Guvernatori Sejko: – Ekonomia shqiptare rrezikon të jetë për një kohë të gjatë nën efektin e inflacionit!
27 Tetor 2022
Në konferencën vjetore, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se krizat financiare nuk kanë munguar. Gjithashtu ai shtoi se stimuli monetar rezultoi vendimtar për krizën dhe se nuk u përkthye në inflacion të lartë për krizën.
Artikujt e shportës me normë më të lartë inflacioni nuk janë vetëm mallra e shërbime me origjinë importi por dhe produkte që vlerën e shtuar e gjenerojnë në vend. Për qeveritë tensioni ekonomik e social që sjell inflacioni mbi shtresat më të varfra artikulohet në kërkesa të shtuara për mbështetje fiskale.
Plotësimi i këtyre kërkesave bëhet problematik sa kohë financat publike janë nën presioni e pasigurisë për të ardhmen dhe të kostove të rritura të financimit të borxhit. Politika monetare mbetet e ndërgjegjshme për balancën delikate për kontrollin e inflacionit dhe zbutjes së luhatjes ekonomike.
Për tregjet e ndërmjetësin financiar nivelet e larta te inflacionit tentojnë të shoqërohen me rritje të pasigurisë dhe rishikim të strategjive të tyre të zhvillimit. Për familjet e bizneset inflacioni i lartë përbën një sfidë për kostot e jetesës e biznesit dhe sfidë afatgjatë mbi planet e tyre financiare dhe të biznesit.
BSH e ka identifikuar nivelin e lartë të inflacionit si rrezikun primar për rritjen e qëndrueshme e afatgjatë të vendit e për kohezion social. Për këtë arsye kemi ndërmarrë normalizim gradual të politikës monetare, është rritur 4 herë norma bazë e interesit gjatë 2022 në 2.25%. Masë e domosdoshme për ruajtjen e ekuilibrave financiarë të vendit.”