Gustav Weigand, gjuhëtari gjerman që i dhuroi Bibliotekës Kombëtare 200 libra të rrallë.-
Gustav Weigand, gjuhëtari gjerman që i dhuroi Bibliotekës Kombëtare 200 libra të rrallë.-
Gustav Weigand
Gjermani Gustav Weigand, 1860 – 1930, ka qenë një linguist i dipllomuar për gjuhët romane në universitetin e Lajpcigut. Me kohë dhe me shumë punë, ai arriti të bëhej specialist i shquar për gjuhët ballkanike dhe veçanërisht për rumanishten dhe dialektin arumun. E shëtiti të gjithë Ballkanin, duke kërkuar kudo popullsitë arumune dhe duke studiuar veçantitë e tyre gjuhësore, të krijuara gjatë zhvillimit historik.
Ai erdhi edhe në Shqipëri. Veprimtaria e tij studimore dhe botuese tregon për thellësinë e kërkimit të tij shkencor. Ai mësoi gjuhët, dialektet e tyre, për të parë ndikimet dhe zhvillimet. E kjo më qartë shprehet në lidhjen që ai pati me gjuhën shqipe, të cilën e mësoi në të dy dialektet e saj. Dhe jo vetëm e mësoi, por edhe u frymëzua nga ajo në ide nga më të komplikuarat të karakterit gjuhësor dhe social, me lehtësinë e të qenit si shqiptar.
Dhe ai hodhi në fushën sociale dhe atë të dijes dy ide, e para, që Elbasani të bëhej kryeqyteti i Shqipërisë dhe e dyta, që gramatika e gjuhës shqipe të bazohej në dialektin geg jugor të Elbasanit. Natyrisht që këto dy ide ishin akorde të mirëfillta të dijes, të përpunuara me kujdesin hulumtues të shkencëtarit.
Akoma në mosekzistencë, ai shihte me pagabueshmërinë e nuhatjes politike dhe studimit të evolucionit, pavarësinë e Shqipërisë, që do të donte një kryeqytet, e që ky kryeqytet do të duhej të ishte Elbasani. Në qendër të Shqipërisë, në një zonë fare shqiptare, e ku nuk mund të ndikonin rrethinat, atje ku shpërndaheshin rrugët si arteriet e një qenie, buzë Shkumbinit, në gjurmët e Via Egnaias, një rrugë e rrahur dhe e provuar për dobinë e saj që në lashtësinë romake, cili qytet tjetër do të gëzonte privilegjin për të qenë i parë?
Ndërsa përsa i përket gramatikës së gjuhës shqipe ai mendonte se duhej të bazohej në dialektin geg jugor të Elbasanit, si një dialekt që do të mund të kuptohej nga popullsia e veriut të Shqiperisë dhe po ashtu edhe nga ata të jugut. Që të arrish në një përfundim të tillë dhe të ndërtosh gramatikën e një kombi të cilit nuk i përket, do të thotë se je njëjtësuar me gjuhën e atij kombi, ndoshta edhe më shumë, të jesh ngritur në një apogje gjuhësor, që jo shumë vetë mund ta arrijnë.