5 Shtator 2024

Pas 45 vitesh i “fshehur” në ujë, fshati Kallio në Greqinë qendrore ka ridalë në dritë, për shkak të thatësirës që ka goditur vendin.

Pas një dimri me shumë pak borë, një verë të nxehtë dhe muaj të tërë pa shi, liqeni artificial, i cili furnizon me ujë thuajse gjysmën e popullsisë në Greqi, ka arritur nivelin më të ulët të rregjistruar prej dekadash.

“Çdo ditë që kalon, uji zbret edhe më poshtë”, thotë për Reuters, Dimitris Giannopoulos, kryebashkiak i Dorias. Sipas tij, një thatësirë e tillë nuk është parë prej 33 vitesh.

Fshati Kallio u përmbyt në vitin 1980 për të krijuar liqenin që do të zgjidhte problemin e furnizimit me ujë për Athinën, e cila ndodhet 200 kilometra larg.

Sipërfaqja e liqenit është rrudhur nga rreth 16,8 km2 në gusht 2022, në vetëm 12 km2 këtë vit, sipas pamjeve satelitore të publikuara nga Observatori Kombëtar i Greqisë.

Gazeta Dita