Greqia kalon në zgjedhje të parakoshme. – Presidentja cakton datën kur do të mbahen votimet
22 Prill 2023
Presidentja e Greqisë miratoi kërkesën e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për shpërndarjen e Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 21 maj. Mandati i qeverisë së zotit Mitsotakis pritej të përfundonte zyrtarisht në muajin korrik.
Parlamenti pritet të shpërndahet në 23 prill.
Zgjedhjet vijnë pas tronditjes që shkaktoi në vend përplasja e dy trenave që la pas dhjetëra viktima.
Kryeministri grek u takua me presidenten ditën e sotme dhe dorëzoi zyrtarisht aktin që propozonte shpërndarjen e parlamentit.
Presidentja e Greqisë Katerina Sakellaropoulou tha se shpresonte që procesi parazgjedhor të ishte i qetë dhe i frytshëm.
Sondazhet e deritanishme tregojnë se as partia Demokracia e Re e zotit Mitsotakis dhe as partia opozitare Syriza nuk pritet të marrin votat e mjaftueshme për të siguruar shumicën parlamentare./VOA
Gazeta Shqiptare