Habit Rama: – Krijuam 698 mijë vende të reja pune, nga 300 mijë që premtuam
Habit Rama: – Krijuam 698 mijë vende të reja pune, nga 300 mijë që premtuam
– 19/01/21
Kryeministri Edi Rama është kritikuar vazhdimisht nga opozita dhe jo vetëm se nuk mbajti premtimin për 300 mijë vende pune, premtim me të cilin erdhi në pushtet në vitin 2013.
Në këto 7 vite, sipas të gjitha raporteve të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, rezulton se emigracioni është rritur me disa herë si dhe numri i azilantëve në vendet e BE, duke e renditur vendin tonë pas Sirisë në luftë. Dhe dihet botërisht tashmë pse po ikin shqiptarët.
Por Rama sot bëri një deklaratë të paimagjinueshme. Ai pretendon se qeveria e tij ka krijuar rreth 700 mijë vende pune, ndonëse premtoi vetëm 300 mijë. Në kushtet kur shqiptarët ikin nga sytë këmbët për shkak të kushteve të vështira ekonomike varfërisë dhe papunësisë, klima e biznesit nuk është aspak premtuese dhe efektet e pandemisë vitin e fundit me rreth 50 mijë të papunë, atëherë ku i gjen kryeministri 698 235 të punësuar të rinj.
“Ne kemi premtuar 300 mijë vende punë dhe duke iu referuar shifrave të regjistrit të punës në Shqipëri, hapeni dhe shikojeni dhe thajuni njerëzve që në regjistrimin e punës në fund të 2019 ka 698 235 punonjës të regjistruar. Janë apo nuk janë 250 mijë shqiptarë më shumë që paguhen dhe paguajnë sipas vendit të punës së tyre.
Në çdo drejtim në çdo aspekt është e njëjta gjë. Ndryshimi në raport me nga u nisëm është si nata me ditën. Ndryshimi në raport se ku duhet të shkojmë është muzgu me agimin. Nëse më thoni çfarë mendoj unë për atë që mendojnë njerëzit në aspektin ekonomik, unë them që ata nuk ka si të ndihen jo të lumtur, por as të kënaqur, por nga ana tjetër ata nuk kanë si të mos shohin që jemi në një kantier ndërtimi dhe është e dukshme se kush mund ta ndërtojë”, u shpreh Rama në konferencën me fokus ekonominë.
Shërbimet e biznesit online
Kryeministri Edi Rama bëri premtimin që brenda 4-vjeçarit të mandatit të tretë do të realizojnë që të gjitha shërbimet e biznesit të jenë online.
Në konferencën me gazetarët ku në fokus ishte ekonomia, kreu i qeverisë bëri të ditur se nëpërmjet këtij sistemit të kompjuterizuar në kohë reale do të jepen të dhëna për transaksionet për çdo individ që bën biznes në Shqipëri.
“Ajo që do të realizojmë është që brenda 4 vjeçarit të ardhshëm do të jetë online për biznesin. Dhe gjithë sistemi 30-vjeçar i punës me shkop në dorë i administratës tatimore do të kthehet në një sistem pune me mendje në kokë dhe nga një punë krahu, në kuptimin përdor forcën, do të kalohet në një punë inteligjente dhe truri i gjithë sistemit të kompjuterizuar që do të japë në kohë reale të dhëna për transaksionet për çdo individ që bën biznes në Shqipëri.
Kjo është një punë që ka filluar. Sot që flasim ka filluar me marrëdhënien biznes qeveri me një numër të konsiderueshëm transaksionesh dhe në dy faza të tjera do të futet biznes-biznes dhe më pas biznes – konsumator. Gjithë ajo histori e faturave dobio dhe i lojës që i madhi bën me të voglin që i vogli vihet në shërbim të të madhit do të marrë fund”, tha Rama.
Gazeta Mapo