Gojet e Liga Thone: – Raporti i fundit: Pakësimi i frymëve shton të ardhurat për frymë

16 Dhjetor 2019

TIRANË – Sipas raportit më të fundit nga InstaSTAT-i, Shqipëria ka rritur të ardhurat për frymë në 6-mujorin e parë të vitit 2019.

Kështu, instituti i insta-statistikave bën me dije se mbi 200 mijë shqiptarë e kanë kapërcyer zyrtarisht nivelin e varfërisë, duke trokitur me guxim dhe kurajo në radhët e shtresës së mesme dhe duke i thënë fukarallëkut ‘tutje’.

Raporti sqaron se nëse deri vonë rreth 35% e shqiptarëve jetonin me 5 dollarë amerikanë në ditë, e njëjta popullsi tani jeton me 8 pesos meksikanë në ditë, duke shënuar një rritje të dukshme në bollëk, kamje, plaçkë, shtëpi e katandi.

“E vërteta është se, sipas studimit tonë, rritja e të ardhurave për frymë ka lidhje direkte me pakësimin e frymëve,” pohon me objektivitet raporti i InstaSTAT-it, duke vënë në pah largpamësinë e politikave qeveritare për të orientuar me anë politikash zhvillimore-largimore, një masë të gjerë të rinjsh dhe moshash mesatare, drejt mësymjes së kufijve shtetërorë nga toka, ajri e deti, në kërkim të livadheve më të gjelbra.

“Në sajë të një vrulli të ri të remitancave, është mundësuar shtimi i kuintancave, dhe rrjedhimisht amvisat kanë shpeshtuar blerjen e pjatancave, kompletimin e fajancave dhe konsolidimin e balancave,” thotë disa paragrafë më poshtë raporti, mesa duket nën shtytjen e një vale entuziazmi të pakontrolluar të autorëve të tekstit për të bërë rima pa lidhje.

Raportin e ka komentuar me modesti edhe Edi KM, i cili u bëri thirrje të gjithë gojëprishurve që deri dje ulërisnin se Shqipërisë po i largohet rinia për herë të tretë në 30 vjet, të ngrihen e të kërkojnë falje.

“Hë mo, ku janë tani ata alarmistë që bënin tellallin e kazanit e i binin tiganit duke më akuzuar mua për keqmenaxhim të tepsisë dhe përvetësim të sinisë, teksa i qanin hallin komshisë për punët e shtëpisë?”, reagoi Edi KM në një nga rrjetat sociale që ka mbetur hapur edhe për pak ditë.

Sipas Edi KM-së, studimi tregon se pakësimi i frymëve si mjet për të rritur të ardhurat për frymë, ka qenë një politikë e drejtë e qeverisë.

“Projekti i qeverisë është që në vitin 2021 të ardhurat për frymë të arrijnë deri 15 juan në ditë,” deklaroi KM-ja. “Për këtë, ne do të punojmë që frymët të pakësohen fillimisht në progresion aritmetik, pastaj në progresion gjeometrik”.

“Shkurt muhabeti vlla, një Shqipëri me 800 mijë, hajt e shumta 1 milion shqiptarë, do ishte ideale,” përfundoi Edi KM.

*****

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike, ndaj duhet lexuar vetëm në këtë frymë.