Hetuesit “zbërthejnë” telefonin e Tires/ Zbulohen bisedat e sanitares. Komunikonte edhe me mjekët
Hetuesit “zbërthejnë” telefonin e Tires/ Zbulohen bisedat e sanitares. Komunikonte edhe me mjekët
25 JANAR 2021
Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar hetimet lidhur me rastin e sanitarës Tire Alldervishi, e cila kishte marrë para nga disa familjarë të pacientëve me COVID-19 duke u hequr si infermiere. Burime për Ora bëjnë me dije se hetuesi kanë hyrë në celularin e Alldervishit duke zbuluar edhe biseda të tjera që ajo bënte më të afërmit e pacientëve që ishin shtruar pas infektimit me COVID-19.
Në biseda, ajo fliste hapur për “pazarin” e saj duke u konfirmuar edhe gjendjen e të afërmëve të tyre. Për të vërtetuar se bisedat janë reale, prokurorët kanë nisur që të verifikojnë me radhë të gjithë personat që ka ka kontaktuar 52-vjeçarja për të vërtetuar denoncimin e vajzës që dha 8 mijë euro që ajo të kujdesej për të ëmën, e cila në fund ndërroi jetë. Përveç bisedës me familjarët, bie në sy se sanitarja ka komunikuar edhe me mjekët dhe infermierët e spitalit për gjendjen e pacientëve, megjithatë pritet të mësohet nëse ata kanë informacion lidhur me “bëmat” e saj.
Ndërkohë Alldervishi i është drejtuar gjykatës së Apelit duke kërkuar ndryshimin e masës së saj të sigurisë “arrest me burg” me pretendimin se ende nuk është negativizuar nga pandemia e koronavirusit dhe është rrezik infektimi. Ajo u denoncua pak muaj më parë në media nga vajza e një pacienteje të sëmurë që humbi jetën nga Covid, që i kishte marrë sanitarja 8 mije euro. Ndërkohë ka pasur pretendime edhe nga persona të tjerë për të njëjtën skemë mashtrimi. Vetë autoritetet e spitalit “Shefqet Ndroqi” janë distancuar nga rasti duke pretenduar se nuk kanë pasur dijeni mbi ngjarjen.
Prokuroria e Tiranës ka nisur marrjen në pyetje të mjekëve dhe infermierëve të spitalit “Shefqet Ndroqi”, pas arrestimit të Tire Alldervishit, sanitares që hiqej si infermiere.
Gazeta Shqip