Gojëdhëna rreth malit të Tomorit.
Gojëdhëna rreth malit të Tomorit.
Nga Agim Mehqemeja.
* Thonë se një plakë nje herë moti kulloste në majë të Tomorit një dhi dhe një kec. Kur dolën në një ditë dimri, ngrinë dhe u bënë gur. Shkëmbi ku duken të gdhendur plaka, dhia dhe keci ndodhet në një vend të pacaktuar mbi kulmin për së gjati të Tomorit.
* Në Tomor një herë moti rrinin tri motrat e Dhodhonit, te cilat, mbretërit e vjetër i pyesnin për fatin e tyre dhe të mbretërive. Faltorja e Dodonës Pellazgjike ndodhet në Tomor.
* Në Tomor jetojnë të Mirat. Populli i quan “mjaltë e qumësht”. Në rast sëmundjeje, gratë që quhen në popull magjesha, vënë në gjethe hardhie ose lojfate pak mjaltë të pangrohur me besimin se, po të jetë trazuar, të Mirat që kanë kapur ose kanë shkelur të sëmurin, largohen dhe i sëmuri shërohet. Në të kundërtën, ato janë zemëruar dhe i sëmuri vuan ose mund të vdesë. Gratë e kanë si gjë të shenjtë mjaltin e pangrohur. Shenjtëria e tij respektohet aq tepër, sa që kur të hahet, duhet të jetë i pastër, ndryshe është frikë e shkeljes. Ky respekt rrënjën e ka prej besimit pagan se mjalti natyror dhe i pangrohur është ushqim i të Mirave.
* Tomori kohë me kohë e rrallë gjëmon me një krismë të tëmerrshme topi, që përsëritet shumë herë. Ky gjëmim ndihet edhe në të kthjellët. Besohet se Tomori ka lidhje nën dhe me Vezuvin. Thuhet se kur Vezuvi vepron,Tomori zbraz topin.
* Besohet se Tomori është mali më plak i Shqipërisë. Më parë lindi ai e pastaj të tjerët.
* Thonë se bletët nëpër shkëmbinjtë e Tomorit bëjnë shumë mjaltë. Po atë nuk e merr dot njeri nga frika e shkeljes dhe e vdekjes prej të Mirave të malit. Ato ushqehen me këtë mjaltë dhe e zënë me gurë atë që vete për ta marrë.
* Në faqe të Tomorit, mbi Lybeshë, midis shkëmbinjëve, brenda në një shpellë, besohet se është një mollë që askush s’i afrohet nga frika e shkeljes dhe e vdekjes, se e ruajnë të Mirat.
* Besohet se të Mirat rrinë lart në Tomor dhe xhindet nëpër përrenj e pranë ujërave.
* Kur mbi mal fryn erë e madhe, thuhet se ai është i zemeruar, ngaqë njerëzit janë bërë gjynahqarë.Marr nga Agim Mehqemeja.
Huazuar nga FB: Ajet Nallbani