialistëve kundër vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila që në janarin e vitit 2023 i kishte kërkuar Kuvendit të dërgonte pranë saj kërkesën për shqyrtimin e legjitimitetit të mandatit të Olta Xhaçkës, ishin argumentuar me vullnetin e lirë të deputetit për të vendosur, element ky që për Gjykatën është antikushtetues.
“Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit. Asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë. Kjo do të thotë se Kuvendi (deputetët e tij) duhet të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”, theksoi Zaçaj.
Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese u detyrua të urdhërojë edhe njëherë Kuvendin t’i dërgojë dosjen për shqyrtim në themel.
“Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Në kuadër të kësaj vendimmarrjeje, Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi”.
Pa vonesë, ishte momenti ku Holta Zaçaj vuri theksin, e vetëdijshme se çështja e mandatit të Xhaçkës ka më shumë se dy vite që zvarritet në Kuvend. E pyetur nga gazetarët nëse përse ky nënvizim, kryetarja dha këtë shpjegim.
“Kur thua pa vonesë, do të duhet që kuvendi të veprojë. Jemi në vendimmarrjen e dytë të njëjtës çështje. Fjala pa vonesë do të duhet të interpretohet në mënyrën literale të saj nga Kuvendi”, tha Zaçaj.
Procedura parlamentare kërkon që vendimi i zbardhur i Gjykatës të shqyrtohet edhe njëherë nga Këshilli i Legjislacionit, nga ku më pas do të shihet nëse socialistët do të pranojnë të zbatojnë këtë herë vendimin e Gjykatës, duke e dërguar çështjen për gjykim, apo do të përsërisin të njëjtën histori duke u zvarritur me afate e dhe teknikalitete proceduriale.
Tv A2 CNN