Hapet beteja ligjore ndaj Izraelit për gjenocid në Gaza, çështja në Gjykatën e Lartë të OKB
11 Janar 2024
Një betejë ligjore nëse lufta e Izraelit kundër Hamasit grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Gazë përbën gjenocid, hapet të enjten në gjykatën më të lartë të Kombeve të Bashkuara me seancat dëgjimore pasi Afrika e Jugut u bëri thirrje gjyqtarëve që të urdhërojnë pezullimin e menjëhershëm të veprimeve ushtarake të Izraelit. Ndërsa Izraeli i mohon plotësisht akuzat për gjenocid.
Afrika e Jugut e dërgoi Izraelin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për “gjenocid” gjatë luftës së tij në enklavën palestineze. Gjykata ka vendosur ta shqyrtojë kërkesën e Afrikës së Jugut në seanca dëgjimore më 11 dhe 12 janar. Rasti, mund të zgjasë disa vjet. Izraeli i konsideron të padrejta dhe të njëanshme gjykatat e OKB-së dhe ato ndërkombëtare. Por ai po dërgon një ekip të fortë ligjor në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të mbrojtur operacionin e tij ushtarak të nisur pas sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi.
“Unë mendoj se ata kanë ardhur sepse duan të shfajësohen dhe mendojnë se mund t’i rezistojnë me sukses akuzës për gjenocid,” tha Juliette McIntyre, një eksperte për të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Australisë Jugore.
Seancat dëgjimore paraprake në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë fillojnë me avokatët për Afrikën e Jugut duke u shpjeguar gjyqtarëve pse vendi ka akuzuar Izraelin për “veprime dhe mosveprime” që janë “në karakter gjenocidal” në luftën në Gazë. Seanca hapëse e së enjtes përqendrohet në kërkesën e Afrikës së Jugut që gjykata të vendosë urdhra të përkohshëm detyrues, duke përfshirë ndalimin e fushatës ushtarake të Izraelit. Një vendim mund të marrë disa javë. Ofensiva e Izraelit ka vrarë më shumë se 23.200 palestinezë në Gaza, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi.
Rreth dy të tretat e të vdekurve janë gra dhe fëmijë, thonë zyrtarët shëndetësorë. Në sulmin e 7 tetorit militantët palestinezë vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë. Ata rrëmbyen rreth 250 të tjerë, gati gjysma e të cilëve janë liruar. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e hodhi poshtë rastin si “të pameritë” gjatë një vizite në Tel Aviv të martën.
“Është veçanërisht e hidhur, duke pasur parasysh se ata që po sulmojnë Izraelin – Hamasi, Hezbollahu, Huthit, si dhe mbështetësi i tyre Irani – vazhdojnë të bëjnë thirrje për asgjësimin e Izraelit dhe vrasjen masive të hebrenjve”, tha ai.
Gjykata botërore, e cila vendos për mosmarrëveshjet midis kombeve, nuk e ka gjykuar kurrë një vend si përgjegjës për gjenocid. Rasti i fundit ishte në vitin 2007 kur vendosi se Serbia “shkeli detyrimin për të parandaluar gjenocidin” në masakrën e korrikut 1995 nga forcat serbe të Bosnjës ndaj më shumë se 8.000 burrave dhe djemve të Srebrenicës. Afrika e Jugut “do të ketë një kohë të vështirë për të kapërcyer pragun” për të provuar gjenocidin, tha McIntyre.
“Nuk është thjesht një çështje e vrasjes së një numri të madh njerëzish,” shtoi ajo në një email për Associated Press.
“Duhet të ketë një qëllim për të shkatërruar një grup njerëzish (të klasifikuar sipas racës ose fesë për shembull) tërësisht ose pjesërisht, në një vend të caktuar”, tha ajo.
Në një dokument të detajuar prej 84 faqesh që nis çështjen në fund të vitit të kaluar, Afrika e Jugut pretendon se Izraeli e ka demonstruar këtë qëllim. Izraeli u përgjigj duke këmbëngulur se vepron sipas ligjit ndërkombëtar dhe se i fokuson veprimet e tij ushtarake vetëm kundër Hamasit, duke shtuar se banorët e Gazës nuk janë armiq. Ai pohoi se vepron për të minimizuar dëmin ndaj civilëve dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në territor. Një konventë e gjenocidit u hartua në vitin 1948 pas Luftës së Dytë Botërore dhe vrasjeve të gjashtë milionë hebrenjve në Holokaust. Si Izraeli ashtu edhe Afrika e Jugut janë nënshkrues.
Në dosjen e saj me shkrim, Afrika e Jugut thotë se iu drejtua gjykatës “për të vendosur përgjegjësinë e Izraelit për shkeljet e konventës së gjenocidit; për ta mbajtur atë plotësisht përgjegjës sipas ligjit ndërkombëtar për këto shkelje” dhe për të “siguruar mbrojtjen urgjente dhe më të plotë të mundshme për palestinezët në Gaza, të cilët mbeten në rrezik të madh dhe të menjëhershëm të vazhdimit dhe akteve të mëtejshme të gjenocidit”. Një ekip avokatësh që përfaqësojnë Afrikën e Jugut do të paraqesin për tri orë argumente në sallën e madhe të drejtësisë të veshur me panele druri në gjykatën botërore. Ekipi ligjor i Izraelit do të ketë tri orë kohë të premten në mëngjes për të hedhur poshtë akuzat.
Në mesin e delegacionit të Afrikës së Jugut do të jetë edhe ish-udhëheqësi i opozitës në Mbretërinë e Bashkuar, Jeremy Corbyn, udhëheqja e të cilit, e Partisë Laburiste të qendrës së majtë, ishte njollosur nga akuzat për antisemitizëm. Ai është një mbështetës i gjatë i kauzës palestineze dhe një kritik i ashpër i Izraelit. Human Rights Watch tha se seancat do të sigurojnë shqyrtim në një sallë gjyqi të OKB-së për veprimet e Izraelit.
“Rasti hap një proces ligjor në gjykatën më të lartë në botë për të shqyrtuar në mënyrë të besueshme sjelljen e Izraelit në Gazë me shpresën për të pakësuar vuajtjet e mëtejshme”, tha Balkees Jarrah, nga kjo organizatë.
Gjykata e OKB-së, me seli në një periferi të Hagës, në Holandë, merret me mosmarrëveshjet midis kombeve. Gjykata Ndërkombëtare Penale, e vendosur pak më larg në të njëjtin qytet holandez, ndjek penalisht individë për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. / REL
Gazeta Dita