13 Nentor 2024

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim deputetin shqiptar të Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Biseda u fokusua në sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe angazhimin e Shqipërisë në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të tyre. Presidenti Begaj siguroi Kamberin për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare ndaj çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Çështjet e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës mbeten parësore për ne deri në zgjidhjen e tyre”, u shpreh Begaj gjatë bisedës me deputetin Kamberi.

“Hapja e afërme e Konsullatës së Përgjithshme në Bujanoc është një hap i rëndësishëm. Nuk duhet që askush në shekullin XXI të dënohet për përdorim të simboleve kombëtare, për mbajtjen e flamurit”, vlerësoi Presidenti i Republikës.

“Në takimet e mia me ndërkombëtarët kam theksuar domosdoshmërinë e ndalimit të pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës dhe njohjen e diplomave të të rinjve që mbyllin studimet në Shqipëri e Kosovë, si një e drejtë që garantohet edhe nga Procesi i Berlinit. Në fund, dua t’ju përgëzoj për të gjithë aktivitetin tuaj politik, për të gjithë avokaturën në Parlamentin e Serbisë për të mbrojtur çështjen, gjakun, dinjitetin shqiptar”, shtoi Presidenti Begaj.

Gazeta Sot