“Grrau- grrau nallanet e Hajatit Ballkanik, pse vijnë në Shqipëri mitomanët dhe promovohen si artistë të mëdhenj botërorë”

 17 prill 2019

ILIR DEMALIA

Sot, kultura e paraqitur në media, me gjithë zhvillimin e madh si mundësi komunikimi dhe zhvillimi teknologjik, si mendim, si raport me të vërtetën dhe vlerat, është kthyer në një qokatare-hokatare, duke krijuar një simulim të pavërtetash dhe abuzimesh e manipulimesh në funksion të gënjeshtrës si të vërtetë dhe vlerë.

Kështu, media jo vetëm i largohet misionit të saj, po krijon një mjedis banal dhe qesharak me kulturë autopromocione delirantësh, mitomanësh që shfaq pa një ballafaqim debati kritik, por vetëm elozhe në fryrje impostimesh neveritëse, apo histeri frustracionesh.

Kjo lloj leskër-kulturë, sidomos për ata që vijnë nga emigracioni, duke gënjyer e mashtruar në mënyrë krejt të paturpshme e duke u shfaqur në vendet nga vijnë për t’u promovuar në Hajatin Ballkanik, dikush si aktor i madh, si shkrimtar i madh dhe i mirënjohur, dikush si piktor i madh që ka kapërcyer kufijtë jo vetëm të Ballkanit dhe Europës, por edhe më gjerë, dikush si artist i madh këngëtar i madh më famë botërore?!

Në qoftë se gazetarët nuk kanë të qartë ç’do të thotë famë botërore, së paku sot që bota është bërë kaq e vogël, të hapin një smartphone dhe të kuptojnë kush janë delirantët dhe gënjeshtarët patologjikë nga Tirana në Itali, Berlin, Londër, Paris, New York, Boston, Los Angelos e kudo në mënyrë të mos bëhen pjesë e kësaj tallavaje qesharake.

Duke stimuluar këtë masturbim idiot, kemi krijuar një inflacion vlerash nëpërmjet antivlerave sa jemi bjerrë si tërësi jo vetëm kulturore, por edhe si shoqëri.

Kur ky fenomen i delirimit vjen pikërisht nga ata që jetojnë prej tashmë tre-katër dekadash e më shumë në qytetërimet perëndimore, është i trishtë, pasi tregon se çfarë stature ka shoqëria shqiptare, e cila edhe pse në perëndim prej 3-4 dekadash, qylafin e mburravecjes së kotësisë së brrau-brrau, grrau-grrau, të Hajatit Ballkanik nuk e shkulin dot nga subkoshienca. Në vend që të sjellin një model tjetër në Shqipëri, fryhen e impostohen, duke u masturbuar në gazeta e studio televizive me gazetarë që nuk i verifikojnë dhe i përballin në mënyrë kritike vetëmburrjet e këtyre delirantëve dhe mitomanëve.

Ky falsitet, kjo mënyrë e të gënjyerit dhe mashtrimit për të përfituar duke gënjyer veten, është e thellë në subkoshiencë të shoqërisë shqiptare, kjo tregon dhe gjendjen e rëndë morale si shoqëri ku të gjithë pajtohen me këtë Tallava në Hajatin Ballkanik, pa asnjë lloj refleksioni.

Këtë na e tregon, edhe kjo ese e shkurtër për leskër kulturën e shkruar nga Pater Anton Harapi në 1943-in, që është dhe më aktuale sot si kambanë alarmi.

“Tue kërkue ta bajm jetën sa ma të lehtë, shvleftësuem jetën vetë. Nuk po lypet me qenë i aftë mjaft me u dukë i tillë.

Vallë, pse tash tridhetë e sa vjet të pamvarësisë, me të gjitha përpjekjet për kulturë, erdhëm e u vorfnuem shpirtnisht? Ky problem i madh, për mue, ka nji shkak të vetëm, nji spjegim të thjeshtë: rreziku i ynë pse vumë leskër kulture d.m.th. nuk morëm kulturën vetë, por morëm format e përftimet e kulturës dhe i përshtatëm; shndërruem vlerat objektive me vlerat relative; përparuem për dukë, ndërsa realisht në shpirt borëm shumë, mbetëm mbrapa; u dhamë randësi të parë mjeteve e harruem qëllimin; tue kërkue ta bajm jetë sa ma të lehtë, shvleftësuem jetën vetë. Lavrimi i mendjes, trajtimin e vullndesës, ndiesitë e nalta shpirtnore i qitëm e i lamë në vend të dytë e të tretë. Faktori shpirtnor nuk pati vendin e vet, vendin e parë. Ja, sot në Shqipni nuk të pyetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don të dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në Bankë. Nuk po lypet të jesh i dijshëm, as i aftë, mjaft të dijsh me u mbajtë dhe me u dukë i tillë”.