Hetimet e SPAK alarmojnë Edi Ramën. – Kryeministri sulmon gjyqtarët dhe institucionet e drejtësisë, i akuzon se janë…
27 Janar 2025
Në një klimë politike të tensionuar, hetimet intensive të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj aferave të dyshuara korruptive të qeverisë Rama duket se kanë krijuar një atmosferë frike dhe pasigurie në kupolën e pushtetit. Kryeministri Edi Rama ka reaguar me sulme të ashpra ndaj gjyqtarëve dhe institucioneve të drejtësisë, duke i akuzuar për paaftësi dhe për keqpërdorim të pavarësisë që iu është dhënë.
Këto deklarata vijnë në një moment kur disa ministra dhe zyrtarë të lartë janë përfshirë në dosje të nxehta, duke ngritur pikëpyetje mbi qeverisjen dhe integritetin e institucioneve. Gjatë podkastit të tij “Flasim” këtë fundjavë, ku kishte të ftuar profesorin Selami Xhepa, Rama shprehu shqetësimin për funksionimin e institucioneve të pavarura, të cilat, sipas tij, shpesh shfaqin paaftësi në performancë. Ai e ilustroi këtë me rastin e rritjes së pagave të gjyqtarëve, të cilën e quajti “skandaloze” dhe “spektakolare” për shkak të pamundësisë së sistemit për të ndërhyrë. “
Por sulmet e Ramës ndaj drejtësisë, dyshohet se janë një përpjekje për të delegjitimuar institucionet në një moment kritik, kur SPAK po ngushton rrethin hetimor mbi afera që përfshijnë figura kyçe të qeverisë. Kritikat e tij për Gjykatën Kushtetuese dhe burokracinë shtetërore duken si një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga shqetësimet kryesore të opinionit publik. Me SPAK-un që vazhdon të hetojë çështje që prekin nivelet më të larta të pushtetit, tensioni në marrëdhëniet mes qeverisë dhe drejtësisë është rritur ndjeshëm. Frika se hetimet mund të çojnë në zbardhjen e të vërtetave të pakëndshme duket se po reflektohet në deklaratat e ashpra të kryeministrit.
Pra këto sulme mund të interpretohen si një strategji për të ulur besimin tek drejtësia dhe për të krijuar një alibi publike ndaj akuzave që mund të dalin në dritë. Megjithatë në sfondin e një lufte të vazhdueshme mes politikës dhe drejtësisë, mbetet për t’u parë nëse Prokuroria e Posaçme (SPAK) do të arrijë të ruajë pavarësinë dhe të çojë deri në fund këto hetime të rëndësishme, apo nëse presioni politik do të minojë progresin e reformës në drejtësi.
Qëndrimi i Ramës
Konkretisht kryeministri Edi Rama, në episodin e radhës të podkastit “Flasim”, kishte të ftuar sot, profesorin dhe drejtuesin e Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa. Kryeministri u shpreh se shtysë për këtë ftesë ishte një publikim me titullin “Zhvillimi afatgjatë”, që i bën një diagnozë të gjithë sistemit të institucioneve në Shqipëri. Në një nga pika e librit është momenti ku flitet për institucionet që u veçua nga Rama. Kryeministri Rama u shpreh se “të treja këto janë tre pika ku gjithmonë ka një sinjal alarmi. Ne kemi bërë në mënyrë të përsëritur përpjekje dhe kemi arritur të bëjmë dhe rregullime, lehtësime të caktuara, por gjatë rrugës e kam parë në më shumë se një rast se një gjë e konsideruar e çliruar është shfaqur përsëri e kapur në një tjetër anë dhe zinxhiri i burokracisë është shkurtuar në një anë dhe është zgjatur nga ana tjetër”.
“Kjo e institucioneve të pavarura pastaj është gjithmonë e më shumë problem se sa më shumë ne i japim pavarësi institucioneve aq më shumë bie në sy paaftësia institucionale për të kontrolluar, jo në kuptimin kontroll politik, por për të kontrolluar në kuptimin e performancës në sistemin shtetëror. Dhe rasti klasik është sesi gjykatësit i rritën rrogat vetes. Ai është rasti më spektakolar i impotencës të gjithë pjesës tjetër për të thënë jo. Ata bënë një ankim në Gjykatën Kushtetuese sepse sipas tyre, llogaria e pagave dilte që duhej të rritej në një masë X dhe Gjykata Kushtetuese bëri një ekstra llogari dhe nxori që duhej të rritej edhe më shumë se sa çfarë ata kishin kërkuar dhe ishte pjesë e një debati mes nesh dhe tyre dhe kishte lidhje me një koniunkturë të caktuar. Pra, duhej bërë një rritje bazuar në ligj, por rritja që u morr me vonesë dhe interesa dhe çudira ishte një gjë skandaloze”, deklaroi kryeministri Edi Rama këtë fundjavë.
Gazeta Sot