Gripi i shpendëve bën kërdinë. Ministria e Bujqësisë asnjë masë, në dyqane vijon tregtimi i mishit të pulës pa kriter, specialistët ngrejnë alarmin
Gripi i shpendëve bën kërdinë. Ministria e Bujqësisë asnjë masë, në dyqane vijon tregtimi i mishit të pulës pa kriter, specialistët ngrejnë alarmin
24 MARS 2022
Gripi i shpendëve është bërë një fenomen shqetësues. Ministria e Bujqësisë megjithëse ka pasur njoftime të herëpashershme nuk ka marrë masat e duhura për bllokimin e kufijve për të mos ardhur kontigjente të pulave të infektuara nga Greqia, të cilat kanë krijuar këtë epidemi me efekte negativ në këtë sektor të ekonomisë. Megjithëse ky fenomen është shfaqur që në mes të muajit shkurt, dhe ngordhja në masë e pulave ka filluar në fillim të marsit, mishi i pulave vazhdon të tregtohet në pikat e shitjes, me pakicë, markete dhe supemarkete.
AKU e cila ka lejuar së bashku me drejtorinë përkatëse kanë lejuar kalimin e kësaj sasie të pulave, ende nuk kanë marrë masa për largimin nga tregjet të mishit të pulës deri në eliminimin e krizës. Ndërkohë ditën e djeshme, Ministria e Bujqësisë informoi se po vijon procesi i eliminimit të shpendëve të sëmurë e asgjësimi i tyre në njësitë e konfirmuara të prodhimit nga laboratori i referencës ISUV për prani të influencës aviare.“Deri tani kanë ngordhur rreth 340 mijë (338426) shpendë. Procesi i groposjes vazhdon me ritme të shpejta brenda rregullave dhe konform legjislacionit në fuqi. Procesi është dinamik dhe lëviz në varësi të rasteve të reja.
Gjithashtu, ka nisur procesi i asgjësimit edhe i 120 mijë shpendëve të cilët ndodhen në të njëjtat kapanone dhe bateri për të shmangur çdo rrezik të mundshëm duke ndjekur planin e kontigjencës” deklaroi zëvendësministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeçi. Aktualisht, sipas ministrisë, po respektohen procedurat e shuarjes së vatrës, po kryhet tamponimi i zonës sipas niveleve të rrezes, po komunikohet risku për fermerët dhe veterinerët e zonës dhe është siguruar baza materiale e ajo mbrojtëse për veterinerët. “Vijon monitorimi i terrenit në të gjithë Shqipërinë si në pikat e inspektimit kufitar, në bazë të planit të kontigjencës, ashtu edhe në përmbushje të mobilizimit për monitorim dhe kontroll për garantimin e sigurisë ushqimore për produktet e nxjerra në treg. Shërbimi veterinar rajonal është prezent çdo ditë në komplekse duke mbikëqyrur në mënyrë rigoroze zbatimin e masave të biosigurisë dhe dezinfektimin e mjeteve të transportit” përfundon deklarata e ministrisë.
Gripi i shpendëve, AIBA: S’e fshehëm kurrë ngordhjen, kemi ende pula të shëndetshme
Ndërkohë Kompania AIBA ka sqaruar se nuk e ka fshehur asnjëherë ngordhjen e pulave, por që ka këmbëngulur që të kishte bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe të bëheshin të gjitha analizat e nevojshme, për sigurinë e konsumatorit. Në deklaratë zyrtare, thuhet se që prej datës 12.03.2022, AIBA ka kryer procedurat përkatëse të njoftimit zyrtar në prezence të përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse dhe autoriteteve kompetente. Gjithashtu, në njoftim thuhet se përfaqësuesit e këtyre institucioneve kane qene prezent në ambientet e stabilimentin e rritjes se shpendëve në Xhafzotaj, Durrës, çdo dite, duke kryer të gjitha procedurat përkatëse për evidentimin, analizimin dhe diagnostikimin e sëmundjes se mundshme qe dyshohej se kishte prekur pulat.
Fillimisht sqarohet se iste marrë informacioni se Laboratori i ISUV kishte konkluduar se kishin të bënin me infeksion Laringotrakeit Infektiv, por më vonë rezultatet treguan se pulat kishin Influence Aviare H5N8 (grip shpendesh). Gjithsesi AIBA bën me dije se ka ende pula të gjalla e të shëndetshme, ndërsa ato të tjerat që dyshohet se janë ende të sëmura, janë mbyllur në karantinë.
Gazeta Sot