1 Shkurt 2024

Arben Ahmetaj, hapat e parë në politikë i ka pasur pranë demokratëve. Në vitin 1992 ai ka shërbyer në Ministrinë e Financave si këshilltar i ministrit demokrat Genc Ruli. Këto detaje gazetari Adriatik Doçi i ka treguar në Repolitix teksa po diskutohet mbi lëvizjen e fundit të ish zv kryeministrit që pritet të japë nesër një intervistë nga arratia në televizion.

“Ahmetaj e ka nisur karrierën si këshilltar i Genc Rulit ish ministrit të Berishës. A është rikthyer në atë kohë nga Greqia ku ka bërë mbledhje dardhash mollash punë e zakonshme. Pas 92 që ka shërbyer si këshilltar i Rulit më pas është konvertuar në socialist ku ka kapur të gjitha postet. Të gjitha postet i ka nga PS. Pas 30 vitesh karrierë të jashtëzakonshme në krye të doganave të financave të Shqipërisë… pas 30 vitesh shkon në Zvicër dhe do të pretendojë se e përndjek partia e tij politike. Besoj çdo njeri do donte që ta kishte këtë lloj përndjekje nga partia. Nuk ka përndjekje më spektakolare”, tha Doçi.
Ndërsa artikuloi se Ahmetaj po përdor taktika të ngjashme me të Berishës përmendi dhe faktin se ai ka kontraktuar studio ligjore amerikane.

“Ka kontraktuar studio ligjore amerikane që besoj se vetëm kontraktimi ka kushtuar mbi 400 mijë euro, që është e dyshimtë se nga i ka marrë këto para. Taktikë e ndjekur dhe nga Berisha”, tha Doçi.

Gazeta Sot