Greqia pushtohet nga flakët, vendi luftë me nxehtësinë ekstreme
1 Korrik 2024
Zjarrfikësit luftuan një seri zjarresh në afërsi të Athinës të dielën mbrëma, pasi autoritetet i frikësohen një vere shumë të vështirë në Greqi. Ky vend çdo vit është viktimë e zjarreve dhe situata pritet të jetë edhe më e tensionuar këtë vit për shkak të dimrit më të butë të regjistruar ndonjëherë në Greqi, si dhe valës më të hershme të të nxehtit, me temperatura që tashmë arrijnë në 44°C.
Dy zjarre të mëdha pyjore shpërthyen natën e së dielës në Atikë, rajoni që përfshin kryeqytetin grek dhe banorëve të të paktën tetë zonave pranë Athinës iu tha të evakuonin shtëpitë e tyre.
Kanali televiziv Ert raportoi se një 45-vjeçar humbi jetën nga një atak në zemër teksa po përpiqej t’i shpëtonte flakëve në Stamata, në veri të Athinës, ku u regjistruan erëra me shpejtësi mbi 70 km/h.
E diela ishte “dita më e vështirë me të cilën janë përballur zjarrfikësit këtë vit,” u tha gazetarëve zëdhënësi i departamentit të zjarrit Vasilis Vatrakogianis.
Në Keratea, në jug të kryeqytetit, zjarri që ra rreth orës 13:00 përfshiu makina dhe shtëpi, të paktën katër prej të cilave u shkatërruan plotësisht, raporton Ertnews.
“Situata është shumë e vështirë sepse ende po fryjnë erëra të forta” me një shpejtësi prej më shumë se 60 km/h dhe “vendet ku ato shpërthejnë janë të shumta”, tha për agjencinë e lajmeve ANA, kryebashkiaku i Lavreotiki Dimitris Lukas .
Ai tha gjithashtu se baza ajrore aty pranë nuk është e kërcënuar për momentin.
Një ditë më parë, në të njëjtën zonë kishte rënë tashmë një zjarr, por ai u vu nën kontroll.
Të dielën, zjarri përfshiu edhe zonën industriale të Rikonës në ishullin Eubea, e cila shtrihet për gati 160 km përgjatë detit Egje.
Gazeta Sot