Hani i Pazarit Korçë – Një nga asetet turistike të hotelerisë
12 Janar 2024
“Hani i Pazarit” është një nga asetet turistike të hotelerisë korçare. Një nga hotelet më të veçantë që ka Korça, me bar dhe restorant që i përshtatet të gjitha kërkesave të klientëve. Tek ky hotel gjejmë ndërthurrjen e tradicionales me modernen, me ndërtesën prej guri e me elementin e drurit që mbizotëron në çdo dhomë të tij. Sapo hyn në ambjentin e hotelit ndeshemi me një pamje mjaft të bukur, ku në qendër ndodhet një pus uji, i kthyer në një pikë fotografish për vizitorët. Historia që lidhet me hotelin është shumë interesante pasi vite më parë kjo zonë ka funksionuar si han, e sot është mbajtur po ky emër për të kujtuar edhe traditën korçare. Recepsionisti i hotelit, Vilson Demko tregon më shumë lidhur me historinë e ndërtimit të hotelit.
Në total hoteli përmban 22 dhoma, secila ka të veçantat e saj dhe ofrojnë një mikpritje dhe komoditet për vizitorët. Krahas ndërthurrjes së tradicionales me modernen, dhomat kanë ndryshim në ngjyrat e zgjedhura për to, si edhe në hapësira.
Shërbimi i një cilësie të lartë është pika kyçe e këtij hoteli, po ashtu edhe një menu mjaft të pasur me produkte bio dhe gatime tradicionale për të cilat turistët zgjedhin të vizitojnë Korçën.
Organizimit të restorantit i shtohet edhe muzika live. Çdo të premte e të shtunë, jo vetëm në periudhë festash por edhe gjatë gjithë vitit, tek Hani i Pazarit organizohen mbrëmje me muzikë live. Serenatat korçare mjaft të pëlqyera mund të “shijohen” e ti japin darkës një kënaqësi ndryshe nga një ditë të zakonshme që të largon plotësisht nga rutina.
Sa i përket rezervimeve, për fundvit ato janë mbyllur thuajse dy muaj para e kjo tregon interesin e lartë të vizitorëve që zgjedhin Korçën. Qyteti juglindor është kthyer prej vitesh epiqendër e festimeve dhe mbledh një numër shumë të lartë turistësh. Sipas Vilsonit, në këtë periudhë festash, pjesa më e madhe e turistëve janë shqiptarë, por nuk mungojnë dhe turistët e huaj.
Menuja festive është ndryshe për këtë fundvit, ndërsa përshtypjet e klientëve mbeten ndër më të mirat për shërbimin dhe mikpritjen në Hani i Pazarit.
Pazari i Vjetër i Korçës është më i preferuari i turistëve, me një larmishmëri baresh e restorantesh, por edhe me hotelin Hani i Pazarit që ndodhet në hyrje të kësaj zone.