HANI I HARAQISË (Gjakovë) – Monument. –
Kompleksi Hani i Haraqisë gjendet në afërsi të Xhamisë së Hadumit, kjo dëshmon për vjetërsinë e këtyre objekteve.
Objektet pjesën më të madhe të kohës kanë shërbyer si bujtinë (hotel), ku udhëtarët kanë ardhur në qytet për tregti, kanë fjetur, janë ushqyer dhe në oborrin e objektit (karvansarajet) i kanë lënë kafshët, që i kanë përdorur për transport. Ami Bue përmend në vitin 1835 hanin e bukur të Haraqisë dhe të Islam Agës në Gjakovë.
Mylleri më 1838 përmend hanin dhe karvansarajin e madh të Gjakovës, që strehonte deri në 100 mysafirë, tregtarë me kafshët e tyre. Sot hani shërben si objekt hotelier dhe për organizime të ndryshme. Kompleksi në fjalë përbëhet nga Hani i Vjetër në përëndim dhe Hani i Ri në lindje. Hani i Vjetër supozohet të jetë ndërtuar pas ndërtimit të Xhamisë së Hadumit, ndërsa Hani i Ri është ndërtuar në vitin 1901. Hani i Vjetër është objekt i ndërtuar në dy etazhe. Përdhesa është e ndërtuar me gurë, ndërsa kati me tulla të pjekura dhe hatulla.
Objekti përbëhet nga hajati, që është i vendosur në tërë gjatësinë e hanit me një çardak në mes, me dimensione të mëdha. Përdhesa është e përbërë nga një “triem” i hapur, në shtylla të drurit të bungut, të mbështetura në gurë të dekoruar. Të gjitha tavanet janë dekoruar nga druri i gdhendur, kurse hapësirat e brendshme të hanit janë të dekoruara me stil tradicional qytetar. Hani i Ri është i ndërtuar në dy etazhe: përdhesja nga guri, ndërsa kati nga tulla të pjekura me hatulla. Konstruksioni i meskatit është ndërtuar nga trarë të drurit.
Po ashtu, edhe konstruksioni i kulmit është nga druri me strehë të gjatë, i mbuluar me tjegulla tradicionale. Tek objekti i Hanit të Vjetër karakteristikë është fakti se si trarët e konstruksionit të ndërkatit, e po ashtu edhe shtyllat e çardakut, dallohen për dimensionet e mëdha që kanë. Hanit të Ri në hapësirat e brendshme i janë ruajtur dekoret me stil tradicional qytetar. I vendosur në kryqëzimin e rrugës kryesore me rrugën e “Kutixhinjve”, kompleksi i Hanit të Haraqisë merr një pamje impozante dhe dominuese. Gjatë vitit 2005 në Hanin e Ri janë kryer puni konservuese si në enterier ashtu edhe në eksterier.
me