Grupi Wagner. BBC: – Do të dorëzojnë armët e rënda dhe FSB do të…
27 Qershor 2023
Sipas autoriteteve ruse, grupi mercenar Wagner do të çarmatoset, por do t’i shpëtojë ndjekjes penale për rebelimin e tij jetëshkurtër të shtunën.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, të cilat cituan Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë të ketë thënë se përgatitjet janë duke u zhvilluar që grupi Wagner t’i dorëzojë armët dhe pajisjet e tij të rënda ushtrisë ruse.
Akuzat penale janë hequr kundër atyre që morën pjesë në kryengritje, tha shërbimi i sigurisë FSB.
Ky vendim vjen pasi revoltës së këtij grupi, e cila tronditi Rusinë pak ditë më parë.
Të shtunën, trupat mercenare të udhëhequra nga shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, pushtuan qytetin jugor rus të Rostov-on-Don, marshuan drejt Moskës dhe rrëzuan helikopterët ushtarakë rusë dhe një aeroplan gjatë rrugës së tyre.
Rebelimi i tyre më vonë u ndërpre pasi u arrit një marrëveshje me ndihmën e liderit bjellorus Aleksandër Lukashenko. Sipas kushteve të marrëveshjes, Prigozhin pritej të shkonte në Bjellorusi.
Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se Wagner ishte financuar plotësisht nga Ministria e Mbrojtjes dhe buxheti i shtetit, duke marrë 86.262 miliardë rubla (1 miliardë dollarë) vetëm nga maji 2022 deri në maj 2023 vetëm për “paga dhe shpërblime”.
Ai shtoi se autoritetet do të hetojnë se si janë shpenzuar paratë e paguara për Wagner dhe udhëheqësin e tij.
Më parë, një avion privat, i lidhur me Prigozhin, u ul në kryeqytetin bjellorus, Minsk. Nuk është ende e qartë nëse ai ishte në bord dhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se nuk kishte informacion mbi vendndodhjen e Prigozhin.
Gazeta Panorama