Hetuesit në New York ia kthejnë Kamboxhias 27 artefakte të kontrabanduara
Hetuesit në New York ia kthejnë Kamboxhias 27 artefakte të kontrabanduara
– Autoritetet e New Yorkut dhe ato federale ia kanë kthyer Kamboxhias 27 relike në vlerë prej 3.8 milionë dollarësh që ishin vjedhur nga trafikantë antikuarësh, mes të cilave edhe statuja të rëndësishme budiste e hinduse, ka bërë me dije prokurori i qarkut të Manhattanit.
Hetimi që solli riatdhesimin e këtyre veprave u krye nga zyra e prokurorit të qarkut, si dhe njësisë së “US Homeland Security Investigations” (HSI). Agjenti i ngarkuar për këtë çështje në këtë të fundit, Peter C. Fitzhugh, i ka përshkruar veprat si “të paçmueshme për ruajtjen e historisë kamboxhiane”. Në një ceremoni riatdhesimi në New York kanë qenë të pranishëm zyrtarë kamboxhianë, si dhe ata të “Homeland Security”.
Zyra e prokurorit të qarkut ka thënë se 24 nga 27 veprat u kapën si pasojë e hetimit të Subhash Kapoorit, një diler antikuaresh i përshkruar në të kaluarën nga “US Immigration and Customs Enforcement” (ICE) si një nga trafikantët më të shquar në botë të veprave të artistit, si dhe dileres njujorkeze të antikuareve Nancy Wiener.
Kapoor, që hëpërhë është në burg në Indi në kuadër të një gjykimi që po vazhdon atje, është ngarkuar në New York më 2019 tok me shtatë veta të tjerë me akuzat për trafikim. Në korrik të vitit të kaluar, Zyra e prokurorit ka plotësuar letrat që i hapin rrugën ekstradimit të tij në Shtetet e Bashkuara.
Në një konferencë shtypi, Zyra e prokurorit të qarkut ka vënë re se për shumë vjet njësia e saj për trafikim antikuaresh ka hetuar Kapoorin dhe bashkëpunëtorët e tij për grabitje ilegale, eksportim dhe shitje të artit të vjetër nga Sri-Lanka, India, Pakistani, Afganistani, Kamboxhia, Nepali, Indonezia, Burma dhe shtete të tjera.
Nga 2011 deri më 2020, ka shtuar tutje, zyra e saj dhe HIS-i kanë rikthyer më shumë se 2500 vepra të trafikuara nga Kapoori dhe rrjeti i tij në vlerë prej më shumë se 143 milionë dollarësh.
Weiner, e akuzuar për përfshirje në importimin e tri objekteve të tjera, është akuzuar për bashkëpunim dhe posedim të pronave të vjedhura më 2016. Hetuesit amerikanë thonë se ajo ka përdorur galerinë e saj në New York për të blerë, trafikuar, si dhe shpëlarë, duke përfituar miliona dollarë nga antikuaret e vjedhura në Afganistan, Kamboxhia, Kinë, Indi, Pakistan dhe Tajlandë.
Mes gjësendeve nga riatdhesimi i javës së kaluar, të cituara nga zyra e prokurorit, janë një bronz që paraqet një Budë teksa mediton, një statujë e Shivas, si dhe një skulpturë budiste e Prajnaparamitas.
“Riatdhesimi i këtyre 27 relikteve të mahnitshme për popullin e Kamboxhias e restauron një lidhje të rëndësishme të periudhës klasike të Angkorit në këtë shtet dhe zakoneve e besimeve bashkëkohore që, për një kohë tepër të gjatë, ishte shkëputur nga grykësia e trafikantëve të artefakteve të vjedhura”, ka thënë Cyrus Vance Jr, prokurori i qarkut të Manhattanit, në një deklaratë për shtyp.
Në një deklaratë përmes emailit, ministrja kamboxhiane e Kulturës dhe Arteve të Bukura, Phoeurng Sackona, ka thënë se objektet “janë shpirtrat e brezave të stërgjyshërve khmerë, dhe përfaqësojnë të kaluarën frymëzuese të Kamboxhias, që janë larguar nga mëmëdheu i tyre ndër vite gjatë periudhës së luftës”.
“Ne jemi krenarë të shpalosim përpjekjet tona të përbashkëta dhe bashkëpunimin mes qeverive të të dyja shteteve me popullin e Kamboxhias dhe botës”, për të shtuar “për të mirën e të gjithë njerëzimit, sidomos brezit të ri të Kamboxhias, ashtu që ata të mund të mësojnë për vlerën e këtyre thesareve që janë identiteti i tyre kulturor”.
Fotolegjenda: Pjesë të veprave artistike që autoritetet amerikane i kanë riatdhesuar në Kamboxhia. Foto: U.S. Embassy Phnom Penh
Nga Koha.net, Prishtine