Himara dhe propaganda rreth saj
29 Dhjetor 2022
Nga Dilaver Goxhaj
Vizita e Kryeministrit grek, Micotaqis, në darën 22 dhjetor 2022 nuk ishte e rastësishme, pasi data 22 dhjetor 1940, është data që, gjatë kundërsulmit të ushtrisë greke kundër asaj italiane (në Luftën Italo-Greke), ushtria greke “pushtoi” Himarën. Pas këtij pushtimi grek të Himarës, Benito Musolini deklaroi se “një nga shkaqet e humbjes ishte morali i lartë i trupave greke”, (sq.nëikipedia.org/Beteja e Himarës); ndërsa komanda e forcave greke deklaroi: “çliruam Himarën tonë nga italia dhe nga shqiptarët”.
Për këtë qëllim vizita e KM Micotaqis u shty nga data 7 dhjetor 2022, kur e kish planifikuar me rastin e samitit të BE-së në Tiranë, por edhe që i kanë sugjeruar të vinte edhe me helikiopter ushtarak, për të simbolizuar pushtimin e Himarës të vitit 1940. Kjo bëri që, natyrisht, të kishte dhe ka reagime nga shumë intelektualë, analistë dhe ndonjë politikan shqiptarë.
Mbështetur në zhvillimet e këtyre 2-3 dekadave të fundit në Shqipëri, mund të themi se çështjes nacionale me Greqinë politika shtetërore shqiptare i është shmagur, duke mos kërkuar as edhe të drejtat e popullsisë çame dhe të popullsisë tjetër shqiptare në Greqi, ku çështien nacionale, në shumicën e rasteve e kanë trajtuar si primitivizëm, duke deklaroi se ne “jemi patriotë civilë dhe jo nacionalistë” (F.Nano), gjë që do të thotë se ne nuk e mbrojmë me armë atdheun, por vetëm me politikë; prandaj dhe hapësirën ajrore ia kemi besuar ta kontrolloi Greqia.
Të gjitha këto kanë çuar në rënien në gjumë dhe mos vënien re të veprimtarisë së programuar shoviniste të qarqeve të ndryshme greke, të cilat guxuan dhe e shpallën Himarën minoritet grek, duke ardhur edhe vetë Kryeministri i saj, dhe duke e thënë me të madhe në mes të Himarës! Për këtë qëllim aktivizuan edhe njërin prej ish sportistave shqiptarë me origjinë nga Himara, por i lindur, rritur e përgatitur si sportist në Tiranë, Piro Dhimën, të cilin Kryeministri Rama, në prezencë edhe të Micotaqis, e falënderoi në një farë mënyre, gjoja si për humor, pse ai është vetshpallur grek. Dimë që ky z.Piro Dhima në rastin e zgjedhjeve lokale të vitit 2000 financoi rreth 700 emigrantë ekonomikë himariotë që të vinin e të votonin për kanditaturën e një himarioti, i cili pat deklaruar se, po të fitonte ai si kryetar komune në Himarë do të kërkonte të bënte referendum për shkëputjen e Himarës nga Shqipëria dhe bashkimin e saj me Greqinë. Gjë që indirekt e shprehu edhe, në 22 dhjetor 2022, vetë kryeministri Micotaqis, duke kërkuar vetëvendosjen e Himarës; por që përkrahësit e verbër të këtij qëndrimi pro të qeverisë së Tiranës, u munduan të na mbushnin mëndjen se u përkthye gabim!
Ky pranim në heshtje nga KM Rama i dha kurajo edhe himariotit Fredi Beleri, pjesmarrës në vrasjet e ushtarëve tanë në Peshkëpi (Gjirokastër 1993) të deklaroi të nesërmen, më 23 dhjetor, në TV “SYRI” se është kandidati i vetëm pë kryetar bashkie në komunën e Himarës, edhe pse është i dënuar nga gjykata jonë.
***
Por, cila është e vërteta rreth Himarës “greke”?
Për këtë po japim përmbledhtas dhe kronologjikisht disa të dhëna historike.
Krahina Labe e Himarës përbëhët nga 7 fshatra të besimit ortodoks, 3 prej tyre janë bilinguiste (që flasin shqip dhe greqisht): Palasa, Dhërmiu dhe Himara. Veshjen, folklorin dhe zakonet Himara i ka të njëllojta me ato të Labërisë, me disa veçori karakteristike fare të vogla. Mbiemrat e shumë himariotëve, sikundër tregon e dhe Petro Marko, janë mbiemra të fiseve të shqiptarëve të lashtë që i gjen pothuaj në të gjithë Labërinë e brendshme, gjë që vërteton se janë të një trungu ilir, të Kaonëve. Këtë e vërteton edhe historiani i kohës antike greke,Tuqididi, i lindur në Athinë, në vitin 460 p.e.r., i cili në librin “Lufta e Peloponezit” shkruan: “Nga grekët ishin këta: ambrakiotët, leukadasit, anaktorianët dhe njëmijë oplitët e Peloponezit. Nga barbarët (barbarë quheshin të gjithë ata popuj që nuk ishin grekë e që nuk flisnin greqisht-D.G.) ishin: njëmijë kaonë…”, (f.96.)
Fjala “Epir” vjen nga greqishtja e vjetër, që do të thotë Kontinent, e që përfshin gjithë Shqipërinë e Jugut, prej Vjosës e deri në gjurin e Ambrakisë.
Edhe historiani i shquar grek, Paparigallos, thotë se pellazgët të siguruar në tokat e larta në Epir, Maqedoni dhe Iliri, nuk patën asnjë raport race dhe afiniteti me grekët. Po ashtu, edhe Plutarku thotë se epirotasit ishin një popull që dallohej nga populli helen.
Princesha Ana Komnina është konsideuar nga himariotët si mbretëresha e tyre. Të mos harrojmë se ajo ka qënë motra e labit Gjrgj Aranit Komneni nga Kanina, ish vjehri i Skëndërbeut.
Po ashtu, nga historia dimë se luftrat e Skëndërbeut kundër turqve nuk mbaruan me vdekien e Skëndërbeut, por vazhduan. Faktikisht,Malësia e Shqipërisë së Jugut, (Labëria, ku përfshihet edhe Himara), u bë strehë dhe kështjellë natyrore e luftetarëve te Skëndërbeut dhe e familjeve të tyre që ikën prej krahinave që i pushtoi Turqia. Turqia dërgoi tre ekspedita kundër Himarës por nuk mundi ta nënshtronte, prandaj në vitin 1515 Turqia u detyrua nga rezistenca e përfaqësuesve të krahinës së Himarës në bisedime, të lironte djalin e Skëndërbeut që e pat zënë rob dhe t`i njihte Himarës disa privilegje (venome), si shpërblim i dorzimit nga ana e himariotëve të robërve turq të kapur nga himariotët, midis të cilëve edhe një gjeneral. Himara i gëzoi ato të drejta deri në Luftën e dytë Botërore.
Në vitet 1830-1848, kur shpallet reforma centralizuese e Tanzimatit, e cila nuk i njihte venomet për himariotët, ata iu bashkangjitën kryengritjeve të Labërisë.
Në vitin 1852, kur rrezikoheshin trojet veriore të Shqipërisë, së bashku me çetat e Labërisë nën komandën e Zenel Gjolekës, shkuan në luftë kundër Malit të Zi edhe çetat e Himarës të komanduara nga kapedan Gjik Thanasi, nga Qeparoi, ku që të dy ranë dëshmorë në atë luftë.
Njëri prej dërgatës së Labërisë në kuvëndin e Lidhjes së Prizërenit ishte edhe djaloshi himariot nga fshati Vuno, Odise Nesturi, shok i Avdyl Frashërit dhe mik i Pashko Vasës.
Kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, në vitin 1912, himarioti Thanas Beni, luftëtar trim dhe poet popullor nga fshati Vuno i Himarës, la emigracionin në Amerikë dhe u bashkua me çetat e Labërisë, në luftë kundër andartëve (çetat hajdute e kriminele greke). Është po ky luftëtar i Luftës së Vlorës më 1920, i cili krijoi këngën perlë popullore të asaj lufte: “Evropa shkruajn` e thonë, / Ç`është kështu që dëgjojmë? / Bënet dyfek në Vlorë. / Shqiptarët po luftojnë, / Me një mbret 40 milionë.”
Gjatë periudhës së Luftër Antifashiste Nacionalçlirimtare Shqiptare pjesa më e madhe e djemve dhe burrave të Himarës u reshtuan në brigadat partizane, ku kanë rënë mbi njëqind dëshmorë, shumë prej të cilvë janë edhe Heronj të Popullit Shqiptar.
Pse Greqia, atëhere, kërkon ta shpalli Himarën: minoritet grek?
Përgjigjia më e saktë ndaj kësaj pyetjeje është kënga e popullit të Himarës, e cila fillon me vargjet: “Himara në breg të detit, / Shtatë fshatëra në radhë, / Është lule e vilajetit, / Gjit’ bota ia kanë sevdanë.”
Propaganda e të qënit të Himarës “pjesë e Greqisë” i ka fillesat e saj pas fitores së pavarësisë nga vetë Greqia, pas vitit 1828. Greqia, krahas fuqizimit si shtet, duke shfrytëzuar propagandën turke, se të gjithë myslimanët janë turq, edhe ajo trumbetonte se të gjithë ortodoksët dhe myslimanët bektashinj janë grekë, propagandë e cila trumbetohet edhe sot nga grekët.
Dimë që vitin 1847 filloi kryengrytja më e madhe në tërë Toskërinë dhe po atë vit del në skenë për herë të parë nga politikanët dhe historianët grekë teoria e “Vorio-Epirit” (Epiri i Veriut), me qëllim që të shfrytëzohej kryengritja e shqiptarëve për t`ia aneksuar Shqipërinë e Jugut, Greqisë. Në këtë periudhë, duke e parë se perandoria Turke po dobësohej, Rusia cariste u bë aktive për të depërtuar në Ballkan, prandaj doli si mbrojtëse e popujve ortodoksë të këtij gadishulli. Sërbët, malazezët dhe grekët e shfrytëzuan përkrahjen cariste dhe, nga luftë të drejtë e shndruan atë në luftë grabitqare kundër trojeve shqiptare. Prej kësaj periudhe fillon politika e tyre e hapur shoviniste kundër popullsisë shqiptare, duke i vunë kazmën miqësisë së vjetër tradicionale që kishin popujt e Ballkanit midis tyre.
Greqia, në vijim të kësaj politike, në vitin 1854 organizoi çeta të shumta dhe i futi ato brënda territorit të Shqipërisë: në Himarë, Janininë, Delvinë etj. Qëllimi i këtyre bandave ishte që në Shqipërinë e Jugut (Epir) të shkaktonte një kryengritje të përgjithëshme të kësaj popullsie dhe, duke shfrytëzuar luftën ruso-turke, të aneksonte Shqipërinë e Jugut. Në krye të kësaj ushtrie me çeta greke ishte gjenerali i ushtrisë greke, himarioti Spiro Milo me origjinë nga Progonati i Kurveleshit, të cilit populli i këndon: “Spiro Milo Progonati, / Shih ku të çoi inati!”. E gjithë popullsia shqiptare e Toskërisë, përfshi edhe Himarën, reagoi menjëherë kundër këtyre çetave. Për këtë qëllim edhe Turqia i liroi kapedanët e kryengritjeve shqiptare të Shqipërisë së Jugut, që i kish burgosur para disa vitesh. “Kapedanët shqiptarë – shkruan historiani i shquar grek J.Kordhatos në vëllimin III të Historisë së Greqisë, f.614 – organizuan luftën kundër forcave greke në Kallabak e Meçovë dhe bënë që të dështojnë plotësisht tentativat e para greke për pushtimin e Shqipërisë së Jugut (Epirin)”.
Megjithatë, propaganda greke, për përvehtësimin e Shqipërisë së Jugut, u intensifikua edhe më shumë. Në këtë periudhë, në vitet 40-të të shekullit XIX, lind Rilindia Shqiptare, e cila iu kundërvu propagandës greke me penë e me organizim. Ajo bëri që të krijohet edhe Komiteti Shqiptar i Stambollit me në krye Abdyl Frashërin. Greqia, duke e parë se shqiptarët u bashkuan pa dallim feje e krahine, u hoq aleate e shqiptarëve për luftë kundër turqve dhe filloi kontaktet me atë komitet. Por, kur e pa se përfaqësuesit ortodoksë të Rilindjes anëtarë të Komitetit të Stambollit nuk dallonin në qëndrime nga ato të shqiptarëve të besimit mysliman sunit, bektashinj e katolikë, dërgoi fshehurazi në Himarë, në gusht 1877, renegatin shqipëtar nga Qeparoi, Jorgji Stefani, për t’i bindur krerët e Himarës që t’i kundërviheshin Komitetit Shqiptar të Stambollit.
Jorgji Stefani, pasi mbërriti në fshat, kërkoi takim me kapedanin me autoritet në të gjithë krahinën e Himarës, Sokrat Lekën, ku i propozoi planin grek për të zbarkuar në Qeparo. Kapedan Sokrat Leka, pasi e dëgjoi i tha: “Hasëm familjar të kam, por turpin nuk ta dua sepse jemi shqiptarë… Kështu nuk i shërbehet vatanit, por shejtanit… Po u matët të zbrisni në Qeparo, ta dish se do të vejë gjaku deri në gju, këmbë greku nuk ka për të shkelur në bregdet”.
Grekët, duke parë se himariotët, si gjithë shqiptarët e tjerë, nuk mund të mashtroheshin, bënë tentativën e dytë ushtarake për të aneksuar me forcë Shqipërinë e Jugut . Për këtë, më 12 shkurt 1878 zbarkuan disa batalione në Lëkurs të Sarandës, ngaqë nuk mund të zbarkonin në Himarë. .Shqipëtarët ortodoksë e myslymanë të Himarës, Labërisë e Delvinës u organizuan e i shpartalluan forcat greke. Dhe populli e përjetësoi këtë luftë në këngë: “Sa zbret greku në Sarëndë, / Sokrat Leka pallë ergjëndë, / në emër të Bregdetit, / I bën haber vilajetit: / “Të gjithë jemi më këmbë, / Dërguam fuqi Sarëndë, / Këmbë dushmani mos lëmë, / Që të na e shkelë vëndë.”
***
Përpjekja e tretë e Greqisë, për aneksimin me forcë të Himarës dhe pjesën tjetër të Shqipërisë, fillon në pragun e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë, ku populli ynë kish më shumë se dy vjet që zhvillonte kryengritje të një pas njëshme.
Dimë se në tetor 1912 shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike, e cila kish për qëllim bashkimin e kombeve të Ballkanit, dhe objaktivisht ishte përparimtare. Ajo luftë u përkrah edhe nga Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia. Mirëpo Mali i Zi, Serbia, Bullgaria dhe Greqia, që i shpallën luftë Turqisë, atë luftë e zhvillua nën flamurin e interesave të ngushta nacionale, e përzier me tendenca fetare anti myslymane, gjë që e kthyen atë në një luftë grabitëqare kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë. Përfaqësuesit shqipëtarë bënë përpjekje që të anëtarësoheshin në Aleancën Ballkanike, por ato shtete nuk pranuan, pasi shqipëtarët do të ishin palë me të drejta të barabarta në atë aleancë dhe kështu, nuk mund të copëtohej Shqipëria. Ushtria greke, pasi i theu forcat Turke në Thesali, rrethoi Janinën si dhe pushtoi Himarën. Ky ishte rasti i parë dhe i vetëm në histori që Himara pushtohet nga Greqia.
Greqia, pasi pushtoi Shqipërinë e Jugut e quajti atë me emrin ” Vorio-Epir”. Mirëpo Fuqitë e Mëdha, pasi i dhanë Greqisë një pjesë të Shqipërisë, e njojtën Qeverinë e Vlorës dhe i dhanë urdhër Greqisë të tërhiqej tërësishtë nga Shqipëria e Jugut. Atëherë, Athina në verën e vitit 1913 krijon repartet e ” hierolohitëve”(kompanitë e shenjta), duke deklaruar rrejshëm se në këto kompani bënin pjesë vullnetarët ortodoksë shqipëtarë. Këto forca drejtoheshin nga tradhëtari , major i ushtrisë greke, Spiro Spiromilo, (i biri i ish gjeneralit himariot tradhëtar Spiro Milo), i cili pat shpallur “autonominë e Himarës”. Ky major, së bashku me tradhëtarin pasanik Jorgo Zografi nga Lunxhëria, në atë kohë ishte ministër i jashtëm i Greqisë, organizuan në Gjirokastër kongresin dhe shpallën “autonominë e Vorio-Epirit”. Këtij tradhëtari, patrioti himariot, anëtar i komitetit të kryengritjeve të jugut, me kryetar Bajo Topullin, mjeku Foto Jani Rexha, nga Himara, i tha para popullit të qytetit: “Në qoftë se ke ardhur në Himarë për të nxjerrë mallin e vendlindjes, të urojmë me gjithë zemër… por ti na ke sjellë disa zagarë të hurit e të litarit. Ti kërkon të na vësh nën zgjedhën greke… Zgjedha, ç’do ngjyrë që të ketë, është zgjedhë, qoftë e turkut, qoftë e grekut”.(Zëroi i Vlorës, 5.10.1980).
Pse himariotët e flasin greqishten?
Së pari, duhet të themi se nuk ka banor të Himarës, i çfardo moshe, që të mos dijë shqip. Së dyti, jo të gjithë himariotët dinë greqisht, por vetëm tre fashtra: Himara, Dhërmi, Palasa; dhe, së treti, jo të gjithë himariotët që e flasin greqishten dinë edhe ta shkruajnë atë.
Po si ndodhi që greqishtja u bë gjuhë e dytë amtare për himariotët?
Kjo, zanafillën e ka qysh kur Turqia e njojti dhe e lejoi kishën greke në Perandorinë Osmne, por në mënyrë të organizuar nis në periudhën e njohjes së “autonomisë së Vori-Epirit” nga qeveria e Princ Vidit dhe Fuqitë e Mëdha, ku u pranuan kërkesat e Zografos e të Spiro Milos që komunitetit ortodoks shqiptar t`i njiheshin disa të drejta të përcaktuara në ” Protokollin e Korfuzit ” 1914 si: hapjen e shkollave greqisht, dhe gjuhën greqishte ta zhvillonin vetëm në tre klasat e para të shkollës fillore, ndërsa në administratën lokale të pranoheshin të dy gjuhët.
Arësyet e tjere i shpjegon shkrimetari i madh shqipëtar nga Dhërmiu i krahinës së Himarës, Petro Marko, në librin e shkruar në vitin 1997 ” Intervistë me vetvehten”, ku shkruan : “Pra, ç’jemi ne ( himariotët)? Shqipëtarë! Po pse e humbëm gjuhën? Unë do të them ato që di: Pse nënat plaka, gjyshet dhe gjyshët dinë më mërë shqipe? Siç duket, që nga viti 1920 e tëhu, greqizimi u bë me qëllim politik nga vetë Greqia, që fitoi lirinë me gjakun e Shqipëtarëve… Suli dhe Himara ishin kurdoherë në luftë me Turkun. Erdhi koha që Himara u nda: Himara bregdetare mbeti e lirë dhe e krishterë, kurse Himara e brendshme, Labëria, Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u myslimanizuan e u ndanë. Me gjithë se u ndanë në dy fe, nuk e humbën kurrë lidhjen e gjakut e të fisit”,- dhe më poshtë vazhdon: ” …Kur bëheshin operacionet ndëshkimore nga Turqit, bregasit nuk shkonin më në Laberi për tu mbrojtur, por iknin me barka në Korfuz… Aty rrinin shumë vite, gjersa mbaronin operacionet ndëshkimore… Pasjtaj shkollat ishin greke . Mesha këndohej greqishtë . Tregëtinë e bënin me Korfuzin.” ( f.48). ” Pak nga pak u shkëputën lidhjet me Laberinë . Greqia që u çlirua e para , thoshte se kudo ku janë ortpodoks janë grek ; myslymanët janë Turq… Pak nga pak propaganda greke bëhej më e madhe, duke pretenduar se Himara ishte krahina më heroike e Greqisë.” (f.49)… ” Himara është dhe mbetet shqipëtare. Ne e dimë gjakun tonë se nga buron.”(f 51).
Me fillimin e proçeseve demokratike në Shqipëri, si rrrjedhojë e përqëndrimit të vëmendjes nga politikanët shqipëtarë në luftën midis tyre vetëm për pushtet, duke e harruar çështjen kombëtare, dhe duke u bërë servilë të qeverive fqinje, çështien kombëtare e kalua në plan të dytë e të tretë. Kjo ka bërë që kryetar’ i Kishës Autoqefale Shqipëtare të vendoset greku Janullatos, duke harruar se Serbët dhe Grekët edukimin e ndjenjës kombëtare e fillojnë që me fëmijët, në kishë, dhe e vazhdojnë me të gjitha moshat.
Edhe varfëria ekonomike ka ndikuar që emigrantët shqipëtarë në Greqi të ndërrojnë emrat dhe të deklarohen “jemi vorio–epiriotë”. Për këtë qëllim Athina ka vënë në qarkullim dy lloj dokumentash: kartën jeshile, që i jepet atij emigranti mbi pesë vjet por që nuk pranon të quhet “vorio–epiriot”, të cilët kanë të drejtë të hyjnë e të dalin nga Greqia, pa patur nevojë për vizë, por që është e përkohëshme dhe jo e sigurtë, pasi mund të ta grisi edhe një polic i thjeshtë. Karta e dytë është ajo me mbishkrimin “Vorio-Epir”, e cila shoqëron pashaportën, lëshohet nga administratat qendrore dhe, me ato të dyja mund të lëvizësh lirshëm në gjashtëmbëdhjeçen evropiane. Pra, indirekt dhe në heshtje është bërë legalizimi i “autonomisë së shtetit të Vorio-Epirit”.
Ata shtetas shqipëtarë, që kanë pranuar këtë lloj dokumenti e që janë të pajsur nga shteti shqipëtar me dokumenta pensioni pleqërie, u është dhënë nga shteti grek pension shtesë pleqërie deri në 150 Euro për çdo muaj. Po kështu veprohet edhe me mësuesit minoritarë që zhvillojnë mësim në shkollat shtetërore në Shqipërinë e Jugut.