“Heronj të heshtur”/ Udhëtim në kohë, në banesën e vjeter në Bual të Përmetit

13 QERSHOR 2020  

Sot do të flasim për Kristaqin, i cili prej disa vitesh administron banesën e tij 120 -vjeçare, një godinë e shpallur nga Ministria e Kulturës “Monument Kulture”. Objekti ndodhet në fshatin Bual të Përmetit dhe për të shkuar deri atje, rruga është mjaft e mundimshme. Mbërrijmë në banesë rreth orës 9:00 të mbrëmjes sepse nga Tirana ishim nisur pak vonë. Atje na pret Kristaqi së bashku me gruan dhe djalin e tij. Çiltërsia dhe mikpritja e tyre të habit. Buzëqeshja nuk iu largohet për asnjë moment nga fytyra, a thua sikur e kanë të stampuar përjetësisht. Tryezën e gjejmë gjysmë të shtruar. “Nuk po ua sjellim ushqimin sa të qetësoheni pak, sepse kam hall se ftohet dhe nuk do të ju shijojë siç duhet. Do të shijoni ushqimet tipike të zonës dhe jam i bindur që do të ju pëlqejë”, thotë Kristaqi.

Fillimisht, ai na prezanton me banesën shekullore, të cilën e ka të trashëguar brez pas brezi. Mobilimi është bërë me kujdes, që të ruhet sa më shumë origjinaliteti. Teksa shikon dhomat, të duket sikur po bën një udhëtim në kohë. Të krijohet një panoramë e qartë se si kanë jetuar të parët tanë. Pas këtij procesi, ulemi për të ngrënë dhe darka është e shijshme. Kristaqi dhe gruaja e tij na rrinë në gatishmëri dhe ai kërkon që tía marrim këngës. “Nuk qenkeni fare qejflinj. Kush vjen këtu, duhet të këndojë dhe të rrij zgjuar deri në mëngjes”, thotë ai. Por për shkak të lodhjes preferuam që darkën ta konsumonim në bisedën e këndshme të tij.

Kristaqi braktis qytetin për të jetuar në Bual

Kristaqi më parë ka jetuar në qytetin e Përmetit dhe herë pas here kthehej në Bual për tu kujdesur për “Monumentin e Kulturës”. Në një moment djali i tij mendon që banesën ta shfrytëzojë për turizëm dhe pa e menduar fare, nxjerr njoftimin në ‘Boooking.com’. Nuk e mendonte që reagimi do të ishte aq i shpejtë nga turistët e huaj. Në momenetin që i riu kontaktohet nga turistët, ai i thotë prindërve që duhet të marrin masat për tí mirëpritur. “Herën e parë, kur djali me tha që do të vijnë turistë të huaj, unë u emocionova shumë. Nuk humba kohë dhe nisa sistemimin e shtëpisë dhe blerjen e ushqimeve që do të më duheshin. Ndonëse isha shumë e lodhur prejpërgatitjeve, natën nuk më zinte gjumi. Mendoja se si do të sillesha, çfarë do tu gatuaja. Nuk e dija se si funksiononte e gjithë kjo gjë që po na vinte. Emocionet vazhduan për një kohë të gjatë, por tashmë kanë kaluar disa vite edhe unë e kam të qartë se çfarë duhet të bëj, për të kënaqur turistin”, thotë Florida, e zonja e shtëpisë.

Bual

Përse duhet të shkoni në Buahl?

Në këtë bujtinë gatuhen vetëm ushqime tradicionale dhe produktet ose prodhohen nga ferma e Kristaqit, ose iu blihen banorëve të fshatit. Ligji numër një, është që të hahet bio.

“Turistët prenotojnë që të rrinë vetëm një natë, por ngaqë iu pëlqen shumë kalojnë disa net këtu. Gjatë ditës bëjnë ecje në natyrë; shkojnë tek kisha e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, e cila ka një histori shumë të bukur. Djali i tij ka qenë sëmurë dhe gjeti derman tek kjo kisha. Për shkak të saj, Aliu vendosi që të ndërtojë objektin fetar, e cila është e vizitueshme edhe në ditët e sotme. Ajo quhet ‘Shën Alias’, për nder të Pashait. Një tjetër vend për tu vizituar është edhe burimi i këtij fshati, që mund të vizitohet në këmbë. Shija që të le Buali është e papërshkueshme”, tregon Kristaqi.

Dita më e sikletshme e tyre

I gjithë ky biznes ka edhe të papritura dhe sfida. Florida na tregon historinë e turistëve që fjetën në banesën e mbushur me ujë për shkak të reshjeve të shiut që pikonin nga çatia.

“Ishte një ditë e ftohtë pranvere dhe binte shumë shi, ndërkohë që ne kishim marrë njëprenotim nga turistë të huaj. Çatia e shtëpisë na pikonte dhe uji futej brenda. Na zuri paniku, sepse nuk kishim se ku tí strehonim turistët. Djali i mori në telefon për tu thënë që të ktheheshin sepse gjasmë rruga ishte bllokuar nga reshjet, e nuk mund të vinin dot deri këtu. Ata nuk pranuan që ta anulonin vizitën dhe erdhën në mes të atij rrebeshi. Ishin bërë qullë kur mbërritën në banesë, por ne një ngjyrë na ikte e një ngjyre na vinte në fytyrë për shkak të asaj që po ndodhet tek bujtina. Por na e hoqën sikletin, sepse ishin shumë njerëz pa huqe. Iu ndezëm zjarrin dhe u ngrohen. Ndërkohë krevatet i sistemuam në ato zona ku nuk pikonte çatia”, tregon duke qeshur Flora. Tashmë e gjithë kjo situatë ka kaluar sepse bujtësit kanë bërë një çati të re, me të ardhurat që fitojnë nga turizmi.

Njohja me Shpëtimin

Kristaqi ka një qen për të cilin kujdeset me shumë dashuri. Ai quhet Shpëtim dhe është shumë miqësor me turistët. Gjatë kohës që Kristaqi iu bën guidë turistëve, me ata shkon edhe Shpëtimi. Është një qen mjaft i zgjuar. Ai çan rrugën përpara dhe kthehet sërish për tu takuar me turistët.

Kërkesa e vetme e Kristaqit

Kristaqi nuk është një njeri që ankohet për çdo gjë. Ai ka vetëm një ëndërr;  shtrimin e rrugës, në mënyrë që të jetë më e aksesushme për turistët. “Biznesin e çojmë vetë përpara, por na duhet një rrugë. Nuk kërkoj mbështetje tjetër nga shteti. Ekonominë e zonës mund ta forcojmë me anë të turizmit”, kërkon ai.

Shkroi: Silvana Sakolli

GAZETA SHQIP