Hapet për publikun një pjesë e pallatit mbretëror britanik
17 Korrik 2024
Dhoma e famshme e ballkonit të Pallatit mbretëror Buckingham, ku monarku dhe anëtarët e tjerë të familjes mbretërore mblidhen në raste të veçanta dhe përshëndesin turmat, do të hapet për publikun për herë të parë.
Vizitorët nuk do të jenë në gjendje të dalin në ballkon, por do të mjaftohen me një vështrim përmes perdeve. Shumica e vizitave 45-minutëshe me guidë, tashmë janë shitur. Një biletë e tillë për momentin kushton 75 paundë.
Pas pesë vitesh punë rinovimi në Krahun Lindor të Pallatit Buckingham, më në fund një pjesë e tij po hapet për publikun dhe synimi i mëtejshëm është të ruhet dhe të përmirësohet aksesi në ndërtesën historike për brezat e ardhshëm.
Dhoma qendrore me ballkonin e famshëm, ndoshta do të jetë pjesa më e kërkuar e turneut. Muajin e kaluar, Catherine, Princesha e Uellsit iu bashkua anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore në ballkon për të festuar ditëlindjen e Mbretit, në daljen e saj të parë publike që kur u diagnostikua me kancer.
Në dhomën qendrore, do të ekspozohet një llambadar xhami, së bashku me dy perde mëndafshi kineze të shekullit të 18-të, të cilat iu dhanë Mbretëreshës Viktoria nga Perandori i Kinës për të festuar Jubileun e saj të Diamantit në 1897.
Vizitorët gjithashtu do të kalojnë nëpër korridorin kryesor të pallatit dhe do të admirojnë veprat e piktorëve anglezë Thomas Gainsborough, Thomas Laërence dhe piktorit gjerman Franz Xaver Winterhalter. Koleksioni i artit dhe qeramikës aziatike i George IV, u zhvendos në pallat, ku qëndron edhe sot e kësaj dite.
Victoria dhe Princi Albert ishin të parët mbretërorë që përdorën Pallatin Buckingham si një shtëpi familjare, pas martesës së tyre në 1840. Krahu Lindor u ndërtua midis 1847 dhe 1849, për të akomoduar familjen e tyre në rritje.
Sot, Buckingham Palace përdoret kryesisht për takime dhe ngjarje zyrtare. Kryeministri i ri i Britanisë, Keir Starmer, së fundmi u takua me mbretin Charles III në pallat, ku Mbreti i kërkoi zyrtarisht të formonte një qeveri të re.