“Guinea s’është Shqipëri”. Kur edhe afrikanët na marrin si shembull të keq. –

Punonjësve afrikanë të Guineas iu vjen turp të krahasohen me Shqipërinë. Duket ekzagjerim, por lexoni se çfarë shkruajnë mediat në Guine.

“”Punonjësit e portit kryesor të Guinesë, të cilin qeveria e ka dhënë me koncesion janë ngritur në grevë dhe kanë kërkuar të takohen me drejtoreshën e përgjithshme të Portit. Ata kanë bërë protestë para zyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Portit për të kërkuar shpjegime përse Porti kryesor i është dhënë me koncesion një kompanie turke. Por ajo nuk preferoi të dilte.

“Drejtoresha thotë se nuk mund të zbresë sot. Ajo kërkon të shtyjë takimin deri nesër,” – tha i dërguari i punëtorëve.

Të pakënaqur me indiferencën e drejtoreshës, këta punëtorë kanë sulmuar presidentin e vendit, Alpha Conde, të cilin e akuzojnë se e ka kthyer Guinenë në… Shqipërinë e Afrikës.

“Guineja është shndërruar në Shqipërinë e Afrikës nën mbretërimin e Alpha Conde. Keni shitur kompaninë e telefonisë Sotelgui; Keni shitur minierën e diamantit, Aredor; Keni shitur kullat binjake te Bulbinët; Po bëheni gati të shisni Tregun Nigeria, tregun Gninguema…”

Sekretari i përgjithshëm i CNTG njoftoi një mobilizim dhe protestë të fortë, më 13 shtator“”, shkruhet në portalin libreopinionguinee.com.

Në një shkrim tjetër me titull: “Skandalet në Guinea të lidhura me Sorosin dhe Bler” shkruhet se “qytetarët kanë akuzuar presidentin Alpha Conde për korrupsion me kompaninë e diamantit.

Ata nuk kanë hezituar të sulmojnë presidentin e vendit të tyre që një pjesë të shumave të mëdha të fituara nga korrupsioni me këtë minierë ia ka dhënë në formë bakshishi apo favoresh Toni Blerit dhe George Sorosit…”