Greqia shton masat anti – Covid, vendos shtetrrethim pas mesnate (Detajet e fundit)

29 GUSHT 2020

Ndërsa Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik (EODY) njoftoi të Premten për 270 raste të tjera të koronavirusit dhe pesë vdekje të reja të lidhura me Covid, autoritetet shëndetësore paralajmëruan një sërë masash të reja kufizuese për ishujt e Zakynthos dhe Lesvos si dhe zonën e Imathia në veri të Greqisë, ku janë vënë re vatra të reja.

Nga 270 infeksione të reja të njoftuara të Premten, vetëm 26 ishin udhëtarë të testuar në kufij, aeroporte dhe portet e Greqisë, me 112 në Athinë dhe 29 në Selanik.

Totali i të infektuarve në të gjithë vendin është 9,800 persona ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 259.

Autoritetet greke janë shprehur të shqetësuara për kategorinë e njerëzve që kthehen nga pushimet e tyre, veçanërisht nga vendpushimet turistike të njohura, pasi ato paraqesin rrezik të lartë.

Gkikas Magiorkinis, një profesor asistent i epidemiologjisë në Universitetin e Athinës, u bëri thirrje pushuesve që kthehen, veçanërisht të rinjve, ta konsiderojnë veten si “transportues të heshtur” të sëmundjes, duke u rekomanduar një periudhë izolimi 7-10 ditore shmangjen e kontakteve me të moshuarit.

Kufizimet e reja të njoftuara të Premten për Zakynthos dhe Lesvos përfshijnë ndalimin e të gjitha ceremonive, festivaleve fetare dhe tregjeve të rrugëve, ndërsa mbledhjet e më shumë se nëntë personave, qoftë në publik ose privat, janë gjithashtu të ndaluara.

Në kafene dhe restorante, jo më shumë se katër persona mund të ulen në tryezë. Maskat janë të detyrueshme si në vendet publike të mbyllura, ashtu edhe në ato në ajër të hapur.

Këto zona janë vendosur në shtetrrethim, ku janë ndaluar kafene, bare dhe restorante të qëndrojnë hapur pas mesnate.

Ndërkohë masat që zbatohen në të gjithë vendin, të tilla si përdorimi i detyrueshëm i maskave në zona të mbyllura dhe distancimi shoqëror në plazhe, u zgjatën për 14 ditë të tjera.

Ndërsa autoritetet vazhdojnë përpjekjet e tyre për të frenuar valën aktuale të pandemisë, përgatitjet për dimrin janë tashmë në proces, kur një valë e re mund të përkojë me gripin sezonal.

Zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas tha se blerja e një numri më të madh vaksinash gripi është një përparësi – autoritetet tashmë janë furnizuar me 4.2 milion doza në krahasim me 3.1 milion vitin e fundit.

Gazeta Sot