Hahn: – Maqedonisë së Veriut shpresoj t’i hapen negociatat para verës. Çfarë thotë për Shqipërinë. –
Hahn: – Maqedonisë së Veriut shpresoj t’i hapen negociatat para verës. Çfarë thotë për Shqipërinë. –
13 prill 2019
Komisioneri për Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, thotë se Ballkani Perëndimor ka një dritare reale për perspektivën e integrimit, duke theksuar se BE, ka kohë që është angazhuar fuqimisht në rajon dhe ka mbështetur të ardhmen e tij si pjesë integrale e Unionit.
“Është në interesin tonë të angazhohemi në rajon, pasi kjo e bën BE-në më të fortë. Viti i kaluar ishte thelbësor, pasi u morën vendime historike mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Strategjia e Ballkanit Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian. Strategjia ripohon një perspektivë të qartë evropiane të rajonit “, shpjegon Hahn në një artikull të publikuar në revistën “Parliament Magazine”.
Ai nënvizon se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë një shembull i mirë se “si angazhimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor po ndihmon rajonin të ndërtojë një të ardhme më të mirë”.
Duke folur për marrëveshjen e Prespës midis Maqedonisë së veriut dhe Greqisë, ai është i bindur se shtetet anëtare të BE do të pranojnë përparimin e dukshëm të Maqedonisë së Veriut, duke hapur negociatat e pranimit para verës. Shqipëria është një tjetër shembull pozitiv edhe në rajon, shton ai.
“Ballkani Perëndimor tani ka një dritare reale të mundësive. Megjithatë, pranimi në BE është një sfidë, që kërkon përpjekje të forta të përbashkëta. Mbetet ende shumë për t’u bërë. Anëtarët e ardhshëm duhet të respektojnë vlerat e BE-së dhe të punojnë për pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal. Përveç kësaj, shtetet anëtare të BE-së duhet të përmbushin angazhimet e tyre në të cilat ata gjithmonë kanë rënë dakord në mënyrë unanime“, përfundon Hahn, cituar nga “Europeanwesternbalkans”.
/Panorama/