Halucinacione, trauma. – Çfarë ka lënë pas kovidi te pacientët e infektuar!
Halucinacione, trauma. – Çfarë ka lënë pas kovidi te pacientët e infektuar!
16 SHTATOR 2020
Në Indi, numri i rasteve me koronavirus, në kufijtë e ekstremit, ka ngritur një tjetër alarm: probleme serioze të shëndetit mendor te pacientët me Covid-19, shkruan Vikas Pandey i BBC.
Rajesh Tiwari, 42 vjeç, iu zhvillua një fobi për çdo ekran që është më i madh se telefoni i tij celular. Ai mendon se ekranet e mëdha, televizorët dhe monitorët e kompjuterëve, janë krijesa gjigante që mund ta sulmojnë atë.
Tiwari filloi të përjetonte halucinacione pas një qëndrimi të gjatë në kujdes intensiv. Në fillim të qershorit ai ishte testuar pozitiv për koronavirus dhe u shtrua në një spital privat pasi gjendja e tij u përkeqësua, informon dritare.net.
Tiwari u shërua pas gati tre javësh në spital. Por ai shpejt e kuptoi se shërimi i tij nuk ishte i plotë.
“Tani jam më mirë sepse kërkova trajtim, por javët e para pas daljes nga spitali ishin shumë të vështira,” tha ai.
Familja e Tiwari ishte e lumtur që ai do të kthehej në shtëpi, por pas një kohe ata e kuptuan se diçka nuk shkonte me të. Një ditë, ai u përpoq të shkatërronte televizorin. Familjes iu desh të ndalonte së shikuari TV dhe askush nuk lejohej të përdorte laptop në shtëpi. Tiwari tha se po luftonte për të harruar imazhet e ekraneve në spital.
Amit Sharma dhe familja e tij kishin një përvojë të ngjashme. Sharma, 49 vjeç, kaloi 18 ditë në ICU dhe pa njerëz që vdisnin çdo ditë. Të rinj dhe të moshuar, burra dhe gra, informon dritare.net.
“Një ditë, dy pacientë afër meje vdiqën dhe trupat e tyre qëndruan aty për disa orë,” tha ai. “Thjesht nuk mund t’i heq ato imazhe nga koka ime. Unë ende kam frikë se Covid mund të më vrasë.”
Sharma po përpiqet të harrojë përvojën traumatike. Ai u bë më i qetë në shtëpi pas shërimit, tha xhaxhai i tij.
“Dhe sa herë që fliste, gjithmonë biseda kishte të bënte me pacientët që kishte parë të vdisnin në pavijonin Covid,” tha ai.
Shumë pacientë të infektuar me koronavirus, në Indi po përjetojnë shqetësime të shëndetit mendor, tha Dr Vasant Mundra, një psikiatër i vjetër, dhe veçanërisht ata që kaluan një kohë të gjatë në një ICU.
Pacientët Covid-19 nuk lejohen të takojnë familjen dhe ata nuk mund të shohin fytyrat e mjekëve dhe infermierëve të tyre, të cilët mbajnë maska mbrojtëse në çdo kohë. Kjo te pacientët ishte traumatike, duke ulur edhe besimin ndaj mjekëve, tha Dr A Fathahudeen, kreu i departamentit të kujdesit kritik në Ernakulam Medical College në jug të Indisë.
Çështjet e shëndetit mendor te pacientët me koronavirus nuk po marrin vëmendjen e mjaftueshme, paralajmërojnë mjekët.
India nuk ka pajisje dhe ekspertë për të trajtuar pacientët e shëndetit mendor, dhe situata është më e keqe në qytetet më të vogla ku njerëzit shpesh nuk janë në gjendje as të njohin simptomat.
- Dritare net