Grida Duma në Kuvendin e PD: E them troç, ishin gabimet e Bashës ato që çuan në…

18 DHJETOR 2021

Në Kuvendin e sotëm të Partisë Demokratike e mori fjalën edhe Grida Duma. Ajo tha se sot është me të gjithë demokratët që kanë kontribuar për partinë, dhe as me Lulzim Bashën dhe as Sali Berishën.

Sipas Dumës, Berisha mori damkosjen më të madhe nga SHBA dhe sigurisht nuk mund të bëhej palë me të.

“Unë nuk mund të isha në një miting të një interesi personal të Sali Berishës. Ndjej keqardhje të madhe për damkosjen e tij në listën e zezë të SHBA-së. Unë nuk jam këtu për t’u bërë maska anti-zhgënjim e Lulzim Bashës. Ishin pasojat e gabimeve tona dhe të lidershipit tonë që çuan ata demokratë në mitingun e 11 dhjetorit. Disa shkuan atje për të larguar kryetarin e partisë, Berisha ishte mjeti i tyre dhe jo qëllimi.

Kjo parti duhet të bëjë patjetër kthimin e atyre demokratëve nga rruga e verbër në të cilën janë futur. Troç fare unë isha dhe me ato demokratët atje, jo me Sali Berishën. E sot jam jo me Lulzim Bashën por me këta delegatë të thjeshtë që kanë kontribuar për Partinë Demokratike.

Unë nuk mund ta ndjek me veshët dhe sytë mbyllur Lulzim Bashën, dorëheqjen ndoshta duhet ta kishte konsideruar jo vetëm atëherë kur Berisha nuk ia kërkoi, por kur ne i dolëm në krahë të gjithë, ia dhamë votën pa na e kërkuar fare. Do apo nuk do Berisha, ti je kryetari legjitim i Partisë Demokratike. Mitingu i 11 dhjetorit nuk e ndryshon dot këtë gjë,” tha Duma.

Gazeta Shqip.