Gjykata zbardh vendimin e njohjes së Kuvendit të Berishës
Gjykata zbardh vendimin e njohjes së Kuvendit të Berishës
6 Prill 2022
Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin ku legjitimon Kuvendin e datës 11 dhjetor.
Në vendim thuhet se gjyqtari Agron Zhukri, ka kryer një seri verifikimesh, mbi legjitimitetin e kërkesës së Rithemelimit, cilësisë së anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe përputhshmërinë e Statutit të miratuar nga anëtarësia në 11 Dhjetor 2021 me normat ligjore.
Gjykata ka arritur në konkluzionin se kërkesa e Komitetit të Rithemelimit është në përputhje të plotë me ligjin dhe për këtë arsye ajo duhet pranuar.
Gjykata rithekson se nuk ka rol aktiv në emërimin, ndryshimet apo shkarkimet e organeve drejtuese të partive politike, pasi kjo gjë u takon vetë strukturave të organizatave.
Gjykata ushtron vetëm kontrollin formal të ligjshmërisë së ndryshimeve statutore dhe verifikimin e kërkesave të ligjit.
Bordi i Transparencës vendos çmimet e shportës ushqimore. Ja sa do të kushtojë orizi, sheqeri, mielli dhe vaji
Në rastin e kërkesës së Komitetit të Rithemelimit, gjykata ka konstatuar se mbledhja e Kuvendit Kombëtar i 11 Dhjetorit 2021 është kryer në përputhje me Statutin e Partisë Demokratike që ishte në fuqi në atë kohë.
Gjykata ka kryer verifikime të thelluara mbi regjistrimin e delegatëve të Kuvendit Kombëtar.
Në bazë të dokumentacionit të konsultuar, ka arritur në përfundimin se numri i tyre tejkalonte minimumin e kërkuar nga Statuti për të thirrur Mbledhjen e Jashtëzakonshme të Kuvendit.
Pasi ka konstatuar legjitimitetin e Mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, gjykata më pas ka analizuar vendimet e tjera të marrë në 11 Dhjetor 2021, duke nisur nga ndryshimet statutore të Partisë Demokratike.
Ndryshimet e Statutit të miratuara nga Kuvendi Kombëtar i 11 Dhjetorit janë konstatuar gjithashtu të rregullta dhe, në këtë mënyrë, edhe të gjitha ndryshimet pasuese të mbështetur në Statutin e ndryshuar, janë vlerësuar konform ligjit.
Gjykata njohu Komisionin e Rithemelimit më 25 mars 2022, ndërsa vendimi merr formën e prerë më 10 prill.
Nga OraNews