Hetem Ramadani: Të mposhtësh sëmundjet pa ilaçe. –
Hetem Ramadani: Të gjithë kemi mundësi të jetojmë 140 vjet
“Nëse duam të dimë se çfarë gjendjeje shëndetësore kemi sot, duhet bërë analiza se çfarë kemi ngrënë dje (në të shkuarën). Nëse duam të parashikojmë shëndetin për të nesërmen, duhet të mendojmë se çfarë do të hamë sot e çfarë regjimi kemi.”
Hetem Ramadani është njeriu që ka bërë kapërcime të mëdha në jetë. Ka shënuar arritje rekord në fushën e biznesit, ka ndryshuar tërësisht stilin e jetës dhe regjimin, ka mundur të vetëshërohet dhe të shërojë, duke përjashtuar çdolloj mjeti të mjekësisë konvencionale, është i pari që ka përcjellë në Shqipëri dhe Kosovë meditimin transhendental, duke sjellë mësuesit më të mirë të meditimit nga shkolla e Maharishit, e duke financuar projektin, ku mijëra shqiptarë e kosovarë, kryen kurse meditimi. Krahas meditimit, i cili prej tri dekadash i është bërë shprehi e përditshmërisë, Hetem Ramadani u përfshi në fushën e studimeve shkencore të mjekësisë. Pas dekadash të tëra studime, mbi libra e kërkime shkencore, ai sot ka arritur në një përfundim, i cili hedh poshtë shumë teori të mjekësisë konvencionale. Sigurisht që zoti Ramadani nuk i mbështet këto dije vetëm mbi fjalë, por edhe në fakte të vërtetuara. Në librin e tij të parë “Shëndeti dhe suksesi nëpërmjet meditimit”, ai sjell prova sesi arriti të shëronte veten pa asnjë lloj ndërhyrjeje dhe trajtimi me ilaçe, pas një aksidenti në ski, ku theu kockën e legenit. Në libër, paraqiten edhe shumë raste të tjera me probleme të rënda shëndetësore, të cilave zoti Ramadani u ka dhënë zgjidhje. Regjimi i jetës së tij bazohet tek ushqimet, aktiviteti fizik dhe meditimi. Ai argumenton se, natyra e ka pajisur trupin tonë me një megafarmaci, të cilën mund ta aktivizojmë nëse zbatojmë regjimin që zbaton ai vetë. Hetem Ramadani, tanimë nuk do që t’i mbështesë vlerat e tij humane mbi arritjet në biznes, por mbi përfundimet që ai sjell në fushën e shëndetit, duke dashur që me këto dije të ndihmojë shumë njerëz, që së pari të ruajnë shëndetin për gjithë jetën, e së dyti të mund të shërohen nëse janë prekur nga sëmundje të rënda. Zoti Ramadani është diplomuar për kimi dhe teknologji. Më vonë, ka vijuar dy vite studimi në Zagreb për toksikologji-patologji, rrezatim, ndotje akustike, etj. Gjithmonë interesi i tij ka qenë mjekësia, e cila u kthye në një shprehi jete për të, por, teoria e tij është: “Nuk ka rëndësi çfarë kemi mësuar dje, por çka dimë sot”. Kudo që gjendet, ai është i rrethuar nga qindra e qindra libra e punime shkencore në fushën e shëndetit. Ndërsa përgatitemi për të nisur këtë intervistë ekskluzive për revistën Living, ai na zbulon se 2-3 vitet e fundit, dieta e tij bazohet në yndyra. Kaloritë me të cilat ushqehet, përbëhen nga yndyrat në masën 70-80 %. Gjithashtu zoti Ramadani, në mënyrë periodike, çdo muaj, kryen agjërim 4 deri në 7 ditë, pa asnjë ushqim, përveç ujit.
Zoti Ramadani, çdo ditë e më shumë po ndeshemi me teori të ndryshme, të cilat po zëvendësojnë terapitë mjekësore me dieta ushqimore dhe regjime të caktuara. Çfarë mendimi keni për këtë dhe a është e mundur të zëvendësojmë medikamentet me ushqime?
Po, është e mundur. Është e mundur që me ushqime, së pari të mos arrijmë të kemi nevojë për të përdorur medikamente dhe së dyti, po qe se jemi prekur nga sëmundjet, me regjimin që unë ndjek, mund t’i zëvendësojmë këto medikamente. Edhe babai i mjekësisë moderne, Hipokrati, 2500 vite më parë ka thënë: le të përdorim ushqimin si mjet shërimi (Let the food be our medicine. Let’s use this medicine). Nëse e pranojmë këtë paradigmë, atëherë bëhet realitet.
Ju jeni shumë i përqendruar në çështjet e shëndetit dhe prej më shumë se një dekade i jeni përkushtuar studimeve në këtë fushë. Çfarë ju ka nxitur ta shndërroni këtë në lajtmotivin e jetës suaj?
Kjo ka filluar prej problemeve personale. Kur isha student kalova një krizë depresioni dhe pastaj kam qenë shtruar në spital. Në momentin kur kam dëgjuar mjekun të thoshte se jam rasti më i rëndë në kardiologji, kur dola nga spitali fillova të lexoja për shëndetin. Doktori më dha pak muaj jetë dhe diagnoza ishte miokarditis. Në të vërtetë, nuk ishte aspak kështu. Ishte vetëm një depresion. Falënderoj një mikun tim, profesor të mjekësisë, të ndjerin prof. Muharrem Kutllovski, i cili e kishte përjetuar gjendjen time kohë më parë. Ai më tha të ikja nga spitali se nuk ishte ajo zgjidhja. Pastaj fillova me lexu, me lexu, dhe kjo vazhdon edhe sot. Duke studiuar me dekada, kam arritur në përfundimin se të gjitha këto, kanë qenë çështje që mund të zgjidhen pa qenë nevoja të shkojmë në spital. Arsyeja e dytë që më ka nxitur të kërkoja zbulime të reja, është fakti se, kur jetoja në Lubjanë, shumë njerëz vinin nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi për të më kërkuar ndihmë. Ishin pacientë që vuanin nga kanceri apo prej sëmundjeve të ashtuquajtura të pashërueshme, sëmundje zemre etj. Kam këshilluar edhe raste me metastaza. U kam ndërruar këtyre individëve mënyrën sesi të ushqehen, u kam rekomanduar meditimin, u kam dhënë këshilla për aktivitet fizik, e sot shumica e tyre gëzojnë shëndet. Janë nga ato raste kur mjekësia ka ngritur duart, pacientë të cilët i kam përmendur edhe në librin tim të parë, madje edhe me emra.
Cili është ai zbulim juaji që përmbys të gjitha rregullat/teoritë e mjekësisë konvencionale?
Po ju tregoj për një studim. Dr. John Ioannidis nga Qendra Kërkimore e Parandalimit në Universitetin e Stenfordit, ka sfiduar vlefshmërinë e të gjitha regjimeve ushqimore që u ishin servirur njerëzve deri në atë kohë. Në eksperimentet që bëri, ai arriti në përfundimin se të gjitha këto regjime ishin të gabuara. Nisur nga ky fakt, unë sfidova veten dhe kërkova, hulumtova e studiova për të parë nëse kishte një regjim tjetër të vlefshëm dhe nëse njerëzit që do ta përdornin atë, do të mund të ruanin shëndetin ose të shëronin sëmundjet nga të cilat mund të ishin prekur.
Po t’i referohemi Shoqatës së Kardiologëve Amerikanë, e cila rekomandon konsumimin e sa më shumë frutave, drithërave etj., si dhe marrjen e sa më pak yndyrave, unë kam vërtetuar se ky regjim është i gabuar.
Prej tre vitesh, unë kam bërë ndryshime radikale, ku receptura ime (regjimi), ose më mirë të themi, burimi im i energjisë për trupin, për mitokondriat (mitochondria – mikroorganizma që kanë rolin e centralit elektrik, duke krijuar energji për qelizat) janë yndyrat. Sot mendohet se burim energjik për qelizat është glukoza dhe mendohet që trupi e truri nuk funksionojnë pa glukozë, kurse teoritë që unë kam adaptuar sipas studimeve më të reja, tregojnë se shumica e sëmundjeve kronike shkaktohen pikërisht nga përdorimi i karbohidrateve (sheqernave).
Meqë ju keni studiuar e vazhdoni të thelloheni edhe më shumë në këto çështje të problematikave shëndetësore, si paraqitet aktualisht situata e sëmundshmërisë në botë?
Në vitet ’60, Amerika dërgoi dr. Ancel Keys të studionte në Europë dhe botë dietat ushqimore. Kur u kthye, ai arriti në përfundimin se yndyrat e ngopura janë burim i së keqes e sidomos sëmundjeve kardiovaskulare. E gjithë farmaceutika dhe industria ushqimore e shfrytëzoi këtë: farmaceutika duke prodhuar medikamente për të zvogëluar yndyrat, ndërsa industria ushqimore i zëvendësoi yndyrat e dobishme me sheqerna e yndyra të hidrogjenizuara. Kjo bëri që prej viteve ’60, në të gjithë botën, të rriten në mënyrë dramatike sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, sëmundjet tumorale etj. Për shembull, çdo vit, në Amerikë vdesin mbi 600-700 mijë persona nga zemra, por sëmundja që ka pësuar një rritje dramatike sot, është kanceri, i cili prej vitit 2009 është barazuar me sëmundjet e zemrës, e madje i ka tejkaluar ato. Në Amerikë, tani vdesin 1650 vetë në ditë nga sëmundjet tumorale dhe po të flasim pastaj për diabet, 1 në 3-4 persona është paradiabetik ose diabetik. Po t’u referohemi shifrave për autizmin, përsëri në Amerikë, në vitet 1975 incidenca e rasteve ishte një në 5 mijë fëmijë, ndërsa tani, në vitin 2017, të dhënat tregojnë se 1 në 55 fëmijë është i prekur nga autizmi. Lista e sëmundjeve nuk ka të ndalur dhe burimi kryesor i zhvillimit të tyre, është mënyra e të ushqyerit, marrja e medikamenteve, lëndët toksike dhe dieta dixhitale, që do të thotë se ne nuk marrim vetëm ato që fusim në gojë, por edhe çka na vibron qelizat, siç janë valët elektromagnetike (Smart Tv, telefonat celularë, wi.fi etj.). Studimet e fundit, po i klasifikojnë këto valë ndër faktorët e shkaktimit të sëmundjeve si diabeti, kanceri, tumoret, autizmi, problemet metabolike, alzajmeri, parkinsoni, etj.