Haki Stermilli: Miqësia ime me Ahmet Zogun. –
Haki Stermilli: Miqësia ime me Ahmet Zogu.
Haki Stermillit, (Dibër, 17 maj 1895 – Tiranë, 17 janar 1953) shkrimtarit, gazetarit, ish-kryetar i shërbimit sekret shqiptar në kapërcyell të 1923-’24 me dekret të Ahmet Zogut, partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i KANÇ-it dhe përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor, autor i romanit të famshëm tëviteve 30-te, “Sikur t’isha djalë” (1936). Shtepiabotuese “55” ka ribtuar romanin e tij “Kaloresi i Skenderbeut”. Me poshte autobiografiae tij e shkruar ne 1949″
AUTOBIOGRAFIA EME
Leva në qytet të Dibrës së Madhe më 7 maj 1895. Im atë nuk trashëgoi gja nga prindit e vet. Ime amë, bijë Agaji, kishte trashëguar një sasi toke, por kjo ishte shitë ma vonë për nevoja të familjes. Na kishte mbetë, mbaj mend, nji arë që nuk na e siguronte bukën dhe nja dy vneshte të vogla rrushi.
Familja e eme nuk qe e pasun dhe shtëpia e eme ishte në lagjen ma të vorfën të Dibrës, ku banojshin njerëz që me krahë e sigurojshin bukën. Im atë, plak, nuk kishte punë. Dy vëllaznit e mij ma të mëdhenj ndihmojshin familjen njani tue punue si shërbyes pranë funksionarëve otomanë dhe tjetri si çirak te nji qëndistar. Vëllau ma i madh prej meje , kur u rrit, hapi nji dyqan si qëndistar, kurse ai ma i madhi se ai, më 1911, u ba nëpunës kadastre. Me këtë mënyrë u përmirësua mjaft gjendja ekonomike e familjes teme dhe u ba, kujtoj, mikroborgjeze.
Prindërit e mij ishin besimtarë. Por të drejtë e të ndershëm. Unë u rrita dhe u edukova me frymën e besimit tue u edukue njikohësisht edhe pastërtia moralo-fetare. Mësimet fillestare pjesërisht i bana në Dibër dhe pjesërisht në Selanik, ku ndoqa mësimet edhe në klasën e parë të gjimnazit. Mbasandaj pesë klasat e gjimnazit i mbarova në Dibër dhe restin në Manastir, sikurse vërtetohet edhe në deklaratën në dy kopje që po paraqis, mbasi dokumentat shkollore më kanë humbë qysh më1913, në kohën e emigracionit tonë nga Dibra.
Lufta Ballkanike m’a rrëmbeu vëllaun e madh, i cili ra në frontin grek. Vdekja e tij më pikëlloi shumë dhe e mbylli shtegun e shpresave të mia për nji të ardhme të shkëlqyeshme, pse: a) ai ishte përparimtar dhe kujdesoheshe tepër për arsimin tem; b) pse unë, sipas zakonit, duhesh me u martue me gruen e tij që kishte nji djalë me të; c) pse familja nuk më lejoi me shkue në Vjenë e prej andej në Europë për me i vazhdue mësimet me bursë që ma kishte akordue qeveria e Isamil Qemalit. Për këto arsye dhe për shkak të okupacionit serb, u dëshpërova pa masë; sepse unë, veç të tjerave, qysh më 1907, kisha nisë me këndue shqip dhe kisha zhvillue nji aktivitet të mirë për mësimine gjuhës amtare dhe rrënjosjen e idealit kombëtar. E okupacioni serb formonte nji pengesë të madhe për arritjen e këtij qëllimi. Dëshpërimi u shtue gradualisht kur sebët filluen me e terrorizue popullin e pafajshëm, kur shtypën tradhtisht kryengritjen e parë të malësorëve të Dibrës së Madhe dhe dogjën me qindra shtëpi dhe vranë me qindra njerëz, kur kryengritja e dytë dhe e përgjithshme e Dibrës kundër serbve më 1913, përfundoi me shkrumbimin e mija shtëpijave dhe me masakrimin e mija njerëzve, kur u arratis dhe emigroi në Tiranë e n’Elbasan i tanë populli i Dibrës i ndjekun dhe i tmerruem prej serbve. Atëhere ndiva në vetvete nji revolucion shpirtënuer dhe u binda se nuk kishte drejtësi hyjnore. Qysh atëhere u bana ateist.
Kryengritsat e Shqipnis së mesme m’arrestuen në Tiranë, ku kisha shkue me fillue nga detyra si sekretar i prokurorisë. Por, për shkak të moshës së re, më falën. Ma vonë, kur isha n’Elbasan, tentuan me më arrestue kryengritsat e atjeshëm. Prandaj ika në Peshkopi, ku ende valonte flamuri i Shqipnis.
Mbas kthimit t’Esad Toptanit dhe ngrehjes së qeveris së tij në Durrës, megjithëse e kisha luftue dhe e urrefsha tepër, shkova në Durrës dhe u bana nënpunës për shkak se familjarisht vuejsha për bukën e gojës. Në fillim qeshë si tetar me nji bataljon dibranësh dhe ma vonë Drejtor i Protokollit në Ministrinë e Botores e të Pyjeve.
Më 1915, mbas aq vjet rezistence, u shtrëngova me u martue me të vejën e vëllaut që ra dëshmor më 1912.
Në kohën e okupacionit austro-hungarez, u emnova Sekretar i nënprefekturës në Mat. Kapitullimi i Austrohungarisë më 1918 më gjet zav.nënprefekt në Mat. Esadistët e Dibrës e të Matit që sulmuen ushtrinë e huej, grabitën e plaçkitën edhe nënprefekturën shqiptare. Prandaj, u largova dhe shkova në Burgajet, ku ngrita rishtazi flamurin dhe pak ditë më vonë mblodha popullin në kuvend , për shkak se ushtria jugosllave , mbasi kishte pushtue krejt qarkun e Dibrës, kishte ardhë në kufi të Matit. Populli, me përjashtim të atyre të paktëve që ishin esadistë, më dha besën se do të luftonte dhe do të bante çdo sakrificë për të mprojtë vendin, për me e mbajtë qetësinë dhe mbas kërkesës sime, i pajtoi gjaqet. Populli e mbajti besën deri në fund dhe armiku, me gjithë që tentoi, nuk mundi me e shkelë Matin.
Mbas okupacionit italian, shpesh pata konflikte me autoritete ushtarake italiane e shqiptare për qëndrimin e tyne jo luajal kundrejt popullit dhe për politikën e tyne që zhvillohesh në kundërshtim me vijën tonë kombëtare. Prandaj dhashë dorëheqjen. Më 1920, mbas Kongresit të Lushnjës, u emërova Sekretar i parë i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme dhe ma vonë shef i zyrës sekrete po i asaj Ministrie, ku shërbeva deri më 1924.
Me Ahmet Zogun, qysh kur isha në Mat, isha miqësue dhe ai tregohesh mirënjoftës kundrejt meje, për shkak se i kisha marë të motrat dhe ia kisha mbajt familjen kur ai ndodhesh jashtë Shqipërisë. Por kjo miqësi nisi me u trondit kur fillova me i diktue intrigat e tij që e çuen në tradhti. Vrasja e amerikanëve me shtytjen e tij, politika e tij pro jugosllave e shumë të tjera, më ban me i shkëput përgjithmonë lidhjet e mia miqësore dhe me u radhit në anën e kundërshtarëve të tij. Vjehrri i tij Sh. Verlaci, kur u ba Ministër i Brendshëm më 1924 që të merrte hakun e dhëndrit dhe të vetin, më transferoi në zyrën e shtypit me degradim. Unë dhashë dorëhekjen dhe zuna me shitë cigare. Duhet vu në dukë se grindja eme me Ah. Zogun pat fillue prej kohësh, qysh ahere kur unë isha ba anëtar i shoq. “Bashkimi” dhe ma vonë isha zgjedhë Sekretar i Përgjithsëm i kësaj shoqërie. Agjitacioni i Avni Rustemit m’i pat hapë sytë dhe pat ba efekt në mue. E kur u vra Avniu, më 22 prill 1924, e demaskova Zogun si kriminel e tradhtar dhe gjithë bejlerët, agallarët e pashallarët si të rrezikshëm për Atdheun.
Me rasën e varrimit të A. Rustemit, shkova në Vlorë. Mora pjesë në revol. e qershorit dhe u ktheva në Tiranë me armë në dorë.
Nuk mora nëpunësi në qeverinë e F. Nolit, për shkak se Ministri i Mbr. i asaj kohe Rexhep Shala më propozoi me shkue nënprefekt në ndonjë vend që të më pëlqente. Por kur unë nuk pranova me dal jashtë Tiranës, desh me më krijue nji nëpunësi speciale për mue , pa mendue se në këtë mënyrë do të randohesh populli me taks. Ky propozim më zemëroi. Prandaj bana një banak dhe përsëri nisa me shitë cigare.
Në gusht 1924, kur u ba Kongresi i Bashkimit, përsëri u zgjodha Sekretar i Përgj. i shoqërisë Bashkimi.
Kur u zhvillue gjyqi në gjykatën politike, mbas revolucionit të qershorit, kundër Ah. Zogut, unë me cilësinë time si sekretar i përgjithshëm i shoqërisë “Bashkimi” e padita si shtytës në vrasjen e Avniut dhe kërkova damshpërblim për shoqërinë. N’anën tjetër e padita për llogarinë teme dhe kërkova damshpërblim. Gjithashtu e padita në gjyqin që u zhvillue për vrasjen e amerikanëve dhe hudha dritë në rrjedhjen e ngjarjes që deri atëhere kishte mbetë e errët.
Më 24 dhetor 1924, kur Ah. Zogu e invadoi Shqipërinë me forca të huaja e mercenare, u arratisa e shkova në Itali. Nga Italia ma vonë, shkova në Francë, ku punova nëpër fabrika si punëtor për të siguruar bukën. Prej andej, më 1925, me ndërmjetësinë e Komitetit të Konares, shkova në B. Sovjetik ku qëndrova nja 13-14 muaj. Për shkak të gjendjes së mjerueshme të familjes seme që ishte arratis në Jugosllavi, u ktheva nga B.S. Në Austri, për shka të dyshimit që kishin, më arrestuan autoritetet e Vjenës dhe pastaj më ekspulsuen. Edhe autoritete fashiste italiane, për shkak të aktivitetit tem që paralizonte planet e tyne të përgatitura në dam të Shqipërisë, tentuan me më arrestue. Por unë u ika dhe u futa në Jugosllavi. Megjithkëtë edhe jugosllavët më arrestuan e më internuen në Mitrovicë. Vonë më lëshuen e më lëjuen me shkue në Manastir, ku kish shkue e kish zanë vend familja eme e ikun prej Ahmet Zogut. Në Manastir, jugosllavët më mbajtën nën vrejtje dhe nuk më lejuen të dalë jasht qytetit, makar për shëtitje. Asht e ditun se unë ndejta me duar të lidhuna në Jugosllavi. Punova dhe luftova kundër sundimtarëve gjakpirësa të vendit, dërgova artikuj në revistën “Federasjon Ballkanik” që dilte në Vjenë dhe që drejtohesh nga shoku Gjergj Dimitrov, në gazetën “Liria kombëtare” që botohesh në Gjenevë dhe që ishte organ i Kom. Rev. Shq. Dhe bile, me gjithë që nuk isha komunist dhe nuk kuptofsha nga marksizëm leninizmi, u përpoqa të punoj me njerëz përparimtarë nga celula komuniste në Dibër, në Strugë e në Manastir.
Këtu duhet shënue se gjatë emigracionit tem jashtë atdheut luftova me çdo mjet kundër A. Zogut dhe regjimit të tij, kundër fashizmit italian që po penetronte në Shqipëri politikisht dhe ekonomikisht, kundër organizatës Bashkimi Kombëtar që bante akrobacina politike në dam të atdheut tonë dhe mbrojta vijën e drejtë të Komitetit të “Konares”, ku unë bajsha pjesë qysh në krijimin e saj
Në mars të vitit 1929 më arrestuan jugosllavët dhe tue me trajtue si nji kriminel të rrezikëshëm, më përcollën dhe më dorzuen në Shqipni, ku u ndëshkova me pesë vjet burg si kundërshtar i Zogut dhe regjimit të tij. Këtë dënim e vuejta gati të gjithë, pse u lirova vetëm tre muej para se ta mbush kohën pesë vjeçare. Edhe në burg nuk më lanë të qetë dhe disa herë m’u banë kërcënime. Mbas arrestimit tem prej jugosllavëve dhe dorëzimit në Shqipëri, mora vesht ma vonë se personalitete të shquara të botës përparimtare si H. Barbys, Gj. Dimitrov, A. Ejnshtejn e të tjerë protestuan pranë fuqive të mëdha e qeverisë jugosllave për këtë akt arbitrar të qeverisë jugosllave që ishte në kundërshtim flagrant me të Drejtën ndërkombëtare dhe kërkuan nga Sekretariati i Lidhjes së Kombeve shpëtimin e sigurimin e jetës seme.
Mbas disa muajsh që kisha dalë nga burgu, u emrova nëpunës në shoq. SITA; ma vonë u bana magazinier.
Kur dola nga burgu, më detyruen me shkrue artikuj në shtyp, për të cilat më paguen, në mos gabohem, dy, tri herë nga dhetë napolona. Mbasandaj më porositën me botue librin “Burgu”, për të cilin i paguen të gjitha shpenzimet e shtypshkrimit. Kërcënimet për më ndejt urtë dhe me shkrue në shtyp mirë për Zogun vazhduen deri ditën e fundit. Dhe unë, po e them hapët, u përkula dhe u ndrydha nën këtë peshë robinje si nji skllav. A. Zogu, me këtë mënyrë, e muer prej meje jo vetëm hakun e kundërshtimit që i kisha ba, por e shfreu tan urrejtjen që i ishte ngjallë nga padia që unë kisha ba kundër tij në gjyqin politik për vrasjen e amerikanëve, të Avniut etj.
Edhe në Lëvizjen e Fierit më arrestuan, po nuk më mbajtën shumë kohë dhe më liruen. Megjithë që Zogu dhe regjimi i tij ma kishin shtypë shpirtin, okupacioni fashist më egërsoi tepër dhe më bani të hudhem në luftë kundër këtyre barbarëve, të maskuem nën petkun e të qytetnuemit. Ata shpallën se më banë fashist, kur unë e urrejsha fashizmin, banë telegrame fallco në emër tem, pa i nënshkrue unë, më propozuen të bahem prefekt dhe m’u kërcënuen që ta pranojsha uniformën dhe pozita ma të nalta dhe u përpoqën me më afrue e me më mashtrue. Por kot se unë rezistova. Deri në Konfrencën e Pezës, punova ashtu si ma muer mendja se mund t’i shërbeja popullit e Atdheut. Mbas Konferencës u rreshtova në kampin e Frontit Nac. çl. Bana shërbime të ndryshme në lidhje me luftën tonë dhe kryesova në Tiranë një Këshillë Nac. çl. intelektualësh, në të cilin si sekretar ishte shoku G. Strazimiri. Gjithashtu kontribuova në formimin e Këshillit Nac. çl. të lagjes Çesmeja e Shahbegut në Tiranë.
Më 31 korrik 1943 u hodha në ilegalitet me urdhër të P.K.Sh. dhe qëndrova jashtë deri në çlirimin e plotë të Atdheut. Në Mukaj mora pjesë si përfaqësues i Frontit Nac. çl. Bana pjesë në çetën partizane të Sllovës në Dibër. Mbas kapitullimit të Italisë fashiste u zgjodha Kryetar i Këshillit Nac. çl. të Peshkopisë dhe ma vonë të Dibrës së Madhe. Në Konferencën e Labinotit u zgjodha anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nac. çl. Në shtator 1944, kur erdhën në Dibër forcat Divizionit të I rë S. U zgjodha n/kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës së Peshkopisë, por në realitet unë isha dhe mbeta deri në fund kryetar pse Faik Shehu, i shënuem prej nesh si kryetar, jo vetëm nuk ishte i zoti me krye këtë detyrë, por as që rrinte në Peshkopi. Mora pjesë në Kongresin e Beratit, ku u zgjodh qeveria e jonë dhe u dhanë aq vendime me randësi. Më 1945 u zgjodha Kryetar i Frontit Nac. çl. të Prefekturës së Peshkopisë dhe m’u ngarkua detyra e përgjegjësit të shëndetësisë në prefekturë. Ma vonë u zgjodha dhe kryetar i Kryqit të Kuq në qark. Në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, u zgjodha asamblist i prefekturës së Peshkopisë dhe sot jam deputet. Në tetor 1946 u transferova në Tiranë, ku u emrova Drejtor i Bibliotekës Kombëtare.
Jam shkrimtar dhe si i tillë baj pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë. Deri tashti kam botue gjashtë vepra, nji numër novelash e artikujsh. Kam gati për ripunim 6-7 vepra të cilat do t’i dorëzoj në të ardhmen.
Jam dekorue me Urdhrin e Flamurit dhe Medaljen e Kujtimit.
Më 22 tetor 1949 u transferova dhe u emrova Drejtor i Muzeumit të Luftës Nacionalçlirimtare.
Nuk kam as shtëpi, as tokë, as dhe ndonji pasuni.
Gjatë jetës seme luftova për nji atdhe të lirë dhe për nji drejtësi shëmbëllore. Për këtë shkak vuejta mjaftë. Disa herë u përkula, pse nuk qeshë aq i fortë dhe disa herë bana gabime pse vija e eme nuk ishte e sqaruese.
F. L. P.Drejtor i Muzeumit të Luftës Nacionalçlirimtare
Haki Stërmilli D.V.
Tiranë, më 24 – X – 1949