GKA është kthyer një institucion anemik, Kumbaro bën gjëra të reja por të dështuara Pjese e Intervistes me Ardian Isufin. –
GKA është kthyer një institucion anemik, Kumbaro bën gjëra të reja por të dështuara
Pjese e Intervistes me Ardian Isufin
01/08/2018
Galeria Kombëtare e Arteve sipas artistëve është kthyer në një institucioni anemik për sa i përket promovimit të vlerave artistike kulturore në vend. Prof. asc. Ardian Isufi dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura pohon se fatkeqësisht shohim që kjo lloj anemie vjen nga një platformë jo e qartë. Në intervistën për “SOT” dekani Isufi rendit një sërë problemesh dhe sipas tij Galeria Kombëtare e Arteve po kalon në mes të verës “Dimrin e vetmisë së madhe” për sa i përket në radhë të parë vizionit dhe funksionalitetit të saj. Ministria e Kulturës ka përgjegjësinë e saj jo vetëm me situatën që ndodhet sot GKA, por dhe më gjerë në jetën artistike në vend. Për dekanin Ardian Isufi ministrja e Kulturës është e paaftë, nuk ka një vizion të qartë ajo dhe gjithë stafi i saj për sa i përket çështjes se ku duhet të jetë ardhmëria e artit pamor dhe kulturës në përgjithësi.
-Ministrja e Kulturës gjatë këtij mandati të dytë ka premtuar investime në GKA. Sa shpresë ka kjo për ju?
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro është e paaftë të kuptojë thelbin e çështjes. Ministrja flet lart e poshtë fjalë në dukje të kohës, fjalë që në dukje lidhen me investimet ose mbështetjen e artit, por në thelb nuk ka një vizion të qartë ajo dhe gjithë stafi i saj për sa i përket çështjes se ku duhet të jetë ardhmëria e artit pamor dhe kulturës në përgjithësi. Nëse flasim për çështje të vogla dhe ku përdorin shumë mirë foltoret me fjalë boshe kjo nuk është thelbi i asaj që kërkojnë artistët dhe sfidat e reja në artin bashkëkohor. Ajo që kërkojnë artistët është pse nuk kemi akoma një qendër të artit bashkëkohor? Pse merremi thjesht me emra GKA apo Muze i Arteve të Bukura, kur galeria në fakt e ka statusin muzeal? Ku është pavioni pas viteve ’90 në GKA që u zhduk nga Kumbaro me shokë? Këto janë pyetje që ministrja nuk i jep dot përgjigje, sepse do ti kishte dhënë që në mandatin e parë.
-Grupimet e piktorëve akuzojnë Ministrinë e Kulturës për mungesë mbështetjeje me aktivitetet. Sa bashkoheni?
Unë mendoj që këtu luhet më shumë me fjalë se sa me vepra. Ministria e Kulturës inicioi një Bienale të Mesdheut, që ishte e nivelit të dobët. Pra, nëse po flasim për gjëra të reja dhe njëkohësisht të dështuara nuk kemi gjë në vijë… dhe për sa i përket këtyre vlerave të grupimeve të artistëve duhet të kenë vendin e tyre për tu ekspozuar dhe promovuar. Duhet të mos harrojmë atë që Viktor Zgarbi e thotë në një nga pohimet e tij që “padyshim duhet të kemi avangardën, por në të njëjtën kohë duhet të kemi edhe retrogardën”. Një politikan i mençur dhe i qartë në politikat kulturore të një vendi duhet të dijë se si ti mbështesë fenomenet dhe rrymat që ndodhin në art dhe kulturë, dhe pasi i mbështet grupimet artistike fillojnë dhe promovohen vetë. Tashmë është i copëtuar i gjithë sistemi i artit dhe situata është në një çoroditje totale me shumë e shumë probleme në profesione si ne menaxhimin e artit, etj. Kjo histori e denjë për burokratë provincialë vazhdon edhe për kontributet që duhej të jepte ky institucion për sa i sa i takon marrëdhënies që duhet të kenë artistët me aplikimet ndërkombëtare. Ne kemi dëgjuar që kanë realizuar takime të vogla dhe workshope, por që nuk bëhet asnjëherë një gjë e madhe. Janë bërë tek-tuk gjëra të vogla dhe më shumë me karakter propagandistik duke afruar në pjesën dërrmuese individë apo shoqata që kanë interesa direkte ministrinë. E kam pohuar dhe më parë Ministria e Kulturës është kthyer si një “bunker” duke pasur parasysh faktin dhe argumentin se nuk kanë borde gjithëpërfshirëse për politikat kulturore, por është një bord që kjo ministre vulos me vartësit e vet dhe për shkak-pasojë asnjëherë nuk u bë një analizë reale se çfarë problemesh akute ka arti dhe kultura duke krijuar një situatë kaq paradoksale. Thelbi është që kjo ministre Kulture nuk dëgjon.
-Mungesë konsultimesh mes ministrisë dhe artistëve, mungesë transparence, u kërkua pezullimi i ligjit të artit?
Ndërhyrjet në ligjin e artit kishin centralizimin total të ministrit të radhës, dhe kjo ishte shumë e dukshme. Kishte shumë nga pikat që jepnin në mënyrë absurde një fuqi të jashtëzakonshme ministrit. Por unë jam me idenë që çfarëdolloj projekti apo elementi, që lidhet me artin dhe kulturën duhet të lëvizë përmes bordeve se sa direkt nën firmën e një ministri, që më pas kthehet duke e përdorur si pushtet bëhet i njëanshëm dhe politik. Akuzat për mungesë transparence vazhdojnë dhe Kumbaro shquhet si kampione e njoftimeve dhe e kundërnjoftimeve që i bën vetë. Në rastin e teatrit ishte shumë e qartë kakofonia ndërmjet institucioneve që në COD u shfaq projekti i ri i teatrit dhe pas një javë del Kumbaro thotë që nuk është ky projekti i ri, por presim të tjera. Kjo ndoshta ka të bëjë më paqartësinë që ndodh të një aspekti vizionar. Duke lëvizur në forma të tilla padyshim që i bën nder vetëm grupimeve të vogla afër politikës dhe nuk i bëjmë nder komunitetit artistik dhe publikut. Objektivi më i rëndësishëm është që të krijojmë ura të vërteta bashkëpunimi dhe të vërteta me artin dhe institucionet ndërkombëtare. Po të shohim se si nga ministria menaxhohet Bienalen e Venecias kuptohet qartë që nuk krijon vazhdimësi të vlerave kulturore. Të krijosh vazhdimësi do të thotë të kesh struktura solide dhe funksionale, që ne fatkeqësisht i ngremë vetëm kur vjen aktiviteti i radhës. Kjo është pjesë jo profesionale e ministrisë, që këto struktura duhet që nga viti në vit të promovojnë vlerat artistike, dhe turizmin kulturor. Të mos na ndodhi si dikur në EkspoMilano, ku Shqipëria është prezantuar për faqe të zezë dhe ku fondet publike ose u shpërdoruan, apo u hodhën kot nga pa-aftësia institucionale./
Intervistoi: Julia Vrapi