Hajmalia: – Besim dhe frikë
Hajmalia: – Besim dhe frikë
Nga Ermal Sela
Një botë e mbushur me simbole, me besime dhe frikë, me dëshira dhe urime që kanë ardhur nga thellësitë e shekujve deri në ditët tona . Një pjesë e shoqerisë beson tek hajmalitë, të cilat i sjellin atij që e mban, lumturi, fat, shëndet dhe të mira. Kjo shfaqet në shumë kultura ku objekte, relike, sende, gurë, kafshë, simbole etj, mendohet se janë fatsjellëse apo mbrojtëse dhe individët i mbajnë me vete ose jua japin të dashurve të tyre. Në disa besime fetare gjithashtu, me bekimin e klerikut ato janë mbrojtëse ndaj forcave “të liga”.
Hajmalitë i gjejmë dhe në kulturën shqipetare në formë briri, gjarpër shërues, objekte fatsjellëse të kënduara nga klerikë apo persona të cilët besohet se kanë fuqi të mbinatyrshme. Njëkohesisht hajmalitë mund të vendosen në vendet e dukshme ose të padukshme. Ato përdoren si nga praktikantët e besimit të krishterë ashtu dhe mysliman. Hajmalitë e dukshme janë prej metali, lecke dhe rrallë prej druri.
Hajmalitë e dukshme janë quajtur edhe stolitë të tilla si varset e pajisura me zinxhirë dhe të zbukuruara me gurë me ngjyra, topëza, tufëza, të punuara me metale të ndryshme. Hajmalitë e përdorura në formë stolish janë prej metalesh si argjend, bakër, të lara me argjend dhe flori. I gjejmë edhe të zbukuruara në punimin e filigramit. Hajmalitë e padukshme mbahen kryesisht nën rroba dhe ju vendoseshin individëve për t’i ruajtur nga syri i keq. Hajmalia e paraqitur në këtë fotografi është e zonës së Tiranës. E veçanta e këtij objekti është punimi në dru. Brenda saj vendosej një monedhë ose një frazë e shkruar në një copë letër. Hajmalia është e gdhendur me brisk. Në të dallojnë motivie mitike të brirëve të cjapit, kokës së gjarperit, elementi kultik iI diellit, kallinjtë e grurit. Në ditët e sotme gjejmë shumë pak ekzemplarë nga ky model. Fotografia marrë nga koleksoni privat i Ermal Seles.
Foto Koleksioni: Ermal Sela