Greqia kërkon 60 mijë punëtorë. – Zgjidhje janë aziatikët!
3 Gusht 2023
Disa rajone në Greqi po kërkojnë punëtorë sezonalë nga Azia, për të përballuar sezonin e vjeljes së prodhimeve bujqësore dhe frutore.
Afrimi i sezonit të vjeljes, ka rritur sfidat për fermerët grekë që nuk po gjejnë më fuqi punëtore për shkak të interesit të ulët të emigrantëve për të punuar në fermat greke, por sidomos për shkak të kushteve dhe pagave.
“Shqiptarët që jetojnë në Greqi edhe ata që kanë ardhur enkas për të punuar në të korrat e këtij viti, si dhe pakistanezët, kërkojnë të ardhura shtesë”, shkruan Protothema.gr.
Punëtorët e bujqësisë janë larguar dhe Greqia tashmë kërkon fuqi punëtore, por jo nga vendet fqinje, (pasi punëtorët shqiptarë, bullgarë, rumunë dhe polakë preferojnë tani të punojnë në Evropën Perëndimore, ku pagat ditore janë madje dy herë më shumë dhe kushtet e jetesës janë të shkëlqyera). Në këtë situatë Greqia po hedh sytë nga vende në Azi dhe konkretisht në Indi, Tajlandë dhe Vietnam.
“Nevojat e Greqisë për krahë pune në bujqësi llogariten në 50,000-60,000 punëtorë, nga të cilët afërsisht 15,000 nevojiten vetëm për korrje. Megjithatë, këto nevoja nuk po plotësohen dhe marrëveshja e fundit ndërqeveritare e nënshkruar me Egjiptin për tërheqjen e punëtorëve në Greqi nuk i plotësojnë nevojat“, shkruan Protothema.
Tregu i madh i krahut të punës në Indi mund të ofrojë zgjidhje për problemin, megjithëse punëtorët kërkojnë ca kushte paraprake të tilla për shembull si, tu paguhet udhëtimi i shtrenjtë për të fluturuar përtej Oqeanit Indian për në Greqi.
“Pse tani kërkojmë punëtorë kaq larg nga Greqia?” ishte pyetja drejtuar kreut të Dhomës së Tregtisë greke, Giannakakis. Siç thekson ai, Egjipti është një rast i mirë duke qenë se është një orë e gjysmë larg me avion nga Greqia, ku kostoja e biletës së avionit nuk i kalon 130 euro në disa raste.
Nga Konica.Al