Hapja e dosjeve, Gurakuqi: Si u zhdukën brenda 1 viti
Disa deputetë të PD-së kanë aplikuar vullnetarisht për marrjen e certifikatës së pastërtisë së figurës, e cila vërteton se nuk kanë lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit. Njëri prej tyre është deputeti i qarkut të Shkodrës, z.Romeo Gurakuqi, i cili thotë për “Gazeta Shqiptare” se këtë veprim e mori vullnetarisht dhe i padetyruar nga askush. Por, z.Gurakuqi shpreh shqetësimin e tij për mënyrën se si veprohet për hapjen e dosjeve, pasigurinë e ruajtjes së tyre dhe zhdukjen në masën 70 për qind brenda 1 viti gjatë kohës që Ministria e Brendshme drejtohej nga Gramoz Ruçi. Romeo Gurakuqi flet edhe për dëbimin e familjes së tij nga Tirana në vitin 1948, ndërsa shprehet: “Dera e Shqipërisë duhet të jetë e hapur për bijtë dhe nipërit e mbesat e Shqipërisë së persekutuar, që u nxor jashtë me marifet nga viti 1991”.
Romeo Gurakuqi prej 7 vitesh punon në një projekt individual, që do të kurorëzohet në muajin shkurt 2018, të titulluar “Shqipëria dhe Tokat e Lirueme 1939-1946”. Sipas tij, dy vite të kësaj historie kanë të bëjnë me vitet e para të ndërtimit dhe të veprimtarisë së organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, në Shqipëri dhe në Kosovë.
Z.Gurakuqi është e vërtetë që ju keni marrë certifikatën e pastërtisë së figurës që nuk keni asnjë lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit?
Po, është e vërtetë që e kam marrë certifikatën nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit. E kam bërë që në muajin korrik të vitit 2017 dhe brenda disa javëve kam marrë përgjigjen për pastërtinë e figurës.
Keni aplikuar i detyruar apo në mënyrë vullnetare?
Kam aplikuar në mënyrë krejtësisht vullnetare pa pasur detyrim nga askush. Nuk e kam bërë publike, sepse nuk mu duk e nevojshme një gjë e tillë. E bëra vullnetarisht dhe i padetyruar nga askush. E konsideroj një detyrim moral që kemi ndaj publikut.
Kur keni aplikuar?
Kam aplikuar ‘online’ në fund të korrikut 2017. Nuk kisha asnjë problem, por doja ta kisha këtë certifikatë para se të merrja mandatin e deputetit.
Për sa kohë e keni marrë këtë certifikatë?
Pas aplikimit ‘online’, jam informuar pas 3 javësh nga Autoriteti dhe kam shkuar dhe e kam marrë certifikatën e pastërtisë.
Përveç jush, a ka zyrtarë të tjerë të PD-së që kanë vepruar njësoj si ju?
Mesa jam unë në dijeni ka edhe të tjerë nga Partia Demokratike, që janë pajisur me këtë certifikatë.
Besoni se marrja e certifikatës së pastërtisë duhet të jetë e detyruar dhe jo në mënyrë vullnetare?
Për mendimin tim, duhet të jetë e detyruar në mënyrë të veçantë për Policinë e Shtetit, punonjësit e Ministrisë së Brendshme dhe për gjyqtarët e prokurorët, për administratën e lartë dhe institucionin më të lartë të pushtetit. Sepse në organet e drejtësisë nuk mund të jenë individë që mund të kenë ushtruar dhunë tek të tjerët dhe as që kanë dëshmuar për dënimin e padrejtë të qytetarëve shqiptarë. E papranueshme pastaj është që brenda Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, të kenë një sistem kontrolli të ushtruar nga ish-funksionarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të diktaturës.
Ju personalisht a keni bashkëpunuar me Autoritetin e drejtuar nga zj.Sula?
Po, kam bashkëpunuar me Autoritetin. Më kanë ofruar bashkëpunim për seancën parlamentare që u bë para pak kohësh për ekzekutimin pa gjyq të ish-deputetëve dhe intelektualëve nga regjimi komunist. Ndërkohë prej 7 vitesh punoj në një projekt individual që do të kurorëzohet në muajin shkurt 2018 të titulluar “Shqipëria dhe Tokat e Lirueme 1939-1946”. Dy vite të kësaj historie kanë të bëjnë me vitet e para të ndërtimit dhe të veprimtarisë së organeve të ish- Sigurimit të Shtetit në Shqipëri dhe në Kosovë.
Si e vlerësoni ngritjen dhe punën e deritanishme të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit?
Është një hap i rëndësishëm, por mbi të gjitha duhet rregulluar raporti mes këtij Autoriteti dhe Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme është veç një magazinë, që nuk ka asnjë ngjashmëri me një arkiv normal. Hapi i parë që do të duhet të bëhet për të rregulluar rrugën drejt funksionalitetit të Autoritetit të Dosjeve, duhet të jetë shndërrimi i Arkivit të MPB në një institucion të mirëfilltë arkivor, modern dhe të ngjashëm me vendet e tjera europiane post-komuniste.
Autoriteti i Hapjes së Dosjeve është një institucion i pavarur, i cili ka të drejtë të operojë në Arkivin e MPB (që është i pavarur nga Autoriteti i Hapjes së Dosjeve), në sektorët e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Imagjinojeni ju si operohet dhe si zgjidhet raporti në mes punës së Autoritetit të Hapjes së Dosjeve dhe Arkivit të MPB, i pavarur nga ai: a ka një rregullore që garanton që dosjet janë të paprekshme dhe a ruhen dosjet e Arkivit të MPB nga një sistem i tretë i sigurisë shtetërore të informacionit?
Ju po thoni se dosjet nuk janë të sigurta…
Asnjë garanci nuk ka për këtë dhe asnjë procedurë të përcaktuar për ruajtjen, për arsye publike të dosjeve që një autoritet tjetër, siç është Autoriteti i Hapjes së Dosjeve, i merr në shqyrtim nga fondet e Arkivit të MPB? Kini parasysh pra se dosjet e Arkivit të MPB nxirren jashtë hapësirës së ruajtjes drejt të autoriteti tjetër.
Një mishmash i vërtetë procedural. Përveç kësaj, asgjë nuk ka rregulluar ligji mbi funksionalitetin e Autoritetit të Dosjeve, në institucione të tilla si AQSH, dosjet e divizioneve, që kanë bërë raprezaljet në fund të vitit 1944 dhe gjatë gjithë vitit 1945 në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë. Asgjë nuk ka rregulluar ligji mbi tagret e verifikimeve dhe procedurat e përcaktuara qartë të vjeljes së informacionit dhe hapjes së dosjeve në Arkivin e Forcave të Armatosura, pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe në Arkivin e MPJ.
Si mund të bëhet funksional ligji i hapjes së dosjeve?
Mbi të gjitha, për ta bërë funksional ligjin e hapjes së dosjeve duhet të rregullohen kushtet e punës së Autoritetit të Dosjeve. Institucioni e ka selinë diku pranë Gardës së Republikës, ndërkohë fondi i burimeve ndodhet në disa depo të lëna mënjanë pranë ish-Shkollës së Bashkuar. Imagjinojeni ju vetë si realizohet një procedurë normale në atë institucion!
Imagjinojeni vetë sigurinë e ruajtjes së informacionit! Këtu nuk është çështje e pabesueshmërisë së punonjësve. Nuk është fjala këtu. Në çdo shtet normal, dokumenti shtetëror ruhet dhe garantohet me rreptësinë më të madhe, me kamera sigurie dhe me ruajtje fizike 24 orë. Po ashtu, nga 66 veta administratë organike, institucioni i dosjeve funksionon sot me 18 veta. Opozita desidente e papërfaqësuar fare në pikëpamje thelbësore profesionale dhe jo politike. Për të ardhur keq, se punonjës të ish- strukturave të policisë së fshehtë mbikëqyrin punën e institucionit.
Thënë ndryshe, rezulton se politikisht vendimmarrësit e kësaj sipërmarrjeje praktikisht kanë hedhur një fasadë, por nuk kanë arritur të ndërtojnë të gjithë mekanizmin real të funksionimit të këtij institucioni. Përveç kësaj, duhen dhënë shpjegime për eliminim e dosjeve, shkatërrimin e tyre gjatë vitit 1990 dhe fillimit të vitit 1991, si dhe të jepet një fond për gjetjen e të zhdukurve, pasi ka njerëz të pushkatuar, që nuk u gjenden eshtrat dhe nuk dihet vendi ku janë varrosur.
Sipas jush, a janë manipuluar dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit?
Nuk besoj, por jam i bindur se dosjet në masën 70 për qind janë zhdukur. Dosjet nuk janë mbyllur, por janë zhdukur.
Në cilën periudhë ka ndodhur zhdukja e dosjeve?
Zhdukja e dosjeve ka ndodhur në arkivat e Degëve të Punëve të Brendshme të varura nga Ministria e Brendshme dhe nga ish-Sigurimi i Shtetit, ka ndodhur në fund të vitit 1990 dhe në fillim të vitit 1991, sipas rrëfimeve të pakontestuara deri më tani.
Titullarët e këtyre institucioneve të asokohe duhen pyetur për fatin e tyre. Verifikoni kush ka qenë në krye të këtyre institucioneve dhe pyetini. Është detyrim i shtypit për ta filluar së pari hetimin për interesa publike.
Në atë kohë Ministria e Brendshme është drejtuar nga Gramoz Ruçi, por si e shpjegoni faktin që tashmë ai është në krye të Kuvendit të Shqipërisë?
Është rrjedhim logjik i të gjitha zhvillimeve që ka pësuar Shqipëria në aspektin e kontrollit politik majtist të lirisë, në periudhën pas vitit 2013. Për fat te keq, vendi ka bërë hapa prapa dhe imagjinojeni ju tani, kur përfaqësuesit e ish-institucioneve të diktaturës janë strukturues të organit të hetimit, orientojnë hetimin dhe ndërtojnë edhe drejtësinë e re. Vendi ka pësuar hapa prapa dhe kjo duhet të ndalet.
A është persekutuar familja juaj nga regjimi komunist?
Jemi nxjerrë jashtë prej Tiranës në vitin 1948, nga shtëpia jonë në lagjen “Abdullah Bej”, rruga “Ali Pashë Gucia”. Kryetari i Degës së Punëve të brendshme të asaj kohe, Besim Selita, ka qenë ideatori dhe realizuesi i deportimit të familjes dhe rekrutimit të detyruar në ushtri të babait tim, universitar, i kthyer nga studimet nga Universiteti i Firences.
Regjimi deportonte familjen e gjyshit tim, aktivist i Rilindjes dhe Pavarësisë, bashkëthemelues i gazetës “Bashkimi i Kombit”, Manastir 1909; themelues i Postës Shqiptare dhe pjesëmarrës i opozitës Noli-Gurakuqi-Vinjau. Për fat kjo kthesë në jetën e familjes është shumë pak në krahasim me atë çfarë kanë vuajtur mijëra dhe mijëra familje të Tiranës, Shkodër, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, që nga agimi i 17 nëntorit 1944.
Çfarë duhet të bëjë PD-ja më tepër për shtresën e ish- të përndjekurve politikë?
Përfaqësuesit e desidencës së mirëfilltë, liberal- demokratike do të vazhdojnë të përforcojnë bazamentin politik të PD-së. Radha e punëve të mira për këtë shtresë duhet t’u shtohet punëve pararendëse të bëra në kohë, me qëndrueshmëri. Para së gjithash, duhet të kujtoj se përfaqësuesit e brezit të ri të kësaj shtrese më së shumti nuk jetojnë në Shqipëri.
Klasa politike në kohë të ndryshme i ka nxjerrë jashtë, dera e Shqipërisë duhet të jetë e hapur për bijtë dhe nipërit e mbesat e Shqipërisë së persekutuar që u nxor jashtë me marifet, nga viti 1991. Kjo është e para gjë ku duhet të insistohet. Më pas janë çështjet e tjera të pazgjidhura.
Intervistoi: “Gazeta Shqiptare”